“Sfida ime në bujqësi me investimet në agroturizëm”

Nga Xhensila Demollaj

Dorart Bujari rrëfen gjithë sfidat për ndërtimin e agroturizmit. Dëshira për të investuar në atdhe dhe mënyra se si e shikon të ardhmen e vendit në këtë sektor

Këto ditë moti ka qenë i paqendrueshëm. Herë shi, herë diell, ama temperaturat e ulëta duket se kanë ruajtur veten për këtë fund janari. Edhe në bregdet na shoqëron e njejta kohë. Sa largohemi pak nga Durrësi në hyrje të fshatit Shkallnur, era e ftohtë dëgjohet nga jashtë makinës.

Më tej, futemi në rrugën e fshatit. Asfalti mbaron shumë shpejt prej nga rrethrrotullimi i fundit që bëmë. “Na kanë premtuar se do e rregullojnë shumë shpejt. Ne kemi shtëpitë, ja atje lart në kodër. Detyrohemi të presim fugonin e radhës që të mund të shkojmë deri sipër”, thotë një prej banorëve, teksa hedh mbi supe çantën e shpinës.

Dorart Bujari na priste në hyrje të fermës. “Në këtë anë”, na thotë duke buzëqeshur. Dorarti është 26 vjeç. Ai ka mbaruar studimet për politikë dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Angli. Mirëpo, i riu, pas studimeve nuk zgjodhi Britaninë për të jetuar, por vendin e tij. Sot, ai gjendet prej kohësh në tentativë për të ndërtuar një fermë agroturistike në vendin e tij, dëshirë e cila lindi shumë natyrshëm, siç tregon ai. “Prindërit e mi ishin duke parë për një shtëpi.

Preferonim të gjithë periferinë, pasi është më qetë dhe më bukur në natyrë. Asnjëherë se kish menduar se do vinte një ditë e tillë. Ne e filluam si një ide që këtu do të kishim një vend për pushime, na pëlqeu vendi, zona, por dalëngadalë me ide të prindërve duke parë edhe në internet na shkoi mendja te agroturizmi dhe duke qenë se hapësira është e madhe thamë përse të mos e shfrytëzojmë për diçka të veçantë. Fillluam duke marrë zarzavatet e para, jo pemët, jo ullinjtë. Njohëm edhe zonën, njerëzit, të cilët u gjenden pranë për të punuar së bashku”, thotë Dorarti. Mirëpo, pas kësaj filloi edhe mendimi për hapësirën, tokën dhe investimin që duhej bërë në të. “1 hektarë e gjysmë është pronë e fermës, ndërsa 6 hektarë janë marrë me qira nga ish-komuna. Gjithë zona qendrore është mbjellë me pemë, të cilave iu fillon cikli në maj dhe fruti i fundit piqet në nëntor.

Është një lloj pjeshke nga një krah i rrumbullakët, në tjetrën si i çarë. Madje, fruti i veçantë i goxhit është vjelë deri në dhjetor. Janë bërë dy tunele, një me kivi, një me ullinj. Janë afërsisht 37 lloj rrushi. Është bërë që sezoni të jetë sa më i gjatë”, thotë Dorarti, teksa buzëqesh me habinë tonë për emrat dhe frutat e reja të padëgjuara më parë, megjithëse pohon se shumë shqiptarë i konsumojnë. “Kemi marrë fruta të reja. Goxhi, takikardi. Shqiptari më mirë preferon të marrë goxhin e thatë me 22 euro kilogramin sesa ta marrë këtu 2000 lekë të njomë. Takikardi është një lloj pjeshke. Ne i kemi mëshuar zonës së parapërgatitjes. Krahu këtej është mbi dhe, krahu tjetër është nën dhe. Gjithë këtu ka 9 minipunishte, me përjashtim të punishtes së vajit të ullirit që do jetë këtu poshtë. Ideja është që do bëhet një cikël i mbyllur. Gjithë çfarë do prodhojë kjo fermë do të mbetet dhe përpunohet këtu. Jo vetëm prodhimet e veta por të gjithë zonës.

Ideja është që nuk ka fabrike vaji dhe ne duam të blejmë ullirin te fermerët. Ulliri vetë ka një gjë. Nga momenti që e vjel, deri në momentin që duhet ta përpunosh, nuk dihet të kalojnë më shumë se 8 orë sepse fillon aciditeti. Me goxhi ka platacioni në Greqi, Izrael. Së fundmi kemi ne dhe kemi futur 400 rrënjë. Kush e ka mundësi t’i  japë fëmijëve nga dy deri në 10 vjeç, çdo mëngjes, 5-10 kokrra, ai bën bingo. Ky fëmijë s’merr më antibiotik në jetën e vetë. Goxhi nuk është as frut, as zarzavat”. Për Dorartin, pas kthimit nga Anglia çudia më e madhe me të cilën u ndesh është fakti që në Shqipëri femrat bëjnë punën më të vështirë. Ai vijon dhe flet edhe për specialistët, të cilët hera- herës nuk e kanë profesionalizmin e duhur në punë. “Nëse flas për zonën këtu është një mënyrë shumë e vjetër e të punuarit. Punën më të madhe në bujqësi, në tokë e bëjnë femrat dhe burrat s’bëjnë as gjysmën. Të paktën te kjo zonë. Vetë njerëzit nuk është se e bëjnë bujqësinë sepse e duan, por sepse e kanë të nevojshme.

Dhe faktikisht shteti jonë nuk është se ndihmon. Japin ndihma shumë të vogla ose inekzistuese në një farë kuptimi. Problemi që kam parë unë se është agronomët nuk janë fort profesionistë. Kush ka eksperiencë di të të ndihmojë, të paktën themi për bimët. Ilaçet i marrin këtu, por edhe në Itali. Ne kemi pasur një agronom që merrte produktet këtu dhe ia linim atij në dorë. Këtë vit që kemi agronomin tjetër dhe që marrim produktet nga Italia është si nata me ditën. Ata që në kohën e Enverit kanë qenë agronom nuk e dinë anën teknike të bimës, por ia kanë mësuar punëtorëve se çfarë duhet të thonë. Kur vjen momenti që ta bëjë vetë, ky person nuk është i aftë që ta bëjë. Ne kemi vuajtur me rrushin dhe këtë vit na shkoi gjysma e prodhimit dëm vetëm si janë drejtuar ato bimë që të ktheheshin në formën e duhur”, thotë i riu.

Specialisti

“Turizmi është një sektor i ndërlikuar dhe në rritje që njihet si një kyç për shumë ekonomi të përparuar. Ajo qe shikohet ne Shqiperi eshte nje trend zhvillimi i turizmit rural i kombinuar me aktivitetet bujqesore. Përkufizimet e agroturizmit janë të bollshme në literaturë te shkruar, qe shpesh here reflektojne paqartësi rreth kuptimit të tij. Në fakt nga ana konceptuale, agroturizëm është çdo veprimtari në të cilën një vizitor në fermë ose mjedis tjetër bujqësor shikon dhe shijon peisazhin e fermës ose merr pjesë në një proces bujqësor për rekreacion apo qëllime të kohës së lirë duke u akomoduar nepermjet sherbimeve kulinare te bareve, restoranteve, ambjenteve dekustative apo fjetinave karakteristike. Pra me fjalë më të thjeshtë do të thoja që definicioni i agroturizmit do të përshinte atë që çdo veprimtari e lidhur me bujqësinë që kryhet në një fermë funksionale ose në një tjetër mjedis bujqësor për qëllime argëtimi ose edukimi”, tha për Shekullin, Ilir Pilku.

Format e biznesit që janë miniera në bujqësi

Bujqësia është burimi kryesor i të ardhurave për pothuajse 530 mijë shqiptarë. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), të ardhurat e gjeneruara nga fusha e bujqësisë në vend janë të pakonsiderueshme, në krahasim me kapacitetet. Vlera e përgjithshme tregtare e prodhimit bujqësor në Shqipëri është shumë e ulët.

Në vendin tonë, të cilit natyra i ka falur kushtet e përshtatshme klimaterike dhe toka mjaft pjellore, fermat duhet të jenë një burim i pashtershëm të ardhurash. Fermerët e kuptojnë më mirë se të gjithë shprehjen “ç’të mbjellësh, do të korrësh”, prandaj investimi i vazhdueshëm është thelbësor për zhvillimin e fermës, dhe jo vetëm financiarisht.

Krijimi i fermave biologjike në vendin tonë është një hap përpara drejt zhvillimit të agroturizmit. Në to vizitorët mund të ndjekin nga afër të gjitha ambientet e prodhimit në fermë dhe të konsumojnë më tej mes qetësisë dhe gjelbërimit, produktet e fermës. Mundësitë e shfrytëzimit të fermës suaj janë të pafundme dhe nuk lidhen vetëm me prodhimin. Filloni të kërkoni për arin tuaj, mund të ndodhet poshtë domateve të kopshtit, poshtë kashtës në stallë apo nën hijen e ullirit.

Ndodhet gjithmonë aty ku nuk ju ka shkuar mendja më pare, ashtu si ndodhi edhe për Dorartin. “Kam mbaruar studimet për politikë dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Angli. Tani jam angazhuar këtu. U bë gati një vit e gjysmë. Jam gjithë ditën. Këtu është e ardhmja ime. Shumë njerrëz kanë mendime të ndryshme. Unë, vetë nga familja ime kam marrë edukatën që 12 vjeç që puna sjell çdo të ardhur tjetër dhe vetë gjithë punëtorët që kemi nga më i vjetri te më i riu i njoh që kur kam qenë 15 vjeç, tani janë të gjithë të martuar dhe me fëmijë. Vetë kemi një ambient familjar në punë dhe kjo jep edhe konsolidim.

Tanimë, e shohim si një objektiv të përbashkët. Unë më parë nuk kisha dituri për agroturizmin, as që bëhet fjalë. As si rriten pemët, as problemet që kanë bimët, sëmundjet e ndryshme të tyre. Mund të isha deri diku injorant deri në këtë faktor. Ky vit pune më ka njohur me shumë agronomë dhe i kam ndejtur nga ps duke mësuar me ta. Tanimë, di ta kontrolloj. Unë jam punëtor si gjithë të tjerët, diçka ndryshe është se unë duhet të kontrolloj punët që bëhen. Kam edhe objektivat sidomos në bujqësi që kemi vendosur kuota në bimë dhe dëshirojmë ta zhvillojmë këtë fushë. Kutphet që nëse ka shi, nuk punohet dot në tokë, se toka është e butë dhe mund të bëhen dëmtime në bimë”, thotë Dorart Bujari.

Tradita

Në SHBA, periudha nga gjysma e shtatorit deri në mes të tetorit, shoqërohet gjithmonë nga tradita e vizitës familjare në disa lloj fermash-panaire, të quajtura “zgjidhe vetë frutin dhe zarzavaten tënde”, për të zgjedhur secili, kungullin e vet, misrin e vet, mollën e vet apo edhe pjeshkët e veta për tavolinën personale.

Goxhi

Manat goxhi, apo siç gjenden zakonisht me emri manat goji, janë një frut që vjen nga bimës botanike Lycium barbarum. Këto kokrra të vogla janë përdorur në mjekësinë tradicionale popullore prej shumë kohësh. Studime të fundit kanë zbuluar fakte që mbështesin idetë popullore për vlerat e këtyre manave.

Problemet me tokën

Shqipëria është një vend i bekuar me burime të pasura ujore, por e vërteta është dhe se jemi dhe ndër vendet Mesdhetare me nivel të lartë të intensitetit të erozionit. Çdo vit në Shqipëri janë gërryer rreth 54 milion tonë materiale të ngurta, ndërsa mesatarja arrin shtresa korrozioni (2-3 mm) në vit, për këtë arsye, brenda një viti është gërryer një shtresë, që merr 350 për 420 vite për t’u formuar. Këto të dhëna janë shqetësuese, sepse tregojnë rrezikun e madh që na kanoset nga erozioni dhe degradimi i tokës.

Ushqimi i shëndetshëm

Ushqimi i shëndetshëm nuk nënkupton të ushqyerit rigoroz, i cili kufizon ushqime të caktuara. Në vend të kësaj, bëhet fjalë që të ndiheni mirë, të keni më shumë energji dhe të jeni të shëndetshëm. Çdo nutricionist do t’ju thotë që të ushqyerit në mënyrë të shëndetshme nënkupton 5 vakte, tri kryesore dhe dy mesvakte.

Të tjera

Leksioni i Studentëve

Nga Zef Bushati Përtej kryefjalës së këtyre ditëve “student” dhe përpjekjeve të kuptueshme për pronësimin politik të protestës, e cila…

Abissnet