Maqedonia miraton ligjin, shqipja bëhet gjuha e dytë zyrtare

Publikuar më 12. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Kalon me shumicë votash, pas dështimit në nëntor 2017 , votimi i dytë. 69 deputetë të parlamentit të Maqedonisë votuan miratimin e përdorimit të gjuhëve, që i jep gjuhës shqipe një shtrirje të gjerë edhe nëpër institucionet e larta shtetërore ku nuk përdorej deri më tani.

Me 69 votat pro ligjit për përdorimin e gjuhëve u arritën nga mbështetja edhe nga deputetë të partive shqiptare jashtë koalicionit qeveritar. Ligji sipas parimit të njohur si i Badenterit u votua veçmas edhe nga ligjvënësit e komuniteteve të pakicave, përfshirë ata shqiptarë dhe nga 28 deputetët e pranishëm në sallë 27 ishin pro ndërsa një abstenoi. Nga 23 deputetë shqiptarë (3 LSDM, 10 BDI, 5 BESA, 3 ALEANCA, 2 PDSH) në sallë ishin vetëm 22 deputetë shqiptarë, si dhe 6 deputetë të tjerë të pakicave. Por ai që mungoi ishte kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, që nuk isht në seancë. Ndërsa pro votoi deputetja e kësaj partie, Merale Ferati. Mungesën e liderit të PDSH-së e kanë theksuar edhe portale të tjera, ndërsa nuk është bërë e ditur arsyeja e mungesës së tij.

Ligji, kështu kaloi leximin e dytë në parlament, pasi leximi i parë qe miratuar në mesin e muajit nëntor. Opozita maqedonas e drejtuar nga VMRO-DPMNE nuk mori pjesë në seancë; ajo po bojkoton punimet e parlamentit për shkak të mbajtjes në paraburgim dhe në arrest shtëpie të gjashtë deputetëve të saj të dyshuar për pjesëmarrje në trazirat e dhunshme në parlament më 27 prill, 2016. Ligji thekson se “gjuhë zyrtare në Maqedoni është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik”. Në nenin e dytë thuhet: “Krahas maqedonishtes, gjuhë tjetër zyrtare është edhe gjuha të cilën e flasin së paku 20 për qind e popullatës dhe alfabeti i saj”. Kjo ka shkaktuar debate prej disa muajsh nëse gjuha shqipe do të jetë gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni apo vetëm avancohet përdorimi i saj. Sidoqoftë, gjuha shqipe me ligjin e ri pritet të ketë avancim në përdorimin e saj në organet më të larta shtetërore, gjyqësore, në institucionet publike dhe ato lokale.

Ligji do t’i mundësojë mes tjerash, kryetarit të parlamentit, duke qenë shqiptar që seancat të mund t’i drejtojë në gjuhën e tij amtare. Edhe ministrat shqiptarë në seancat e qeverisë të flasin shqip, po ashtu. Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve nga shumica parlamentare, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, vlerësohet si përmbyllje e Marrëveshjes së Ohrit, të arritur në gusht të vitit 2001. Shqiptarët, sipas statistikave zyrtare përbëjnë 25 për qind të popullsisë së Maqedonisë. Marrëveshja e Ohrit që rezultoi pas një konflikti të armatosur midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare maqedonase në vitin 2001, përfshinte një sërë ligjesh që ngritnin pozitën e shqiptarëve në vend, por gjuha shqipe pati mbetur gjatë kohë me një status të cunguar, duke nxitur pakënaqësi të shumta tek popullata shqiptare në Maqedoni. Kryeministri Zoran Zaev pati bërë premtime qysh gjatë fushatës zgjedhore të dhjetorit, 2016 se do të angazhohej për zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në vend.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti, e cilësoi miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, një festë të madhe për të gjithë shqiptarët. Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Ahmeti tha se me miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve sot u kurorëzua pjesa normative e Marrëveshjes së Ohrit nga viti 2001. “Nga sot, gjuha shqipe është e barabartë me gjuhën maqedonase dhe ky akt i sotëm i deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë paraqet një festë të madhe për të gjithë ne. Nga ky vendim ka fituar Maqedonia dhe të gjithë qytetarët e vendit meqë mbyllet një kapitull shume i rëndësishëm për vendin tonë”, theksoi Ahmeti.

Kreu i BDI-së, uron të gjithë kontribuesit për këtë arritje të përbashkët dhe i falënderon të gjithë mbështetësit gjatë gjithë këtij procesi.

Reagimet në Tiranë

Në Shqipëri, autoritetet përshëndetën miratimin nga parlamenti i Maqedonisë, të ligjit për gjuhët, i cili i jep gjuhës shqipe një përdorim më të gjerë dhe shtrirje të saj dhe në institucione të larta shtetërore, ku ajo nuk është përdorur më parë. Presidenti Ilir Meta ka reaguar menjëherë në “Facebook” sapo ka dëgjuar lajmin për njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni. Meta sapo ka mbërritur në aeroportin e Lubjanës është informuar për votimin e gjuhës shqipe, shkruan se është një lajm i gëzuar. Më tej thotë se ky është një akt i rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët por edhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë. “Miratimi nga parlamenti në Shkup i ligjit të gjuhës shqipe një arritje historike për shqiptarët që demokratizon e forcon vetë Maqedoninë”, shkruan kryeministri Edi Rama në një postim të tijin në Facebook.

“Një arritje të rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë”, e konsideron vendimin e parlamentit maqedonas ministria e Jashtme shqiptare, sipas së cilës “miratimi i ligjit garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje, politikat zhvillimore dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, pa mure ndarëse, e të bazuar në vlerat europiane”. Ministria e Jashtme e Shqipërisë thekson më tej se “Miratimi i ligjit është një investim me rëndësi të veçantë për forcimin e demokracisë, respektit dhe mirëkuptimit ndëretnik.

Në të njëjtën kohë, ky akt është një gur themeli për një të ardhme më të mirë e më të sigurtë euroatlantike të fqinjit tonë, për çka shqiptarët në Maqedoni kanë qenë dhe janë mbështetës të palëkundur”. Vendimi është përshëndetur dhe nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili e cilëson atë si “një hap të rëndësishëm përpara në realizimin e statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë”. Zoti Basha nënvizon se ky hap është “një sukses i bashkërendimit dhe bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni”. Në një deklaratë të posaçme ai vlerëson dhe “qëndrimin e forcave politike maqedonase që mbështetën me votën e tyre këtë ligj”, duke shtuar se është “i bindur se kjo votë është një kontribut i rëndësishëm për bashkëjetesën etnike dhe konsolidimin e një shoqërie demokratike në Maqedoni”.