Golden Globe dhe fjalimi “presidencial” i Oprah Winfrey-t për diskriminimin (FOTO)

Publikuar më 09. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Në Golden Globe 2018 artistët vishen në të zeza për t’u solidarizuar me viktimat e ngacmimeve seksuale në Hollywood. Filmi që triumfoi këtë vit është “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri” i regjisorit Martin McDonagh

Një fjalim presidencial, Oprah Winfrey, e vlerësuar për karrierën në Golden Globes, prek dhe bind audiencën

Një fjalim kundër ngacmimeve seksuale: “Në horizont duket një ditë e re për të gjitha gratë, pasi asnjë nuk duhet të jetë më e detyruar të thotë: Mua gjithashtu”. Oprah Winfrey është vlerësuar me çmimin “Cecil.B”, Golden Globe për karrierën, i dhënë për herë të parë për një grua afroamerikane. “Në vitin 1964 isha e vogël, e ulur në dysheme po shikoja Anne Bancroft të shqiptonte ato pesë fjalë që do ndryshonin historinë: “Çmimi Oskar shkon për Sidney Poitier”. U shfaq njeriu më elegant që unë kisha parë ndonjëherë, nuk kisha parë asnjëherë të festohej për një njeri me ngjyrë. Çfarë do të thotë për një vajzë të vogël të shikoj këtë nga televizioni në një divan ekonomik, ndërsa mamaja hyn në shtëpi e rraskapitur pasi ka pastruar shtëpitë e të tjerëve? Sot është një privilegj i madh të jesh gruaja e parë më ngjyrë që merr këtë çmim, duke ditur se vajza të tjera të reja janë duke e parë nga televizioni këtë moment”.

“Në horizont është një ditë e re”

“Jam frymëzuar nga të gjitha gratë që kanë vendosur të flasin për historitë personale”, ka shtuar Oprah Winfrey. “Jemi mësuar të tregojmë historitë e të tjerëve, por kësaj here kemi treguar historinë tonë. Dua të shpreh mirënjohjen time për ata që, si ime më, kanë duruar vite abuzimesh, sepse kanë pasur fëmijë për të rritur, llogari për të shlyer, ëndrra për të realizuar. Më kujtohet Recy Taylor, një grua me ngjyrë që në 1944 u rrëmbye dhe përdhunua pasi doli nga kisha nga 6 burra të padënuar asnjëherë nga gjykata, përveçse vite më vonë.

Ajo vdiq pak muaj më vonë. Çdo burrë duhet të na dëgjojë”, përfundoi ajo, duke iu drejtuar më pas grave: “Në horizont duket ditë e re dhe kur agimi më në fund do të vijë, do të jetë falë grave të jashtëzakonshme, disa prej tyre në këtë sallë, dhe falë disa burrave fenomenal, që luftojnë shumë për t’u bërë liderët, që do të na çojnë drejt një kohe në të cilën askush nuk duhet të jetë më e detyruar të thotë: Mua mjithashtu”. ‘Standing Ovation’ në fund të fjalimit ishte më se i merituar.

Golden Globe 2018: tapeti i kuq vishet i gjithi “në të zezë” për të protestuar kundër ngacmimeve në Hollywood

Është tapeti i kuq më i “zi” i gjithë historisë së Golden Globe Awards 2018 (edicioni i 75 në Beverly Hilton Hotel të Beverly Hills). Yjet, janë veshur në të zezë për të protestuar kundër ngacmimeve seksuale në Hollywood. Bizhuteritë? Të zgjedhur me kujdes të lehtë, pa e tepruar, gjithmonë në shenjë proteste. Jo vetëm fustan të gjatë, por edhe aktore me kostume dhe ndonjëra me fund të shkurtër, si Alessandra Mastronardi dhe Halle Berry. Veshja e errët e paralajmëruar nga lëvizja “Time’s Up” u respektua. Kush kishte zgjedhur një look të një tjetër ngjyre, ndoshta muaj më parë, i është dashur të ndryshojë në minutën e fundit.

Të gjitha shumë elegante si diva të vërteta, pasi ashtu siç mendonte Coco Chanel e zeza është shik. Edhe meshkujt ishin veshur me smoking të zi, disa me këmishën e zezë dhe shaminë e zezë në xhep për të nënvizuar akoma më shumë solidaritetin për gratë që janë ngacmuar. Por sigurisht që ashtu si ndodh gjithmonë do të kishte përjashtime nga rregulli i kodit të veshjes. Disa kanë guxuar me detaje transparente apo kraharor të hapur, si Catherine Zeta-Jones, Sharon Stone dhe Kate Hudson. Nuk mungonin divat me pantallona apo me fund të shkurtër. Nuk mund të mos komentohej Angelina Jolie, shkruajnë mediet, që ishte padyshim ndër më të “mbuluarat”.

Lista e fituesve të Golden Globe 2018

Filmi që ka fituar më shumë çmime ishte “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”, ndërsa seria më e vlerësuar ishte “Big Little Lies”

Gjatë mbrëmjeve të së dielës dhe të hënën, 8 janar u zhvillua në Los Angeles ceremonia për dorëzimin e çmimeve Golden Globe Awards, ose të quajtur më thjeshtë Golden Globes. Janë ndër çmimet më të rëndësishëm amerikanë për televizionin dhe kinemanë dhe  dorëzohen çdo vit nga Hollywood Foreign Press Association, një shoqatë që mbledh gazetarët ndërkombëtarë që merren me kinema dhe televizion: fituesit vendosen në bazë të votave, që japin 90 prej tyre.

Midis filmave, ai që fitoi më shumë çmime ishte “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”, i cili u vlerësua edhe si Filmi më i Mirë dramatik: patën sukses edhe “Lady Bird” dhe “The Shape of water” ( i cili u nominua 7 herë dhe fitoi 2 çmime). Ndërsa seria më e vlerësuar ishte “Big Little Lies”: e cila mori katër çmime, përfshirë atë për Nicole Kidman dhe Laura Dern. Patën një vlerësim të mirë edhe “The Marvelous Mrs. Maisel” si dhe “The Handmaid’s Tale”.

Ceremonia u prezantua nga Seth Meyers, i cili ndër të tjera bëri disa batuta rreth Kevin Spacey dhe Harvey Weinstein.

Gary Oldman u vlerësua si aktori më i mirë protagonist për interpretimin e tij të Churchill në “Darkest Hour” dhe Guillermo Del Toro është vlerësuar për regjinë në “The shape of ëater”.

James Franco fiton çmimin si aktori më i mirë në një komedi për “The Disaster Artist”, ndërsa Allison Janney është aktorja më e mirë jo protagoniste për “I, Tonya”.

Gjermani “In the Fade” është filmi i huaj më i mirë. “Coco” është vlerësuar si filmi më i mirë i animuar. Alexandre Desplat çon në shtëpi statujën për kolonën zanore të “The shape of water” etj.

“Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”

Ebbing, Missouri. Mildred Hayes, mamaja e Angela-s, e cila është përdhunuar dhe vrarë, ndihet e zemëruar dhe e dëshpëruar për faktin se pas 7 muajsh kërkimesh ende nuk është kapur vrasësi i së bijës. Duke përdorur kursimet ajo i jep zë dhimbjes së saj, duke përdorur tre postera me mesazhe mjaft të drejtpërdrejtë, për të nxitur policinë të hetojë siç duhet dhe të ndëshkojë fajtorin.

Këta postera do të shkaktojnë reagime jo vetëm në trupën e policisë, por edhe tek shumë qytetarë të tjerë. Situata komplikohet kur agjenti Dixon, një djalosh i pamatur dhe i llastuar ndërhyn, mes gruas dhe forcave të rendit në Ebbing. Mirëpo Mildred, nuk ka aspak ndërmend të heq dorë, dhe është e gatshme për çdo gjë që të vendos drejtësinë në vend.