Dështimi i konferencës së OBT-së dhe mungesa e Shqipërisë

Nga Riva Goga

Punimet e shumëpritura të Konferencës ministeriale të OBT, ose sic quhet MC11, e cila mbahet si rregull në muajin dhjetor në çdo dy vjet, u zhvilluan ne Buenos Aires në 11-14 dhjetor 2017. Konferenca përfundoi pa marrë vendime kryesore në asnjë nga çështjet në të cilat delegacionet e vendeve anëtare kanë negociuar vecanërisht gjatë gjysmës së dytë të vitit 2017. Dhe, më e rëndësishmja, Konferenca nuk arriti të miratoi asnjë program pune konkret për të ardhmen e negociatave të tregtisë shumëpalëshe. Në këtë këndvështrim, nga shumë analistë dhe profesionistë, MC11 konsiderohet si një dështim. Nga ana tjetër, është dhe një grup analistësh përfshirë përfaqësues të delegacioneve nga shtetet me peshë në Sistemin e Tregtisë Ndërkombëtare, të cilët do ti konsideronin përfundimet e Konferencës (përfshirë disa vendime në formë angazhimesh) tërësisht të pranueshme dhe si zhvillim pozitiv. Nga kjo pikëpamje, mbështetësit e kësaj linje arsyetojnë se “marrëveshjet e arritura, sapo të dobëta, janë më shumë se asnjë marrëveshje….”, pasi ato shërbejnë si bazë për zhvillimin e negociatave të ardhshme për fushat e trajtuara si subvencionet në peshkim, ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, tregtia në shërbimet elektronike (e-Commerce); Tregtia dhe pronësia intelektuale, apo angazhimet në sektorët në delikat si tregtimi i produkteve bujqësore në tre shtyllat e saj; Mbështetja/subvencionimi në tregun e brendshëm, konkurrenca në eksport dhe aksesi në tregjet ndërkombëtare, etj.

Këto dy pozicione të ndryshme ose, më mirë të themi, të kundërta, tregojnë se OBT po përballet me një krizë të ekzistenës së saj, gjë që është manifestuar dukshëm në mungesën e arritjeve konkrete të MC11. Madje, disa analistë të tjerë, vijnë në përfundimin se MC11 ka qënë vijim i krizës së OBT filluar sidomos me MC10 në Nairobi. Por, në një këndvështrim më të gjerë, të gjitha vendet anëtare si dhe aktorë të rëndësishëm globale të fushën së ekonomisë dhe tregtisë pranojnë se situata kërkon një angazhim të menjëhershëm dhe strategji të re. Kjo, pasi Sistemi ndërkombëtar nuk mund të reduktojë, apo më keq akoma, të eleminojë një Forum kaq të rëndësishëm si OBT, e cila është chapeau e vetme që merret me formulimin e rregullave dhe normave të tregtisë ndërkombëtare. Megjithë dobësitë e veta në arritjen e rezultateve konkrete, OBT mbetet organizata në të cilin çdo vend, të paktën në parim, ka lirinë e tij të shprehë shqetësimet e veta për sistemin e tregtisë ndërkombëtare, për marrëveshjet që negociohen ndër vite dhe ku, shumica e vendeve në zhvillim e kanë përdorur suksesshëm OBT për të ngritur çështjet dhe shqetësimet e tyre në mënyrë të përbashkët (edhe në formatin e grupeve të tyre përfaqësuese në OBT).

Roli i vendeve në zhvillim

Për miratimin e çdo dokumenti/marrëveshje, OBT ka si parim bazë atë të konsensusit. Konstatohet se gjatë negociatave para dhe pas konferencave ministerialeve janë vendet në zhvillim ato që shtrojnë për diskutim dhe  kërkojnë koncesione  tarifore dhe jo-tarifore nga vendet e zhvilluara. Në këtë këndvështrim, për rastin e mossuksesit të MC11 mund të ngrihet edhe pyetja: A ka përbërë shkak kryesor pozicioni dhe vullneti kolektiv i këtyre vendeve që MC11 nuk arriti dot rezultatet e pritshme? Përgjigja e kësaj pyetje pjesërisht gjendet në vëzhgimin e procesit të negociatave para fillimit të punimeve të MC11. Në ato negociata, një grup i vogël i vendeve, jo më shumë se një e pesta e vendeve anëtare të OBT, kanë kërkuar me insistim përfshirjen në axhendën e konferencës çështje si e-Commerce dhe atë të regjimit të Investimeve. Nga ana tjetër, çështjet lidhur me tregtinë dhe zhvillimin,  veçanërisht ajo për “Public Stockholding” (për sigurinë ushqimore) si dhe kërkesat e vendeve në zhvillim  (për më shumë akses në tregjet ndërkombëtare të mallrave dhe shërbimeve), nuk kanë marrë prioritetin dhe rëndësinë që pritej mbështetur edhe në vendimet e MC10.

Negociatat dhe diskutimet mbi e-Commerce kanë patur për qëllim lirimin e të gjitha transaksioneve nga detyrimet doganore, duke përdorur internetin, gjë që efektivisht do të thotë se kjo lloj tregtie do të ishte një mjet efikas në liberalizimin e mëtejshëm të tregtisë. Sipas mbështetësve të këtij propozimi, ky element mund të përdoret edhe nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME-të), për të hyrë në tregjet ndërkombëtare. Por ata nuk theksuan se infrastruktura digjitale në shumicën e vendeve në zhvillim është e papërshtatshme për të thithur këtë lloj tregtie dhe se SME-të në ato vende vështirë se disponojnë platformën digjitale adekuate.

Në këtë kuptim, propozimi në favor të e-Commerce në fakt do të konsolidonte pozitat dominuese të kompanive si “Amazon” apo “Alibaba”, të cilët pastaj do të shfrytëzonin edhe SME-të e instaluara në vendet në zhvillim  për të përforcuar pozitën e tyre në tregun ndërkombëtar. Edhe propozimi tjetër, për regjimin e investimeve kishte për qëllim t’u ofronte mundësi më të mëdha korporatave trans-nacionale në ndërkombëtarëzimin e tregjeve ku vendet në zhvillim duhet të investojnë në vendosjen e sistemeve adekuate për të lehtësuar investimet e korportatat në ekonomitë e këtyre vendeve. Kështu që, pamundësia e MC11 për të ofruar një platformë mbi këto propozime edhe mund të pritej, të paktën tani për tani kur nuk janë qartësuar përfitimet e vendeve në zhvillim që duhet të marrin në këmbim të lëshmimeve që do të bënin. Ndoshta këto do të jenë në axhendën e MC12.

Në favor të kësaj analize është edhe pozicioni i Indisë: Mbrojtja e çështjes së sigurisë ushqimore (Public Stockholding) ka filluar me MC10 kur në një “marrëveshje të minutës së fundit (last minute agrëment) nga ana e ketij vendi u bë e mundur vendimarrja në atë Konferencë. Rregullat ekzistuese të OBT-së nuk u lejojnë vendeve të subvencionojnë programet e sigurisë së ushqimit të cilat janë të bazuara në rezerva publike, përtej limitit të përcaktuar nga marrëveshja për produktet Bujqësore. Duke filluar me MC9, India ka arritur të negociojë një klauzolë, e cila u lejonte vendeve anëtare një lloj subvencionimi deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme, afati për të cilën ka qënë MC11. Kjo nuk është arritur dhe se parashikohet që vendet anëtare të OBT-së nuk do të përballen me/kundër delegacionit të Indisë, për të mos shkelur rregullat e vendosur në marrëveshjen për produktet bujqësore.

Roli dhe poicioni i SHBA-ve

Që prej një viti, SHBA nuk ka akoma përfaqësim diplomatik në nivel ambasadori në OBT dhe se angazhimi i delegacionit të këtij vendi kryesor në negociatat për MC11 ka qënë relativisht jo shumë angazhuese. Ka patur disa zhvillime në OBT që tregojnë këtë pozicion të SHBA: E para, përmendet situata e paprecedentë e “Appellate Body” (Organi prej 7 anëtarësh që zgjidh konfliktet tregtare në këtë organizatë) ku, kundërshtimi amerikan për rinovimin e dy vendeve vakante si dhe një të tretë, mandati i të cilit përfundoi në dhjetor 2017, ka sjellë gati pezullim të funksionimit të këtij organi themelor të OBT. E dyta, përmendet deklarimi i delegacionit amerikan përgjatë negociatave para Konferencës se “kërkohet reformim i OBT…organizata nuk është e vetme që merret me tregtinë ndërkombëtare…”. Së treti, qëndrimi kategorikisht kundër iniciativës së Indisë dhe Afrikës së Jugut mbështetur nga vendet në zhvillim, për mospërfshirjen në Deklaratën ministeriale të “çështjeve të pazgjidhura të Axhendës së Konferencës së OBT në Doha në 2001 (ose sic njihet DDA).

Përvec këtyre pozicioneve/qëndrimeve,  delegacioni amerikan gjatë MC11 ka qënë dukshëm në pozicion të tërhequr. Të gjitha këto tregojnë nga njëra anë se mossuksesi i MC11 nuk mund të justifikohet vetëm me faktin se “vështirësitë për një gjuhë kompromisi në OBT janë të zakonshme…negociatat zgjasin me vite dhe dekada..”. MC11 i janë shtuar vështirësi shtesë, si pozicionimi i vendeve në zhvillim dhe pamundesia për koncesione nga ato vende dhe nga vendet e zhvilluara, por edhe nga roli i delegacionit të SHBA që mbetet vendimtar në ecurinë e negociatave për një seri marrëveshjes të organizatës.

Shqipëria në MC11

Ashtu siç ka ndodhur edhe në Konferencat e mëparshme ministeriale, Shqipëria nuk është përfaqësuar edhe në MC11 me asnjë delegacion, ndërkohë që mbetet kontribues i rregullt financiar, për pagesën e kuotës së caktuar të saj vjetore. Mospërfaqësimi në këtë Konferencë ka treguar se Shqipëria është shkëputur edhe nga vendet e rajonit si p.sh. Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilët janë përfaqësuar në Buenos Aires me delegacione të nivelit të lartë. Megjithëse jo pjesëmarrës në këtë Konferencë, Shqipëria nëpërmjet Misionit të saj Përmanent në Gjenevë ka mundur të japë një kontribut modest nëpërmjet bashkimit me disa Draft-Tekste propozimesh si dhe Draft-Deklaratash, përfshirë Deklaratën ministeriale të Konferencës që, gjithsesi, është shumë pak për një vend anëtar të OBT-së.

Të tjera

Abissnet