Alketa Xhafa: Dhurata ime për shqiptarët, një “thes i artë” me dosje të Sigurimit (FOTO)

Publikuar më 25. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Alketa Xhafa Mripa ekspozon në “Onufri i XXIII” në Galerinë Kombëtare të Arteve dy veprat “Në emër të babës” dhe “Dhurata e artë”. Sipas saj, viti 2018 është viti që të hapen dosjet, në mënyrë që të lehtësohet ai brez, që ende nuk di të vërtetën për vuajtjet që ka kaluar

Çdo kujtim që ruan nga fëmijëria lidhet me artin. Ngjyrat dhe pluhurat kanë qenë pjesë e pandarë e kujtimeve, që sot i sjellin pranë babanë e saj, artistin Xhevdet Xhafa, i cili ekspozoi në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Kësaj here, ajo vjen vet në ekspozitën ndërkombëtare “Onufri XXIII” në GKA. Bëhet fjalë për Alketa Xhafa Mripa, e cila për temën e këtij “Onufri”, “Kujtesë kolektive, kujtesë personale” ka ardhur nga Londra dhe prezantohet me dy vepra; “Në emër të babës” (video) dhe “Dhurata e artë” (instalacion). Në një intervistë për gazetën “Shekulli” Alketa Xhafa rrëfen, për lidhjen e saj me babanë, si artist dhe prind, por edhe se përse ka vendosur që të bëjë për dhuratë, shqiptarëve një “thes” të artë, që brenda mban dosje të ish-Sigurimit të Shtetit.

Alketa, vjen në ekspozitën ndërkombëtare “Onufri i XXIII-të”,  me dy vepra, “Në emër të babës” (video) dhe “Dhurata e artë” (instalacion). Por, si ka lindur ideja për të realizuar veprën dedikuar babait, ku to shfaqesh duke e larë, kur babai është ende në jetë?

Është e vërtetë. Nuk e di nëse vazhdon të ekzistojë ende tradita, që prindi kur nga jeta duhet të lahet para se të përcillet në banesën e fundit. Por, unë jam fëmija i vogël dhe babi më ka larë e pastruar, unë e kam ndjerë njomësinë, kur më ka prekur. Prandaj këtu, duke u plakur babai e duke u rritur unë, edhe duke e parë se dita-ditës ai po plaket më shumë, doja që t’ia ktheja të gjithë atë ushqim shpirtëror dhe emocional, që ai ma ka dhënë mua kur kam qenë fëmijë. Doja të bëja njëjtën gjë, vetëm rolet kanë ndryshuar, sepse unë tani jam më e fuqishme dhe trupi i tij është i brishtë. Nuk doja që ta lija, largqoftë, derisa ajo të ndodhte, por desha ta bëja që ta gëzonte këtë ndjesi në jetë, duke ia ditur për nderë. Tashmë që trupi i tij nuk ka më forcë për të bërë atë që ka mundur dikur është thjesht një ushtrim shpirtëror.

Fëmijëria, pranë prindërve tuaj, veçmas pranë babait Xhevdet Xhafa, i cili për ne është artist i njohur, si ju kujtohet?

Unë jam rritur me art. Kur të gjithë bënin pyetjen: çfarë do të bëhesh kur të rritesh? Për mua nuk ka pasur zgjedhje tjetër, për arsye se unë vetëm atë botë kam njohur dhe besoja në të. Jam rritur me ngjyra, me lecka edhe me pluhura, por origjinaliteti im, gjithçka që ka qenë brenda meje ka dalë në pah vetëm kur kam përfunduar fakultetin. Në familje jemi tre artistë, Sisi (Sislej Xhafa, vëllai) dhe babi, por që të tre jemi të ndryshëm.

Sa kritikë ka qenë babai ndaj artit tuaj?

Përherë babi na porosiste të ishim sa më mendjemprehtë, sa më origjinal, mos të këqyrnim literaturë përmendsh edhe mos të influencoheshim, por duhet që të vlerësonim atë që donim. Gjithçka ka lindur nga babi, prandaj çdo gjë ia kam borxh atij. Mbase, sepse kam qenë edhe më e vogla, por edhe se e di që është munduar shumë, si prind.

Babi asnjëherë nuk ka ndodhur, që të më thotë: Mos e bëj diçka. Thjesht ne i tregojmë njëri-tjetrit, që po bëj diçka, kur është në përfundim.

Po, roli i nënës në një familje artistësh, cili është?

Nëna për ne është zemra e shtëpisë. Tani që unë nuk jam në Londër, fëmijët i këqyrë nëna ime. Me babanë kemi kaluar shumë kohë, kemi vrapuar shumë, sepse është dhe atlet i zoti, e prej tij kam njohur një botë ndryshe. Janë dy dashuri, që nuk dëshiron të largohen asnjëherë, por, që dëshiron t’i kesh me vete sa herë.

Vepra për kujtesën kolektive “Thesari i artë”, është një dhuratë për shqiptarët…

“Thesi i artë” mban brenda dosje dhe është një vepër me të cilën unë tregoj, se si unë e kam parë Shqipërinë, por pa e ditur se çfarë ka brenda. Ne njihnim vetëm fasadën e jashtme të saj. Në vitin 2005 kam mësuar më shumë, nga shoqet që kam nga Malësia në Londër, të cilat më kanë treguar se si i kanë humbur të afërmit gjatë periudhës së realizimit socialist. Prandaj kjo është një dhuratë, që po ia bëj Shqipërisë, që viti 2018 le të jetë viti, që hapen këto dosje.

Mendoni se hapja e dosjeve do të ndikonte pozitivisht te njerëzit?

Nuk mendoj aq shumë, por të paktën mendoj se te viktimat do të ndikonte pozitivisht. Mendoj se ata nuk mund të udhëheqin më, se nuk kanë fuqi, por mendoj se gradualisht duhet që këto dosje të hapen dhe të jenë një farë lehtësimi për ta. Është një realitet i hidhur, që duhet të mësohet. Janë 44 vite, një gjeneratë e humbur, që ka lindur në burgje nuk njohin të shkuarën e tyre. Nuk dinë se nga kush edhe përse kanë bërë burg. Është një ndërgjegjësim për një gjë që nuk po mësohet as në shkolla, është një copë e historisë që është fshirë dhe duhet njohur. Arti im është zëri im që bashkohet me ta. Këtë vepër se kam bërë pa folur me njerëzit, sepse e di që është një plagë shumë e rëndë, por duke folur e duke më thënë ata: PO. Mbase është shumë pak, por për ata është diçka e madhe. Kanë 27 vite që presin!

Në Londër fillimisht shkuat për studime, ndërkohë që jetën tuaj tashmë e keni ndërtuar atje. Si i kujtoni fillimet?

Në vitin 1997 kam shkuar që të studioj, sepse motrat ishin atje. Qëllimi i vetëm ka qenë që të studioj për art edhe të kthehesha sërish në Kosovë, por në vitin 1998-’99 nisi lufta në vendin tim edhe unë nuk munda që të kthehem më mbrapa.

Një vëmendje të veçantë në artin tuaj u keni kushtuar grave të dhunuara nga lufta edhe jo vetëm. Nga se jeni ndikuar kur gjatë asaj periudhe nuk keni qenë në Kosovë?

Ndikohemi thjesht nga jeta e përditshme, nga padrejtësitë, që mua më irritojnë edhe më bëjnë që të pyes veten: Pse? Ndoshta në vend të fjalës, që duhet të them, këtë e bëj me art, armën time më të fortë. Ideja e projektit “Mendoj për ty” lindi nga rrëfimet që kam dëgjuar pas lufte, për dhunime, keqtrajtime etj. Aktivistët kanë folur shumë për ketë e kam parë dhe një dokumentar shumë të thjeshtë, në të cilin një femër qëndronte mbrapa perdes, duke folura treguar identitetin e saj. Nga kjo kam parë, sesa keq jemi trajtuar. Edhe kur veteranët po gëzonin për fitoren ne mbetëm, si “delja e zezë e familjes”, e gjithë barra ra mbi ne, sikur ishim ne fajtoret për atë çka ndodhi.

Çfarë do të dëshironit, që të ndryshonte nëpërmjet artit tuaj?

Në atë moment kam menduar: Ne dy herë e kemi përjetuar luftën, njëherë gjatë luftës edhe pastaj nga shoqëria. Për këtë nisa të mendoj se si mund të bëja që shoqëria të vetëndërgjegjësohej. Shumë thjesht fundet edhe fustanet simbolizonin femrën, ndërsa duke i varur në stadium (hapësirë për meshkuj), doja që të tregoja se ne jemi të pastra edhe gjithçka që ka ndodhur nuk ka qenë për fajin tonë.

Kur kthehesh në Kosovë, si e gjen?

Jam tërë kohës në Kosovë edhe në Londër të thënë të drejtën. Ajo që më pëlqen në Kosovë është rinia, sepse është shumë praktike dhe e zgjuar. Ndërsa, varfëria ende po mbizotëron, sepse nuk ka më klasë mesatare, si dikur, mendoj se si shtet i vogël, që ka pak kohë që është krijuar është mirë. Hapësira për art ka më shumë.

Por, këtë periudhë keni ardhur shpesh në Shqipëri?

Shqipëria për mua, qysh e vogël ka qenë një vend ku është folur shqip, ku është ngritur flamuri shqiptar, ka qenë një thesar, për të cilën ne ia bënim: “Ah një ditë”. Hera e parë që kam ardhur ka qenë në vitin 2005, e nuk jam ndarë më, sepse ka qenë një vend që e kam ndierë përherë. Janë ndjenja personale, që i mbaj mend që fëmijë, kur gëzoheshim që dëgjonim shqip në radio.

“Shhhh edhe muret kanë veshë”, në të gjithë Shqipërinë

Për dy muaj gjatë vitit 2018, Alketa Xhafa Mripa, do të mbledh rrëfimet e ish-të persekutuarëve edhe jo vetëm në mbarë territorin e Shqipërisë. Kujtimet e tyre, do të bëhen pjesë e një vepre arti, e cila jo vetëm do të prezantohet në qytetet përkatëse, si në Shkodër, Elbasan, Vlorë etj., por është premtuar, që të këto rrëfime në të ardhmen të bëhen pjesë e një muzeu, dedikuar periudhës së diktaturës në Shqipëri.

Gjithçka që do të mbetet nga këto rrëfime dhe që do të projektohet në instalacionin “”Shshsh edhe muret kanë vesh” janë shprehje, si: “Bëj që policët mos t’i gjejnë poezitë e mia” (Visar Zhiti), “Po ku ishe o Zot?” (Sherif Merdani”, “Rrno për me tregue” (At Zef Pllumi) etj.

Për këtë jeni duke punuar për një vepër madhore, “Shhhh edh muret kanë vesh” në të gjithë Shqipërinë?

Është një projekt shumë i madh, që nis në shkurt 2018 edhe përfundon në maj, kur do të prezantohet instalacioni: “Edhe muret kanë vesh”. Instalacioni do të ekspozohet në Tiranë, Korçë, Elbasan, Durrës, Gjirokastër, Vlorë, Berat etj. Gjatë gjithë natës në të njëjtën orë do të ndriçohet e gjithë Shqipëria. Kjo është si një përgjigje edhe për kohën e komunizmit, për kohën kur njerëzit frikësoheshin dhe kur i pyeste dikush thoshin: “Shhhh, mos fol, se edhe muret kanë vesh”.

Në të gjithë Shqipërinë njerëzit që në atë kohë nuk kanë mundur të flasin, do të rrëfejnë historitë e tyre. Kjo gjë mbështetet nga autoritetet edhe qendrat studentore. Për dy muaj do të realizohet dhe në fund prej saj do të dalin thëniet: “Nuk kam qenë terroriste, por kam qenë revolucioniste”, “Bëj që policët mos t’i gjejnë poezitë e mia” (Visar Zhiti), “Po ku ishe o Zot?” (Sherif Merdani”, “Rrno për me tregue” (At Zef Pllumi) etj.

Marrëdhënia jote vëlla e motër me Sislejn, si është?

Unë Sisin e dua shumë, por ne nuk flasim shumë për atë. Vetëm kur përfundon një projekt i tregojmë njëri-tjetrit që përfundoi. Flasim për fëmijët dhe prindit. Edhe më bëhet zemra mal kur dëgjoj për arritjet e tij, sepse ai është larguar shumë herët nga Kosova. Çdo gjë e ka filluar vetëm në Itali, se nuk ishte qenë në Kosovë. Mendoj se dashuria që na ka dhënë babai është baza e gjithçkaje, jam e sigurt që ka ndikuar shumë kjo tek ai, i cili më shumë se çdokush prek me veprat e tij realitetet sociale-ekonomike, politike etj.

Dhe së fundmi, çfarë pret nga ekspozita ndërkombëtare “Onufri i XXIII”?

Ekspozita ndërkombëtare “Onufi” është folur në shtëpinë tonë, por unë nuk e dija se ishte një çmim, nuk e kam ditur se çfarë ka ndodhur më herët, por nuk kam pasur dëshirë të hyj për çmim.

Por të them të vërtetën kam parë në këtë ekspozitë, se çdo vepër ka qenë origjinalitet i çdo artisti, që janë bërë bashkë si një pazëll. Janë disa artistë të Shqipërisë, që jetojnë jashtë vendit edhe unë nuk kisha dëgjuar për ta dhe mbase kjo ekspozitë, është një ogur i mirë që të krijojmë bashkëpunime në të ardhmen.

Hapësira që ka një vepër nga një tjetër është një gjë shumë e mirë, sepse një vepër merr fyemë nga tjetra edhe kujtesa është shumë e gjerë. Vepra që unë i dedikoj kujtesës personale shndërrohet në kolektive, sepse ka pasur njerëz që e shikojnë këtë vepër thonë: “Eh pse nuk e kam bërë edhe unë me prindin tim”.