Valbona Zeneli: Për prosperitet ekonomik, luftë kundër korrupsionit dhe një sistem gjyqësor të pavarur

Foto 1 nga 2 Pas Para

Nga Valeria Dedaj

Valbona Zeneli, pedagoge pranë Qendrës Marshall, pas promovimit të librit “Në opinionin tim” ku trajton çështje të sigurisë europiane, tregtisë dhe Ballkanit Perëndimor vjen në një rrëfim ndryshe. Ajo ndalet jo vetëm tek çështje të mprehta për vendin tonë, si emigrimi, prosperiteti ekonomik dhe sistemi gjyqësor, por edhe te jeta e saj personale

Ajo është aktualisht e vetmja pedagoge shqiptare për Studimet e Sigurisë Kombëtare në Qendrën Marshall, ku Valbona Zeneli punon si drejtoreshë e Programit të Detit të Zi dhe Euroazisë pjesëmarrësit nga Ballkani e konsiderojnë, si përfaqësuese të denjë për të gjithë rajonin, jo vetëm për Shqipërinë. Pas promovimit të librit “Në opinionin tim…Vëzhgime mbi çështje të sigurisë evropiane, tregtisë ndërkombëtare dhe Ballkanit Perëndimor” (Uetpress), autorja Zeneli në një intervistë për gazetën “Shekulli” ndalet në disa prej çështjeve, që prekin Shqipërinë dhe jo vetëm.

Largimi i trurit është një temë, të cilën autorja e ka analizuar në libër, megjithatë shprehet se është një problem, që duhet adresuar seriozisht, si një nga sfidat më të mëdha për të ardhmen e rajonit. Zeneli rendit mundësitë, që ekzistojnë për “thithjen e trurit” nëse qeveritë e rajonit përqendrohen tek forcimi i institucioneve edhe promovimi i “thithjes së trurit” përmes politikave edhe strategjive të fokusuara. Teksa e konsideron varfërinë, si sfidën kryesore të Ballkanit mendon se, prosperiteti ekonomik mund të arrihet vetëm nëse do të ketë një shtet të së drejtës të barabartë për të gjithë, do të luftohet korrupsioni edhe nëse do të ketë një sistem gjyqësor të drejtë edhe të pavarur.

Zonja Zeneli, sapo keni botuar librin “Në opinionin tim, çështje të sigurisë evropiane, tregtisë dhe Ballkanit Perëndimor”. Në të ndalni te fakti, se politikëbërësit në Ballkanin Perëndimor shpesh ankohen se truri largohet. Çfarë mund të na thoni për këtë situatë në Shqipëri?

Pjesa e parë e librit, mbi Ballkanin Perëndimor enkas fillon me artikujt mbi largimin e trurit, pasi mendoj që ky është një problem që duhet adresuar seriozisht, dhe është një nga sfidat më të mëdha të rajonit për të ardhmen. Tre vende të rajonit tonë, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, dhe Maqedonia zënë vendet e para në renditjen botërore në mes vendeve në të cilat më shumë se 1/5 e popullsisë ka emigruar gjatë 20 viteve të fundit. Në rastin e Shqipërisë është 28% e popullsisë është larguar gjatë periudhës së tranzicionit. Më problematik është fakti se shumica e të larguarve janë të rinjtë, relativisht të kualifikuar dhe emigracioni duket të jetë i përhershëm. Kur dallimet midis të ardhurave, cilësisë institucionale, dhe oportuniteteve të ofruara midis vendeve të rajonit dhe vendeve perëndimore janë ende shumë të larta, sigurisht faktorët shtytës dhe tërheqës të emigracionit do të jenë të fortë.

Për të thënë të vërtetën, deri tani duket se emigracioni ka qenë i dobishëm për ekonomitë e vendeve të rajonit, përmes peshës së remitancave, dërgesave të emigrantëve, të cilat në mesatare përbëjnë ende 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Rajonit, dhe në raste si Kosova arrijnë deri në 17%. Por kjo situatë nuk mund të vazhdojë në pafundësi. Në perspektivë afatgjatë largimi i të rinjve nga Ballkani Perëndimor zvogëlon aktivitetet dhe konkurrueshmërinë e sektorit privat dhe ul stokun e kapitalit njerëzor, i cili është faktori kyç në rritjen ekonomike në ditët e sotme. Nga ana tjetër, të rinjtë janë ai segment i popullsisë që forcojnë demokracinë, rrisin kërkesat për transparencë, apo llogaridhënie.

Por, nëse do të ekzistonin politikat e duhura të “thithjes së trurit”, emigracioni mund të shihej si mundësi pozitive për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Emigracioni i kualifikuar mund të shihej si një investim që mund të riimportohej në vendin e origjinës me aftësi dhe njohuri të reja, shumë të dobishme për zhvillimin. Ky quhet emigracion qarkullues, që mund të kishte impakt transformues për rajonin, duke u parë si një nxitje për të reformuar qeveritë, strukturat politike dhe ato ekonomike.

Çfarë duhet bërë që njerëzit mos të largohen nga Shqipëria?

Në logjikën e përgjigjes së mësipërme, dy janë hapat që do të çonin në përmirësimin e situatës. Fatmirësisht jetojmë në një botë demokratike ku është e pamundur që të rinjtë të pengohen me forcë që të largohen nga vendet e tyre. Por debati i emigracionit qarkullues nuk zhvillohet mjaftueshëm në rajon. Qeveritë e rajonit duhet të përqendrohen tek:

– forcimi i institucioneve, lufta kundër korrupsionit, dhe krijimi i politikave ekonomike për të krijuar mjedisin që qytetarëve t’u ofrohen oportunitetet në vendet e tyre.

– promovimi i “thithjes se trurit” përmes politikave dhe strategjive të fokusuara, dhe jo thjesht me “thirrje mediatike”.

Vendet e Ballkanit janë të paktën një dekadë vonë për të nisur reforma të qëndrueshme. A mund të na thoni, se cilat janë ato reforma, që në Shqipëri duhet nisur pa pasur dëme edhe më serioze, apo pa kaluar edhe një dekadë tjetër?

Vendet e Ballkanit i kanë filluar reformat e vërteta politike dhe ekonomike në fillim të viteve 2000. Edhe Shqipëria, i vetmi vend, i cili fatmirësisht nuk ishte prekur nga konfliktet e gjakshme të rajonit tonë, pësoi krizën e saj të madhe ekonomike në vitin 1997. Pra transformimi i vërtetë i rajonit filloi në vitet 2000, dhe kjo u shoqërua edhe me prospektivën e qartë të integrimit në Bashkimin Europian, që u ofrua në vitin 2003 në Samitin e Selanikut. Reformat janë ato institucionale dhe ekonomike, të cilat janë fort të ndërlidhura. Pa një shtet të së drejtës të barabartë për të gjithë, pa luftë kundër korrupsionit, pa një sistem gjyqësor të drejtë e të pavarur, pa administratë eficente nuk mund të ketë prosperitet ekonomik. Dhe unë mendoj se varfëria është sfida kryesore e Ballkanit Perëndimor.

Ka kaluar koha kur investitorët e huaj tërhiqeshin nga Ballkani për çmimet e lira të privatizimeve dhe krahut të lirë të punës. Nëse vërtet kërkojmë të tërheqim investitorë seriozë, që do të sjellin rritje ekonomike të qëndrueshme, hapi i parë është krijimi i ambientit miqësor dhe të drejtë të biznesit.

Perspektiva që vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen BE- së po venitet. Mendoni se kjo do të ndodhë edhe me shqiptarët, nëse nuk hapet bisedimet konkrete gjatë 2018-ës për anëtarësim në BE?

Perceptimet e popullsisë së Ballkanit Perëndimor në lidhje me optimizmin e integrimit në Bashkimin Europian janë venitur në shumë vende të rajonit, dhe kjo është diçka që duhet adresuar seriozisht, si nga institucionet e BE-së dhe nga qeveritë e rajonit. Sipas të dhënave, të fundit të Balkan Barometer, vetëm 39% e njerëzve në rajon mendojnë se anëtarësimi në BE është një gjë e mirë, ndërsa 36% kanë një opinion neutral. Shqipëria dhe Kosova bëjnë përjashtim, ku më tepër 70% e popullsisë besojnë në integrim.

Problemi më i madh është se vihet re edhe një formë e gabuar nostalgjie për të kaluarën komuniste, në krahasim me sfidat e mëdha të së tashmes që njerëzit po ndeshen përditë. Unë nuk mendoj se për problemet e shumta dhe tranzicionin e pafundmë të vendeve të Ballkanit duhet fajësuar BE-ja. Problemi qëndron brenda rajonit, tek mungesa e vizionit për të ardhmen, apo tek interesat personale, të cilat tejkalojnë dëshirën për të mirat publike. Bashkimi Europian duhet të mbetet fuqia kryesore e ankorimit në rajon, dhe është shumë e rëndësishme që të mbajë gjallë forcën tërheqëse. Janë të nevojshme strategji te mirëfokusuara komunikimi me publikun e gjerë. Të mos harrojmë se aktorë të tjerë do të ishin shumë të interesuar të përfitonin nga çfarëdolloj vakumi pushteti që mund të krijohet në rajon, apo dobësi institucionale për të forcuar prezencën e tyre, ekonomike apo politike.

Nëse BE nuk vjen në Ballkan, të rinjtë e rajonit do të shkojnë në vendet e BE-së

Mendoni se anëtarësimi në BE mund të pakësojë numrin e emigrantëve, veçmas të rinjve të formuar?

Unë nuk mendoj se anëtarësimi në BE do të zgjidhte me magji problemet e rajonit. Por rruga e integrimit për në BE, reformat e ndërmarra në këtë proces do të krijonin kushtet për një rajon me standarde më të larta, ekonomike dhe institucionale. Me të ardhura mesatare për frymë në rajon prej vetëm 4,936 dollarë në vitin 2016 (me çmimet aktuale), sipas të dhënave të FMN-së, vetëm 14% të të ardhurave mesatare për frymë të vendeve të BE-së (të cilat janë mesatarisht 34,860 dollarë), tërheqja e vendeve të BE-së për njerëzit që jetojnë në Ballkanin Perëndimor është e dukshme. Sipas Balkan Barometer, për njerëzit në rajonin tonë, BE do të thotë liri për të udhëtuar për 31%, liri për të punuar dhe studiuar në vendet e BE-së, 32% dhe prosperitet ekonomik për 30%. Një gjë është e qartë, nëse BE nuk vjen në Ballkan jo vetëm institucionalisht, por edhe nga ndryshimi i mentalitetit, sigurisht të rinjtë e rajonit do të shkojnë në vendet e BE-së. Lëvizja e lirë e qytetarëve është një element kyç i të drejtave dhe lirive brenda unionit.

Ju shkruani se, duke adoptuar një perspektivë ndërkombëtare të marketingut, vendet e EJL duhet të bëjnë zgjedhjet e duhura në lidhje me katër shtyllat kritike, të cilat udhëheqin suksesin e globalizimit. Ato janë konkurrenca, rreziku, fitimi dhe mbajtja e pronësisë. Në secilën nga këto shtylla, ku është Shqipëria?

Është e vërtetë, kam shkruar disa artikuj në lidhje me marketingun ndërkombëtar të rajonit tonë së bashku me profesor Michael Czinkota, i cili është guri i kësaj shkence, por ka edhe eksperiencë të madhe pune në praktike, duke qenë më ka mbajtur pozicionin e asistent sekretarit të tregtisë në SHBA. Problemi kryesor është se shkenca e marketingut ndërkombëtar është tërësisht e anashkaluar dhe e pakuptuar në vendet e rajonit. Marketing nuk do të thotë reklamë, ajo është faza e fundit. Fillimisht do të thotë kuptim tregu.

Një rol të rëndësishëm në Europën Qendrore dhe Lindore po luan edhe Kina. Vendin kryesor për investimet e Kinës e zë Serbia. Po vëmendjen e këtij shtetit (Kinës) ndaj Shqipërinë si e vlerësoni? 

Siç ju e shprehet në pyetjen tuaj vendin kryesor në marrëdhëniet e Kinës me Ballkanin e zë Serbia, si partneri i saj strategjik në rajon, por edhe një nyje kyçe për rrjetet e transportit dhe të logjistikës së produkteve kineze drejt tregjeve të Bashkimit Europian.

Lufta dhe parandalimi i korrupsionit kërkon pjesëmarrjen dhe angazhimin e të gjithë shoqërisë. Sistemet e mirëmenaxhimit publik, një sistem gjyqësor i pavarur, dhe një shoqëri civile vigjilente janë thelbi i çdo strategjie kundër korrupsionit. Këto janë objektiva që nuk mund të arrihen brenda natës. Por çfarë mund të thoni përsa i përket ëndrrës së shqiptarëve për të pasur një sistem gjyqësor të pavarur, kur ne ende jemi duke folur për reformë në drejtësi. Si e mendoni ecurinë, që është bërë në këtë drejtim deri më tani? Mendoni se ka shpresë, që realisht një ditë mund të kemi sistem gjyqësor të pavarur?

Nuk e kuptoj pse duhet të na duket e pamundur…, nuk duhet që të shpikim rrotën. Sistemi gjyqësor është baza për të filluar reformat në sistemin e drejtësisë, por nga ana tjetër nuk mund të shikohet i pavarur nga degët/sistemet e tjera të qeverisjes. Sot është rritur ndjeshmëria e njerëzve, informacioni i tyre, kërkesa e llogarisë ndaj atyre që janë përgjegjës për mirëqeverisje. Në shumë vende në tranzicion ndryshimet pozitive kanë ardhë nga trinomi i një shoqërie civile vigjilente dhe të fortë, mbështetja dhe presioni ndërkombëtar, dhe një grup politikanësh vizionarë që duan të çojnë përpara vendin e tyre. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për reformën e drejtësisë në Shqipëri është e paprecedentë, dhe është vepruar në unison… Duke shpresuar që procesi të jetë i suksesshëm në implementim, gjë e cila është në dorë të aktorëve politikë shqiptarë, kjo mbështetje mund të shërbejë, si case-study dhe shembull edhe për vende të tjera.

“Lumturia familjare është gjithçka, pa të asgjë nuk ka vlerë”

 “Që në vogëli, prindërit dhe gjyshërit e mi më kanë rrënjosur se vlerat më të rëndësishme në jetë janë mirënjohja, integriteti, respekti dhe liria e të menduarit”, shkruani ju në libër. Por a mund të na tregoni diçka nga fëmijëria juaj, si ka qenë ajo?

E mrekullueshme, si për çdo fëmijë besoj. Prindërit janë ata që ne jemi, si unë dhe motra ime. Dhe mendoj kështu është për çdo familje. Kam pasur fatin e madh të rritem nga gjyshërit e mi (të katërt, nga të dyja palët) deri në moshën shtatëvjeçare, pasi prindërit e mi punonin në Kukës. Për mua është privilegj që fëmijët të rriten me gjyshërit, i japin dedikim, kohë, dhe pasuri vlerash të paçmuara. Nuk ka ditë që të mos mendoj për gjyshërit e mi që sot janë engjëj që na ruajnë nga lart.

Si kanë ndikuar bisedat me babanë, si ambasador, jo vetëm në ato që keni shkruar, por edhe në rrugën që keni ndjekur deri më sot?

Im atë Bashkimi më ka dhënë forcë dhe besim në vete në çdo hap të jetës, por ka qenë edhe mentori dhe kritiku më i mirë për mua dhe motrën time, ashtu si edhe mami, Lushi. Pas çdo vajze të realizuar në jetë është pas babai i saj, në fakt të dy prindërit. Mënyra se si ne rrisim fëmijët tanë, djemtë apo vajzat, është themelore për të ardhmen e tyre.

Edhe pse vajzë diplomati, e në profesion ekonomiste, sa e lehtë është që të jesh bashkëshortja e një politikani? Të dy jeni persona publikë, si është jeta juaj përtej dukjes, imazhit tek të tjerët?

Igli nuk është më i përfshirë në politiken aktive, ai është në profesionin e tij të avokatit. Ne jemi bashkë prej 15 vjetësh, dhe megjithëse jemi të ndryshëm në karaktere, kemi të njëjtin vizion për jetën, për mënyrën si duam ta jetojmë atë dhe çfarë vlerash duam t’i përçojmë djalit tonë Darios. Lumturia familjare është gjithçka, pa të asgjë nuk ka vlerë. Falënderoj Zotin çdo ditë për familjen time!

Darion, e njohim në këtë libër, si ilustrator. Grafikat e tij vijnë pafajshëm për situata aq të rëndësishme globale. Por, si është raporti juaj me të, si prindër. Kush është më tepër pranë tij gjatë ditës?

Dario është mrekullia e jetës sonë. Ai na bën krenarë çdo ditë e nuk ka sukses më të madh për çdo prind. Fakti që ka qenë gjithmonë i rrethuar me të rritur, me ne, gjyshërit, apo miqtë tanë, ka bërë që të zhvillojë interesa ndoshta për më të rritur. Pastaj, Dario është super i talentuar në art, gjë që ju siguroj nuk e ka marrë nga unë apo Igli (qesh).

Jeni e vetmja, pedagoge shqiptare për Studimet e Sigurisë Kombëtare dhe drejtoreshë e Programit të Detit të Zi dhe Euroazisë në Qendrën Europiane të Studimeve të Siguresë George C.Marshall. Çfarë rëndësie ka kjo për ju?

Tashmë kam fatin të punoj në Qendrën Marshall pothuajse prej shtatë vitesh. Është nder për mua, por sigurisht edhe përgjegjësi, ka shumë pjesëmarrës nga Ballkani që më thonë se ata ndjejnë që përfaqësoj të gjithë rajonin, jo vetëm Shqipërinë, sigurisht ndjehem e nderuar. Uroj të përcjell vlerat e çmuara të shqiptarëve në këtë kontekst ndërkombëtar.

Dhe së fundmi, ku e sheh të ardhmen Valbona. E mendon një ditë kthimin në Shqipëri?

Tirana është qyteti im megjithëse nuk jetoj më këtu, dhe më bëhet zemra mal kur sa herë kthehem dhe shikoj ndryshime kaq fantastike që po e bëjnë një qytet kaq Perëndimor. Nga ana tjetër ndjehem qytetare e botës, kam kaluar më tepër se gjysmën e jetës sime në vende të tjera. E rëndësishme është që të gjithë të kontribuojmë me mënyrat tona sado të mëdha apo të vogla për vendin dhe për një botë më të mirë, nuk ka rëndësi nga Shqipëria apo jashtë saj.

Të tjera

Abissnet