Shkolla 9-vjeçare në Mirditë pa tualete, nxënësit i drejtohen pyllit

Publikuar më 06. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Lindita Bushgjokaj

Shkolla 9-vjeçare “Prosek”, në Mirditë ka probleme në infrastrukturë, bazë materiale dhe ujë. Drejtori i Zyrës Arsimore thotë se nuk është bërë rikonstruksion i saj, pasi mungojnë fondet, ndërsa drejtor i njësisë administrative premton se do të investojë privatisht

Vetëm pak kilometra në lindje të Rrëshenit, në të djathtë te aksit të rrugës Rrëshen-Lurë, ndodhet shkolla 9-vjeçare “Prosek”, në ish-njësinë administrative Kthellë të Bashkisë Mirditë. Sipas burimeve zyrtare bëhet e ditur, se kjo shkollë është krijuar në vitin 1996 dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit të shumë brezave të kësaj zonë. Por si shumë shkolla nëpër fshatrat e Shqipërisë nuk ka pasur vëmendjen e institucioneve përgjegjëse për rikonstruksion të saj, ku shumë nxënës janë detyruar ta braktisin, duke rendur drejt shkollave në qendër të vendit.

Është lënë në harresë dhe që nga viti i krijimit të saj, nuk është bërë asnjë ndërhyrje, por vetëm lyerje fasade nga kryetarët e bashkive apo drejtorët e zyrave arsimore. Nxënësit dhe mësuesit e këtij institucioni vazhdojnë të zhvillojnë mësimin në kushte shumë të vështira, pasi suvatimet janë të rëna, ka mungesë uji, mungesë të bazës materiale dhe për me keq tualetet nuk funksionojnë fare.

Kjo situatë e rëndë i detyron nxënësit, por dhe stafin e mësuesve që të përdorin pyllin në vend të tualetit. Nga fotot e bëra në këtë shkollë kuptohet qartë problematika e saj dhe kushtet e vështira ku zhvillohet mësimdhënia. Nisur nga ky fakt gazeta “Shekulli” kontaktoi autoritetet e drejtorive arsimore të Mirditës, për të kuptuar arsyet se pse shkolla është lënë në mëshirë të fatit.

Përgjegjësi i zyrës arsimore Mirditë, z.Gëzim Kaçorri, në një intervistë për “Shekulli”-n, tha se shkolla nuk ka pasur rikonstruksion të plotë që nga viti 1996, praktikisht që me krijimin e saj, ku sipas tij bëhet e ditur se e vetmja ndërhyrje ishte lyerja e mureve në fillim të vitit shkollor, duke injoruar kështu problematikat e tjera, të cilat i pohon se janë aktuale. Gjithashtu shpreson të bëhet përmirësimi i saj kur të miratohet buxheti i bashkisë për 2018-ën, që është përcaktuar nga Ministria e Arsimit, theksoi ai. “Në shkollën 9-vjeçare “Prosek” është bërë rikonstruksion vetëm në vitin 1996, që nga ky vit dhe deri tani nuk ka pasur rikonstruksione të plota, por ndërhyrje të pjesshme.

Ka thyerje të xhamave, probleme hidro-sanitare, pasi mungon uji në shkollë. Uji mungon sepse e ndërpresin banorët e fshatit shpesh për vaditje apo për arsye të ndryshme. Bashkia e bëri problematike gjendjen dhe ndërhyri që të bëjë një lidhje me rrjetin e qytetit, por uji ka probleme të ngjitet atje dhe depozita ka momente që furnizohet, por ka raste që jo. Tualetet janë të mbyllura, sepse depozitat nuk furnizohen dot nga uji i rrjetit. Do të bëjmë ndërhyrje kur të miratohet buxheti i bashkisë dhe do bëjmë rikonstruksion të plotë të saj. Duke qenë së ka vite që nuk është bërë ndërhyrje, duhet një buxhet i mjaftueshëm për të bërë këtë hap”.

Ndërkohë që drejtori i Zyrës Arsimore Lezhë, z.Bardhok Pulaj, tha se shkolla vazhdon të jetë në këtë gjendje për shkak se mungojnë investimet dhe pohon faktin, se ka vite që nuk është rikonstruktuar nga askush, por vetëm ndërhyrje në fasadë, tha z.Pulaj në një prononcim për “Shekulli”-n, duke anashkaluar pak dhe përgjegjësitë e tij në lidhje me çështjen në fjalë. “Ti ke qenë në shkollën 9- vjeçare “Prosek” dhe e ke parë gjendjen. Unë do marr informacione dhe do t’ju them. Zyra Arsimore ka pavarësi të plotë në menaxhimin e burimeve njerëzore. Shkolla është në atë gjendje, sepse nuk ka investime dhe nuk ka vendosur njeri dorë në shkollë prej shumë kohësh.

Do të shkoj në Prosek” dhe do t’ju jap një përgjigje”, tha ai. Shkolla ka 56 nxënës dhe 11 mësues, të cilët japin mësim me shumë pasion, por që nuk kanë kushtet minimale, nuk kanë ujë as tualete, për të cilat pohojnë se që në fillim të vitit shkollor nuk janë hapur fare, si dhe mungesa në bazën materiale mbeten probleme që do vijojnë të jenë shqetësim për ta. Tani me këtë dimër të ftohtë, ata nuk kanë xhama në dritare, pasi shkolla nuk është e siguruar me roje, një problem që shtrihet në të gjitha institucionet arsimore të  zonës. Kështu pohojnë drejtuesit e saj.

Paulin Picaku: Do të bëj ndërhyrje private, nuk e dimë kur miratohet buxheti

Paulin Picaku, drejtor i njësisë administrative në Bashkinë e Mirditës, pohon se shkolla 9-vjeçare “Prosek” ka probleme në infrastrukturë për shkak të mungesës së fondeve. Ai tha në një intervistë për “Shekulli”-n, se do të bëhen ndërhyrje private nga ana e tij për të rikuperuar gjendjen e shkollës, sidomos me xhamat që janë të thyer. Sipas tij, ky problem është për faktin se mungojnë rojet në të gjitha shkollat e zonës. Madje, kjo ndërhyrje emergjente do jetë për arsye se nuk dihet kur miratohet fondi nga bashkia. Për çudi, pas shumë vitesh z.Picaku kujtohet vetëm sot për gjendjen që shkolla ka prej vitesh.

Z.Picaku, jemi të interesuar të kuptojmë përse shkolla 9-vjeçare “Prosek” ka probleme me infrastrukturën, me mungesën e bazës materiale dhe ujit?

Unë isha sot të shkolla, pasi më thirri drejtori në lidhje me thyerjen e xhamave. Unë jam informuar para dy ditësh dhe kam shkuar sot bashkë me një specialist dhe kemi regjistruar dëmtimet. Shkolla është pa roje dhe është shumë e dëmtuar.

Sa vite ka që është ndërtuar kjo shkollë dhe sa nxënës ka aktualisht?

Sot, shkolla ka 52 nxënës, por ndër vite ka pasur dhe më shumë. Ka 11 nxënës parashkollor dhe 11 mësues. Njësia administrative ka 9 fshatra. Shkolla është ndërtuar që në vitin 1996.

Çfarë ndërhyrje janë bërë konkretisht për përmirësimin e gjendjes së shkollës?

Vetëm në fillimin e shkollës është bërë lyerja e objektit, nuk është bërë ndërhyrje shumë e madhe, pasi është puna e buxhetit që nuk është i mjaftueshëm. Mund të ketë probleme suvatimesh dhe ka nevojë për ndërhyrje.

Tani që është dimër, është vështirë të vazhdohet me xhamat e thyer?

Ne do t’i ndërrojmë xhamat e dritareve privatisht, sepse nuk mund të presim buxhetin e bashkisë, i cili pret miratimin e projekt buxhetit të 2018-ës. Nxënësit nuk mund të vazhdojnë në këto kushte.

Përderisa tualetet vazhdojnë të jenë jashtë funksionit për shkak të mungesës së ujit. Është e vështirë për nxënësit dhe mësuesit kjo situatë?

Edhe ato probleme i kam parë, por uji vjen me orare. I tillë është projekti, pasi nuk kemi ujë të vazhdueshëm. Nga ora 6-8 të darkës kanë një depozitë, pasi i tillë është pozicioni gjeografik i zonës. Këto projekte janë bërë para shumë vitesh, nuk janë bërë sot.

Pse tualetet vazhdojnë të jenë të mbyllura?

Çelësin e mban drejtori dhe nuk mund të lihen hapur, pasi mund t’i prishin. Këtë problem e ka drejtori i shkollës. Nesër kemi një diskutim për projekt-buxhetin e 2018-ës dhe do shikoj çfarë mund të bëjmë.

Buxheti i 2018-ës dedikuar arsimit është i mjaftueshëm për të plotësuar kërkesat e shkollave dhe problemeve që kanë?

Buxhetet nuk plotësojnë asnjëherë nevojat e shkollave, por duhet që të zgjidhen problemet kryesore. Unë do bëj ndërhyrje private.

Pse nuk keni bërë më përpara ndërhyrje private, por kujtoheni sot?

Sepse nuk ka pasur probleme më përpara, por vetëm këtë vit.

Shkolla nuk ka bazë materiale, pa ujë dhe me suvatime të rëna. Të gjitha do t’i zgjidhni në mënyrë private?

Sot shkova dhe i pashë nga afër. Kishte suvatime të rëna. Është bërë një ndërhyrje me lyerje, por varen nga buxheti i bashkisë dhe Drejtorisë Arsimore. Ky buxhet më përpara administrohej nga Drejtoria Arsimore, ndërsa tani që i ka kaluar bashkisë ka krijuar pak probleme të detyrimeve.

Çfarë nënkupton kalimi i detyrimeve?

Më përpara i ka pasur Drejtoria Arsimore, tani i ka bashkia për ndërhyrje të brendshme. Është hera e parë që kalon buxheti i shkollave bashkisë dhe ka ngarkesë, por unë do të punoj edhe privatisht. Koha nuk pret dhe duhet ndërhyrë me xhamat. Ky problem ndodh sepse nuk ka punonjës, as roje. Në të gjitha shkollat e zonës është ky problem.