Intervista me Abaz Sitën/ “Serra me luleshtrydhe mu shkatërrua, jemi në dorë të Zotit”

Publikuar më 04. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Bleona Metushi

Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha financiare për qytetarët e Fierit. Tokat bujqësore janë nën ujë, duke bërë që prodhimet e këtij sezoni të shkatërrohen dhe investimet të shkojnë në plehra, ndërsa një prej banorëve i shkatërruar nga përmbytja shprehet se i janë “këputur” krahët

“Situata është shumë e rëndë, kam humbur të gjithë investimin e bërë”-shprehet  Abaz Sita, banor i fshatit Kashisht, në Cakrran të Fierit, i cili nga situata e rëndë që shkaktuan përmbytjet në të gjithë vendin humbi prodhimin e një sezoni të tërë. Ndonëse Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit lajmëroi se situata e motit dhe përmbytjeve në vend është duke u normalizuar, pasojat që la pas kjo situatë, janë të mëdha.

Sipërfaqe të tëra tokash janë nën ujë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme për banorët, të cilët tashmë janë bërë me dhimbje kokë për  faturën financiare. Një nga bashkitë që “vuajti” më shumë nga përmbytjet është Fieri, ku vërshimet e lumit, bënë që situata të dilte nga kontrolli dhe të evakuoheshin shumë persona, ndërsa sipërfaqe të tëra toke të përfundojnë të përmbytura. 61-vjeçari, Abaz Sita rrëfen për gazetën “Shekulli”, se gjithë pasuria e tij tashmë është hedhur në plehra.

Tre dynymë serë e mbjellë me luleshtrydhe është e gjitha nën ujë, duke bërë që i gjithë prodhimi i këtij viti të prishet. 61-vjeçari tregon se përpjekjet e një sezoni tashmë i ka marrë lumi. “E mbollëm herët luleshtrydhen që të dalë në treg shpejt, për të kapur një çmim sa më të mirë”- thotë ai, teksa shton se kjo ngjarje i “preu” krahët fare dhe nuk beson se kultura bujqësore do të marrë veten, pasi ka dy ditë nën ujë. I pyetur nëse kanë shpresë se do të marrin dëmshpërblim, djali i familjes thotë se nuk ka besim se një gjë e tillë do të ndodhi.

“E njëjta situatë ka ndodhur edhe dy vite më parë, dhe nuk kemi marrë asnjë dëmshpërblim, na gënjyen, na mashtruan dhe s’na dhanë gjë.”- thotë djali i Abazit, Elmas Sita, duke lënë të nënkuptohet se nuk kanë shpresë se do të dëmshpërblehen. Ndërsa shton se gjatë ditës që ka ndodhur përmbytja, ka qëndruar te sera deri në momentin që uji arriti një pikë, ku nuk mund të qëndrojë më atje. Banori i fshatit Kashisht, i irrituar shprehet se ka hedhur rreth 1.3 milionë lekë në mbjelljen e kulturës bujqësore, lekë të cilat tashmë konsiderohen të humbura. “Kemi bërë shpenzime të mëdha, kështu që edhe dëmi është shumë i madh.

Kemi blerë një fidan që konsiderohet si më i miri dhe më i shtrenjti, plus plastmasin dhe çdo gjë që duhet për të bërë serën.”- tha Elmas Sita, duke bërë një llogari të thjeshtë se çfarë kanë humbur. Dëmi sipas tyre është i lartë, ndërsa thonë se, ashtu siç ishin në dorë të Zotit ditën që ndodhi përmbytja, ashtu kanë mbetur edhe tani, që nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me pjesën e rivlerësimit. “Jemi  në dorën e Zotit, ashtu si atë ditë kur uji vërshoi në tokat tona bujqësore, si të thuash, u përmbytëm nga Zoti, dhe kemi ngelur në dorën e tij.” Sipas tyre askush nuk ka shkuar të shikojë gjendjen, pavarësisht se ata kanë lajmëruar dhe janë ankuar për situatën e krijuar.

“Për të ardhur njëri të na shikoj, as që bëhet fjalë fare”- tha Elmasi. Në lidhje me pjesën tjetër të fshatit, pothuajse 80% e tij është e përmbytur, uji ka “pushtuar edhe shtëpitë, përveçse tokat e mbjella me kultura të ndryshme bujqësore. Sipas familjes Sita uji ka vërshuar në serën e mbjellë me luleshtrydhe në datën 2, rreth orës 5 pasdite dhe ka filluar të tërhiqet gjatë ditës së sotme. Ata kanë shkuar të shohin se çfarë mund të shpëtohet, ndërsa shprehen të pa shpresë dhe të vetëm, në të gjithë këtë situatë. “Ishim pasdite aty, u futëm brenda pasi ra niveli i ujit, për të bërë ndonjë pastrim. Por s’ke çfarë shikon, na janë “këputur” krahët fare.”- shprehet Elmazi, djali i familjes Sita.

Situata në Fier

Ndërsa ujërat e lumit Vjosë, morën çfarë gjetën para në Fier, duket se situata ka filluar të përmirësohet. Uji është tërhequr, duke lehtësuar situatën e përmbytjes në disa fshatra të Fierit, ndërkohë që banorëve u është këshilluar të qëndrojnë në qendrat ku janë strehuar deri sa të largohet plotësisht uji nga shtëpitë e tyre. Sipas të dhënave zyrtare, 600 hektarë tokë bujqësore janë ende nën ujin e lumit Vjosë, që prej tre ditësh. Edhe gjatë ditës së djeshme ka pasur reshje, por që nuk kanë krijuar problem për përmbytje. Në fshatin Nikoj autoritetet e emergjencave po vijojnë punën për zhbllokimin e rrugës dhe nxjerrjen e ujit nga shtëpitë e banorëve. Situata më e vështirë paraqitet në fshatin Darëzezë, ku është shembur ura që lidh këtë fshat me Fierin, dhe ka bërë që të izolohen 2 mijë banorë të këtij fshati. Gjithashtu edhe në fshatin Ferras dhe Fitore situata është e rëndë  ku dhjetëra banesa ndodhen nën ujë.

Gjithashtu edhe në fshatin Ferras dhe Fitore situata është e rëndë ku dhjetëra banesa ndodhen nën ujë. Aktualisht deri tani janë evakuuar 596 familje dhe janë shpëtuar 1,552 qytetarë. Gjenden të përmbytura 10,217 ha tokë, kryesisht në Fier dhe Vlorë, si dhe 5,781 ha me prani uji. Banesa të përshkuara nga uji dhe të përmbytura janë 3,337 në mbarë vendin. Rrugët janë të hapura, me përjashtim të disa rrugëve dytësore e rurale, ku po vijon puna për normalizimin e trafikut.

Gjithsesi, përmbytjet kanë shkaktuar dëme permanente në infrastrukturë, si prishjen apo dëmtimin e 28 urave dhe shumë pjesë aksesh rrugore. Shkatërrimi i urave është një ndër fenomenet e veçanta të emergjencës aktuale, që në ndryshim në ato të mëparshmet, lidhet me furinë e jashtëzakonshme të prurjeve të ujit, të shkaktuar nga intensiteti i jashtëzakonshëm i reshjeve.