Natasha Lako: Fantazitë artistike nuk ia kalojnë sjelljes së shqiptarëve!

Publikuar më 02. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Rikthimi i filmit “Lule të kuqe, lule të zeza” i regjisorit Mevlan Shanaj në kinema prezanton te publiku, pas 14 vitesh, një histori dramatike, si shprehje e botës sonë reale. Skenaristja Natasha Lako e konsideron një film që trajton tema ende aktuale si emigrimi dhe e paralelizon me Shqipërinë në ditët e sotme

A mundet që një mëkat i së kaluarës të përndjekë të ardhmen, apo ajo që e shoqëron njeriun është dëshira që e çoi drejt tij? Ndoshta është thjesht ajo që të tjerët shohin, por kur këta të fundit janë paturpësisht mëkatarë, çfarë mbetet vallë për t’u besuar. Bëhet fjalë për historinë dramatike të një familje shqiptare, për misteret e një gruaje të lirë dhe praninë e një babai “të dytë”, që kanë frymëzuar një nga skenarët më të gjetur shqiptarë “Lule të kuqe, lule të zeza”. “Ngjarjet sikur më kanë lindur para syve, madje ndonjëherë apokaliptike, aq sa mund të mendosh se asnjë fantazi artistike nuk ia kalon sjelljes së përditshme të shqiptarëve”, shprehet skenaristja e filmit Natasha Lako.

Një histori e vjetër dashurie që përndjek rrjedhën e filmit, dy gra që thyejnë kangjellat e mentalitetit në një ambient provincial pasi zgjedhin të jenë të lira. Dy gra që fyhen e përçmohen, por mbi të gjitha janë të dëshiruara nga një grup burrash deri në admirim. “Pa ata nuk do të kishte film, në një balancë me dy femra, që kanë peshë me tepër se ata vetë”, shprehet Lako. Një film që trajton tema ende aktuale, me skena, që Lako i cilëson, si shprehje të botës sonë reale me imazhe tronditëse që kanë lënë gjurmë të thella. Pas 14 vitesh nga realizimi i filmit “Lule të kuqe, lule të zeza” me regji të Mevlan Shanaj rrëfehet për gazetën “Shekulli” skenaristja Lako, duke e paralelizuar me Shqipërinë në ditët e sotme.

Zonja Lako, pas 14 vitesh u ekranizua sërish në kinemanë e Arkivit të Filmit filmi “Lule të kuqe, lule të zeza” me regji të bashkëshortit tuaj, Mevlan Shanaj. Ju kujtohet, si ka lindur skenari i këtij filmi? 

Në fillim duhet të flasim për një familje të kthyer në vite e vite në një rafineri të vogël filmi. “Lule të kuqe, lule të zeza” zë fill nga bisedat e kthyera në punë të mirëfilltë. Në fillim si projekt ishte “Fshati pa shkallë”.

Për temën, së pari, na ka ndihmuar tepër im bir. Por, ngjarjet sikur kanë lindur para syve, madje ndonjëherë apokaliptike, aq sa mund të mendosh se asnjë fantazi artistike nuk ia kalon sjelljes së përditshme të shqiptarëve. Skena me gjetjen e një qeni të varur as mund të më shkonte mua ndër mend. Por, ama është shkruar nga shqiptarët, sepse u gjend rreth e rrotull diku pranë xhirimeve, si shenjë e një kolapsi të rrallë shoqëror, që plasi një ditë.

Dhe gjatë një kolapsi, kur njerëzit ndjehen plotësisht të izoluar, kur ikin dhjetëra njerëz dhe vjen në një fshat të largët ndonjë misionar, duket sikur kjo botë e vogël nis nga fillimi. Por nuk them se aty e kaluara nuk është prezente. Madje me një peshë të madhe. Por kjo është një e kaluar thjesht personale e dy njerëzve, që mbeten të fundit në këtë fshat…

Sigurisht që skenari regjisorial, krijoi “hapje” të reja, të cilat e bëjnë filmin të lexohet në mënyra të ndryshme. Por, imazhi i fundit i dy njerëzve që në fshatin e zbrazur mbetën të lidhur me njëri-tjetrin është tronditës. Është një imazh që si foto ka mbetur në kopertina librash mbi kinematografinë e vendeve të gjithë Europës Lindore. Sepse, dihet që në një film kanë rëndësi dramat njerëzore të lindura në një atmosferë të caktuar. Nuk besoj që të ketë ndryshuar shumë gjëra të tjera gjatë xhirimeve, përveç pasurimit të detajeve pa fund. Nuk më ka shkuar mua mendja që të ul në një karrige një plak që e ka zënë gjumi, duke mbajtur në duar një balon me yjet e BE-së në sfond.

Sigurisht që drama merr jetë, nga interpretimi dhe mizanskenat, që i kanë çuar gjërat “përtej fundit”. Nuk është merita ime që filmi merr jetë si një afresk, por i gjithë grupit të filmit. Me këtë dëshiroj të them se është një skenar i shkruar dhe i plotësuar për një kohë të gjatë deri në montazh, që për tipin e këtij filmi merr rëndësi të madhe.

Në qendër të filmit, qëndron fati fatal i dy femrave, nënë (Yllka Mujo) dhe bijë (Elia Zaharia). Histori dashurie që përgojohen në një fshat. Sa aktuale e gjejmë sot këtë skenar?

Besoj se bëhet gjithnjë e më aktual, përderisa vazhdon ikja e shqiptarëve, aq sa parashikohet, që Shqipëria pas disa dekadash do të shkojë nja 1.700000 mijë, sigurisht edhe për shkaqe të tjera qoftë të lidhjes së plotë me botën.

Mos harrojmë që ngjarjet e filmit ndodhin, kur personazhet e tij lidheshin me të vetëm me një tel telefoni, sa një fill peri. Dhe mbetej si gjithnjë aq i rëndësishëm komunikimi trup më trup, si gjithë jetën. Sot në këto hapje të reja filmi për një vit ka arritur në “You tube” në shifrën e 300000 shikuesve. Dhe është e pamundur që në këtë Shqipëri t’ua marrësh hakun vajzave dhe grave që gjithnjë do të jenë në epiqendër të botës.

Meshkuj që lënë për një kohë të gjatë bashkëshortet, të fejuarat vetëm, duke pretenduar prej tyre besnikëri. Emigracioni, një fenomen aktual, por edhe që shoqëria i etiketon këto femra, si të pamoralshme, duke u ngarkuar fajin. Çfarë mund të thoni rreth këtyre fenomeneve?

Kanë ndryshuar sigurisht ikjet e shqiptarëve, të cilat bëhen sigurisht nga dashuria për jetën, pavarësisht se shumë sysh janë mbytur nëpër detra. Por gjithnjë atje brenda dëshirave për kapërcim ka diçka personale. Në film lind historia dramatike e një familje të rrethuar nga misteret e një gruaje të lirë dhe të një babai “të dytë”.

Fatet njerëzore janë nga më të ndryshmet dhe largësitë shkaktojnë drama të mëdha. Por në verë, kur shumë të rinj kthehen të marrin një vajzë shqiptare gjithsesi e ndjen vetën mirë, sa nuk mendon as se sa janë të njohur me njëri-tjetrin. Kështu “lis ndron jeta”, me të shkuarën mbi supe dhe me mjaft problem të tjera të lindura përditë.

Shkaqet sociale përthyen në lloj, lloj historish, që ndryshojnë nga njëra-tjetra, pa përjashtuar edhe aventurën. Dhe sot kemi qindra adoleshentë të lëshuar nëpër botë nga prindërit e tyre. Nga kjo mund të lindë ndonjë film tjetër, që trajton problemet e këtij dhjetëvjeçari. Megjithatë ngjarjet e filmit “Lule të kuqe, lule të zeza” mund të rrjedhin edhe sot.

Burrat gjithmonë kanë pasur shumë ekskluzivitete”

Filmi i regjisorit “Lule të kuqe, lule të zeza” Mevlan Shanaj, trajton historitë e dy grave të përgojuara në një fshat në Jug të Shqipërisë. Ana Golemi (interpretuar nga Elia Zaharia) sheh para martese në ëndërr lule të kuqe dhe lule të zeza. Liliana (Yllka Mujo) është martuar me një ish-oficer, Nan Golemi (Enver Petrovcin), i cili dyshon se babai i vajzës është dikush tjetër në fshat. Taksisti (Bujar Lako), prifti (Kastriot Çaushi), perëndimori (Petrit Malaj), një ish- polic (Vasjan Lami), të gjithë duan të hyjnë shtratin e Anës e Liljanës.

Lako sot pas 14 vitesh nga realizimi i filmit shprehet se pavarësisht se të gjitha ngjarjet e filmit vërtiten rreth një nëne dhe një vajze, ajo kësaj here mban në “anën” e një grupi burrash. “Ndaj tyre buzëqesh, a nënqesh, hidhërohem, madje edhe i kuptoj, kur të bashkuar, si në një patrullë, shkojnë të takojnë të huajin, që po ja rrëmben zemrën vajzës, që u duket sikur duhet ta kenë në tutelë”…

Në film dy gratë etiketohen si të pamoralshme, ndërsa meshkujt i japin të drejtë vetes që të bëjnë me to çfarë të duan. Sipas jush, lidhur me mbrojtjen e grave, nga fillimi i demokracisë, deri më tani, çfarë ka ndryshuar?

Pavarësisht se të gjitha ngjarjet e filmit vërtiten rreth një nëne dhe një vajze, unë kësaj radhe mbaj “anën” e një grupi burrash, ndaj të cilëve buzëqesh, a nënqesh, hidhërohem, madje edhe i kuptoj,  kur të bashkuar, si në një patrullë, shkojnë të takojnë të huajin, që po ja rrëmben zemrën vajzës, që u duket sikur duhet ta kenë në tutelë… Ka shumë adhurim për Anën, aq sa e kthejnë në një heroinë a perandoreshë, kur shkrehin topin, gjatë ceremonisë së saj mortore. Edhe unë kam adhurim për ca skenëza të tilla, sepse janë shprehje e botës sonë reale.

Sigurisht kjo gjendje mes tyre është e padurueshme, për Anën vetë, jo për mua. Pa ata nuk do të kishte film, në një balancë me dy femra, që kanë peshë më tepër se ata vetë.

Siç vihet re në zona rurale, meshkujt për shkak të mentalitetit, nuk kanë aktivitet seksual apo lidhje, kjo i bën ata të frustruar dhe të dhunshëm, diçka që e dëgjojmë edhe në lajme çdo ditë. Madje ka raste që edhe në rrugë, ngacmohen femrat. Filmi juaj fokusohet shumë në këtë film, po sot në prag të vitit 2018, sa ndryshe i shihni gjërat?

Gjithçka e tillë ndodh, kur njeriu nuk ka çfarë të bëjë tjetër. Por ne rast se sot flasim për këto dimensione kaq mashkullore të posedimit, në të gjithë botën jemi para një çasti vendimtar të shpalljes se abuzime seksuale qoftë edhe të dhjetëra viteve më parë. Duket si një farë fushate e re e sponsorizuar prej OJQ-ve, por në të vërtetë e gjithë bota po fillon të kapërcejë në një lloj zgjimi tjetër. Sepse burrat si gjithmonë kanë pasur shumë ekskluzivitete. Për mua filmi është në thelb, si elips i të gjithë ekranit një histori e një dashurie të vjetër, që ka peshën e vet. Në fund të fundit flitet për histori të gërryera dashurie, të vetmet që mbeten deri në fund.

Sakrificat e artistëve janë të mëdha!

Skenaristja Natasha Lako përsa i përket nivelit që kanë sot skenarët e filmave shqiptarë, mendon se, kjo ndodh edhe për faktin se po i jepet përparësi filmit me metrazh të shkurtër. Ndërsa, ato qendra evropiane, që mbështesin financiarisht prodhimin shqiptar dhe temat e tij, nuk arrijnë ta kuptojnë plotësisht se çfarë i duhet publikut. Sakrificat që kanë bërë artistët për realizimin e filmave shqiptarë janë aq të mëdha, saqë Lako i konsideron heroike.

Në filmin “Lule të kuqe lule të zeza “, zbardhimi psikologjik i personazheve, vjen natyrshëm. Por, si e shpjegoni faktin për filmat që po realizohet me mbështetje të Qendrës së Filmit, ku fondi u arrin rreth 300 mln lekë, ndërkohë që kemi të bëjmë me skenarë (shpeshherë të shkruar nga vet regjisorët) të një niveli të dobët. A do ta quani këtë një shpërdorim fondesh, dhe sipas jush, cila do të ishte mënyra më e mirë e vlerësimit të skenarëve për shpërndarjen e fondeve?

Faleminderit!

Sot përparësi i është dhënë filmit të shkurtër, të cilin nuk ke mundësi ta ndjekësh në ekran. Nuk mund të them asgjë! Kam frikë se edhe ato qendra evropiane, që mbështesin financiarisht prodhimin shqiptar dhe temat e tij, nuk arrijnë ta kuptojnë plotësisht se çfarë i duhet publikut, që mbetet hëpërhë një tjetër mister. Unë mund të flas vetëm për sakrificat e krijuesve shqiptarë që i kam parë me sytë e mi në një realizim filmi të metrazhit të gjatë, që edhe në Shqipëri ka arritjet e veta.

Po më jepet rasti të kujtoj, një mëngjes kur Petrit Malaj dhe Kastriot Çaushi, në role kaq të realizuara, që ishin në Sarandë, lajmëruan me telefon se po binte në Muzinë një borë e lehtë, aq e vlefshme për një skenë të filmit. I gjithë grupi që kishte punuar rreth tre orë, pasi ishte ngarkuar të gjithë aparaturat deri në një shpat mali, filloi t’i çmontojë përsëri. Kurse unë po nisesha për Tiranë, duke menduar se askush nuk mund të marrë vesh kur sheh në ekran, gjithë atë punë që mua më pëlqen ta quaj ja heroike, ja një çmenduri. Dhe së fundi, dëshiroj të them se grupi i filmit ka qëndruar në një hotel të Lazaratit të famshëm, por gjithnjë njerëzor.