“Askush nuk iu përgjigj thirrjeve tona për ndihmë, na braktisën” (FOTO)

Foto 1 nga 3 Pas Para

Nga Bleona Metushi

Banorët e zonës së përmbytur të ‘Frutikulturës” në Kamzë tregojnë për tmerrin e kaluar të enjten dhe si u braktisën nga instancat qeverisëse. Askush nuk i paralajmëroi  për përmbytjen, që të përgatiteshin, ndërsa policët nuk dinin çfarë t’u thonin

Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut që përfshinë dhe përmbytën shumë zona në vend, banorët në Kamzë rrëfejnë se çfarë kanë kaluar mbrëmjen e së enjtes, kur uji vërshoi në shtëpitë dhe bizneset e tyre. Në të gjithë këtë situatë të rënduar, më e keqja sipas qytetarëve, nuk është vetë përmbytja,  por fakti që ata ndihen të braktisur nga instancat qeverisëse. Jo shumë larg Tiranës, në zonën e quajtur si “Frutikultura”, në Kamzë, shumë shtëpi dhe biznese janë nën ujë, ndërsa banorët e zonës tregojnë për “Shekulli”-n se reagimi nga ana e shërbimeve të ndihmës, që vuri në dispozicion shteti, ka qenë inekzistent, duke mos iu përgjigjur asnjë prej thirrjeve që ata kanë bërë. Pronari i një prej bizneseve të përmbytyra, Mevlut Mustafa, vetëm në mëngjes e ka marrë vesh lajmin për përmbytjen e biznesit të tij, tregon se thirrjeve të shumta drejt numrit që u vu në dispozicion të qytetarëve që ishin në rrezik, nuk i ishte përgjigjur askush me veprime konkrete.

“I kam kontaktuar disa herë, herët në mëngjes. Nëse do të tregoj edhe thirrjet që kam në telefon. Ata më thonin se janë duke ardhur, por në të vërtetë nuk erdhën asnjëherë. Biznesi im është i gjithi nën ujë. Të futesh brenda shikon që çdo gjë ka marrë fund”. Dëmi i shkaktuar është i lartë, pasi lokali është tërësisht i përmbytur, ndërsa të gjitha furnizimet që kishte brenda, kanë ikur bashkë me ujin, duke përfunduar në pusetë, e cila duket si një vorbull e vogël që tërheq brenda saj çfarë t’i dalë përpara.

“Askush nuk ka ardhur të shikojë gjendjen dhe deri në çfarë faze jemi të përmbytur. Nuk mund të dalësh nga shtëpia. Unë kam dalë i zhveshur”- tha Pash Gjergji, një tjetër banor, i cili tregon se në shtëpinë e tij i janë bllokuar të 7 fëmijët, së bashku me nipin 6 muajsh. Ata janë vendosur në katin e dytë të banesës pasi kati i parë tashmë është i bllokuar nga uji. “Më janë bllokuar fëmijët,  bashkë më nipin 6 muajsh. Ndërsa makina që ishte në garazh është prishur dhe çdo gjë që kisha aty nuk dihet se ku është”.- tha ai.

Banorët e zonës tregojnë se kanë mundur të dalin nga shtëpitë e tyre, vetëm sa të marrin bukë edhe ujë, ndërsa tregojnë se nuk kanë ku të shkojnë. Ata janë të revoltuar me politikanët, për të cilët shprehen se shkojnë aty sa për të marrë votat dhe më pas nuk bëjnë asgjë konkrete. Banori i zonës, Gjergji, tregon se duhet të ishin bërë përgatitje më herët për këtë situatë, pasi tashmë që përmbytjet ndodhën,“s’ka asgjë për të bërë, përveçse të presim të ulet niveli i ujit dhe të shohin dëmet”.

Uji në këto zona ka shkuar deri në brez, ndërsa, sipas banorëve, ata janë të braktisur. Shumë shtëpi janë të përmbytura dhe shumë njerëz janë të ngujuar në shtëpitë e tyre, pasi e vetmja mundësi është të dalin me varka. Në këtë zonë, një fakt tjetër që vihet re është se përmbytja ka ndodhur vetëm në një anë të rrugës, ndërsa banorët në krahun tjetër të saj, janë të sigurt. Qytetarët, një pjesë e fajit për përmbytjen, ia hedhin infrastrukturës , që sipas tyre është e pamenduar. Kjo sipas banorëve vjen pasi gjatë ndërtimeve të rrugës, është ngritur niveli i saj më shumë se ç’duhet, duke bërë që kjo pjesë e zonës të mos ketë ku të kullojë ujërat, duke sjellë edhe këto pasoja.

Rrëfimi

Një tjetër familje që ka humbur çdo gjë nga përmbytja është edhe familja e Zef Pjetër Pjetrit, në zonën “Frutikulturë” në rrugën “Liria”, shtëpia numër 48. Banesa dy katëshe e kësaj familjeje ka humbur çdo gjë nga përmbytja. Ndërsa tregojnë ambientet e shtëpisë tashmë jashtë funksionit. Të gjitha mobiljet  e shtëpisë  janë të ngritura, që të ruhen aq sa të munden, ndërsa pllakat  e dyshemesë kanë lëvizur nga vendi. Ata shprehen se kanë humbur çdo gjë, oborri i shtëpisë është i gjithi në ujë, ndërsa të gjitha materialet që ishin të vendosura aty janë duke “notuar”.

“Nga përmbytja është shkatërruar edhe makina e babit, nga ku dolën gjarpërinjë,” më thotë vajza e familjes Pjetri. Më tej, rrëfejnë për tmerrin e kaluar një natë më parë, ku çdo gjë i kishte ardhur në mënyrë të papritur. “Askush nuk bëri një njoftim, të paktën të dinim dhe të përgatiteshim, për situatën që do të përballonim. Dikush të na thoshte për rrezikun, të paktën të kishim marrë ushqime. Ka shumë familje që nuk kanë as ku të fusin kokën. Me sa di unë në media lajmi ka ditë që është dhënë,” tha vajza e famijes Pjetri, Marinela.

Përmbytja e madhe, siç e quajnë ata, ka filluar rreth orës 23:00 ndërsa ishin duke bërë përgatitjet për të festuar ditëlindjen e kryefamiljarit. Në këtë familje ishte një foshnjë 9 muajshe dhe një e moshuar dhe për nxjerrjen e tyre prej andej u është dashur që të hapin një vrimë  në çatinë e shtëpisë, duke kaluar të moshuarën  dhe foshnjën te shtëpia ngjitur. Të irrituar tregojnë se askush nuk i është përgjigjur thirrjeve të tyre për ndihmë. “Vetëm të vinin për fëmijën, vetëm për të më dhimbte në ato momente. I kemi telefonuar, u kemi thënë se kemi një foshnjë, por asnjë reagim nga ana e tyre”- rrëfen një nga pjesëtarët e famijes Pjetri, të cilët duken të dërrmuar nga kjo ngjarje e rëndë.

Ndërsa tregojnë se në atë zonë nuk është bërë asnjë evakuim. Edhe policët të cilët kanë patrulluar gjatë natës, i kanë thënë se nuk mund të bënin asgjë, pasi nuk kishin ku t’i çonin. “Policët na thanë se nuk kemi çfarë t’ju bëjmë, vetëm t’ju çojmë në komisariat, por aty do të jetë ftohtë kështu që qëndroni në katin e sipërm të shtëpisë”. Niveli i ujit në këtë zonë arriti rreth 1 metër. Këtë e tregojnë edhe shenjat që la pas në murin e shtëpisë llumi dhe balta. Që nga pasditja e djeshme uji është tërhequr nga shtëpia, duke lënë pas la vetëm dëme materiale. Për kompensimin e tyre askush aty nuk ka besim se do të bëhet diçka dhe as nuk e presin një gjë të tillë, ndërsa e vetmja gjë që kërkojnë ata, është të bëhet diçka që kjo situatë të mos përsëritet.

Ankesat te Basha

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, vizitoi familjet e prekura nga përmbytjet në Bashkinë e Kamzës. Zona e Valiasit, zona e Frutikulturës është më e prekura nga shkarkimi i liqenit të Bovillës dhe reshjet e dendura. Basha i kërkoi qeverisë që të bëjë gjithçka për t’u ardhur në ndihmë banorëve dhe i këshilloi ata të bashkëpunojnë me emergjencat civile për të shmnagur çdo humbje njerëzore. Banorët iu ankuan kreut të opozitës për braktisje nga autoritetet qeveritare dhe se deri tani ia kanë dalë vetë ose me ndihmën e bashkisë.

Hapen portat e HEC-eve

Që prej mbrëmjes së të enjtes hidrocentrali i Komanit dhe Vaut të Dejës kanë hapur portat për të shkarkuar ujin. Reshjet e shiut kanë mbushur basenet e këtyre heceve përtej nivelit të lejuar, çka ka detyruar KESH-in që të nisë shkarkimet. Intensiteti i shkarkimeve në HEC-in e Vaut të Dejës ka arritur në 600 m3/s ndërsa në atë të Komanit 500 m3/s. Të dy hidrocentralet po punojnë me kapacitet të plotë, ndërsa KESH ka vënë në punë të gjithë agregatët duke rritur prodhimin e energjisë. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës është rritur me 2 metra, duke arritur në kuotat 270 metra, ndërsa prurjet kanë arritur në 1700 m3/s.

Çfarë pritet të ndodhë sot në jug të Shqipërisë

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit në njoftimin e fundit për rreziqet që e presin vendin, dha të  dhëna alarmante për situatën me të cilën pritet të përballet kryesisht pjesa jugore e Shqiperisë. Gjatë ditës së premte, deri të shtunën, priten reshje shumë intensive, në pjesën jugore të vendit, por edhe jashtë kufijve shtetërore në basenin e lumit Vjosa. Reshjet maksimale i kalojnë vlerat e 100 mm në 24 orë. Këto reshje mund të sjellin përmbytje në lumenjtë e mëdhenj, përveç vërshimeve të lumenjve të vegjël dhe përmbytjeve urbane në varësi të gjendjes së kanalizimeve në disa nga qytetet (Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër).

Qarqet më të rrezikuara janë Fieri dhe Vlora. Ka mundësi për përmbytje në basenin e lumit Vjosa. Gjithashtu edhe basenet Seman dhe Shkumbin mund të kenë përmbytje përgjatë fundit të ditës së  premte. Nga llogaritjet hidrologjike rezulton se, me sasinë e këtyre reshjeve, në pjesët fushore të këtyre lumenjve ka mundësi përmbytje me prurje shumë të larta. Efektet e ndjeshme të përmbytjeve në pjesët fushore të qarqeve Vlorë dhe Fier do të ndodhin në pjesën e parë të ditës së sotme. Në qarqet e vendit është vendosur shenja e rrëshqitjeve të tokës për shkak të intensitetit shumë të lartë të reshjeve dhe vërshimeve nga përrenjtë dhe lumenjtë e vegjël.

RESHJE

Sot, e shtunë, data 2 dhjetor, reshjet do të vazhdojnë përsëri. Intensiteti i tyre do të jetë në përgjithësi i lartë por në rënie në veri të vendit krahasuar me dje. Reshjet do të jenë në formë dëbore në zonat e larta malore kryesisht në veri dhe lindje të vendit.

TEMPERATURAT 

Sot, temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 8 °C / 15 °C në vendet e ulta: 5 °C / 14 °C në vendet malore: 0 °C / 10 °C.

Të tjera

Abissnet