Nipi i Mehmet Pashë Derrallës: Gjyshi im ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit, por është lënë në harresë me dashje!

Publikuar më 29. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Nipi i Mehmet Pashë Derrallës, ministrit të parë të Luftës, në qeverinë e Përkohshme të Shqipërisë, rrëfen kontributin e gjyshit të tij në shpalljen e Pavarësisë. Genc Derralla shprehet se institucionet nuk i kanë dhënë vëmendjen që duhet. Sipas tij, shqiptarët e mëdhenj, që kanë qenë jashtë kufijve të Shqipërisë vazhdon të mos preferohen

Para 105-vitesh, në 28 Nëntor, në shtëpinë e Ismail Qemalit bujtën shumë burra, nga të gjitha trojet shqiptare, u mblodhën gegë e toskë, delegatë të të gjitha trevave. Ata qëndronin rreth sofrës, ndërsa Plaku që rrinte në krye ui drejtua me fjalët: “Vëllezër shqipëtarë, sa të lumtur e ndjej veten sot që shoh këtu në Vlorë kaq burra shqiptarë të mbledhur tok. Plot me gas e me lot në sy nga mallëngjimi pra po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh se sot edhe këtë minutë kongresi çpalli mëvetësinë e Shqipërisë tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e tuke më ngarkuar mua kryesinë e qeverisë së përkohëshme të Shqipërisë së lirë”.

Sot për ta përkujtuar këtë ditë, në Muzeun Historik Kombëtar, ku u çel një ekspozitë për 105-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, i pranishëm ishte edhe Genc Pashë Derralla, nipi i ministrit të Luftës në Qeverinë e Përkohshme Shqiptare, Mehmet Pashë Derrallës. Në një intervistë për gazetën, “Shekulli”, Genc Derralla flet për kontributin, që ka dhënë gjyshi i tij në këtë ditë historike dhe për kujtesën e dobët, që ekziston kundrejt kësaj figure.

Zoti Derralla, sot në 105-vjetorin e Pavarësisë ju i jeni bashkuar ekspozitës së çelur në Muzeun Historik Kombëtar. Por, si nip i Mehmet Pashë Derrallës (ministër i Luftës në qeverinë e Përkohshme të Vlorës), çfarë mund të na thoni për këtë ditë?

Të them të drejtën e ndieja për detyrë që të kontribuoja për këtë ditë. Për mua është nder i madh të përkujtoj 105-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, sepse gjyshi im, Mehmet Pashë Deralla, ka qenë një nga nismëtarët e kësaj Shqipërie të lirë, që ne kemi sot. Gjyshi im ka ardhur ditën e dytë, që është formuar Qeveria e Ismail Qemalit, megjithatë ai u zgjodh ministër i Luftës, në Qeverinë e parë shqiptare.

Sa vlerësohet sot, figura e Mehmet Pashë Derrallës, në këtë ditë për të cilën ka kontribuar? Çfarë hapësire zë figura e tij në këtë ekspozitë?

Në këtë ditë nuk vlerësohet! Në ekspozitën, që u çel sot (dje), në Muzeun Historik Kombëtar, nuk ka asnjë fotografi të Mehmet Pashë Derrallës. Vërtet, ai ishte nga Tetova, por ishte shqiptar dhe do të mbetet përjetë në kuptimet e të gjithëve, si shqiptar, ashtu sikundër jam edhe unë.

Kjo harresë vjen si pasojë e neglizhencës apo e padijes?

Për mendimin tim kjo harresë është një neglizhencë. Ndoshta, unë do të thosha se mund të jetë dhe pak me dashje, sepse dikujt nuk i pëlqen, që të jetë një shqiptar jashtë trojeve të Republikës së Shqipërisë, prandaj emri i tij lihet në harresë. Kështu harrohet emri i atij, që ka qenë krahu i djathtë i Ismail Qemalit. Është e vërtetë, që Ismail Qemali u zgjodh kryeministër, por ndihmës kishte Mehmet Pashë Derrallën. Kur Ismal Qemali shkoi në Londër, nuk la zëvendës atë që ishte zgjedhur për të qenë zëvendësi i tij, por la Mehmet Pashë Derrallën. Ai diti ta vlerësonte, duke thënë për të se: “Unë jam dakord me zgjedhjen e Mehmet Pashë Derrallës, se është njeriu më i madh, që kemi në krah. Është njeriu më i ditur, më i shkolluar, më me eksperiencë edhe më i fuqishëm dhe nga ana ushtarake”. Kështu Mehmet Pashë Derralla u zgjodh ministër i Luftës (1912-1914).

Pra edhe pse formoi ushtrinë e parë shqiptare, nuk është bërë asgjë për ta kujtuar?

Ditët kalojnë! Por unë mendoj se figura e tij duhet të ishte në vendin që meriton. Viti tjetër është menduar, që do t’i përkushtohet figurës së Mehmet Pashës në trojet shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, por nuk e di se sa do të vlerësohet këtu. Sot është 105-vjetori i shpalljes së Pavarësisë, në Muzeun Kombëtar që ekzistojnë materiale, por Mehmet Pashës nuk i është vënë as fotografia. Janë ekspozuar vetëm dy libra që flasin për Mehmet Pashën. Por, nuk mundet të mohohet kontributi që ai ka dhënë, sepse ka qenë gjenerali i parë i ushtrisë, ka qenë formuesi i ushtrisë së parë shqiptare. Data 4 Dhjetor 1912 shënon ditën e formimit të Ushtrisë Kombëtare prej tij, por figura e tij nuk kujtohet.

A ka një bust apo një shtatore, një shkollë apo një rrugë, që mban emrin e tij në një nga qytetet shqiptare?

Në asnjë vend! Në Shqipëri nuk gjendet në asnjë vend! Në Tetovë emrin e tij ia kanë vënë një shkolle, një rrugë në Prishtinë mban emrin e tij. Vetëm në Vlorë është vendosur një bust për të, sepse është anëtar i qeverisë së parë shqiptare dhe këtë nuk mundet, që ta mohojë askush. Por asgjë tjetër, më vjen jashtëzakonisht shumë keq për këtë që po ndodh.

Duket se ajo që ka ndodhur gjatë regjimin komunist me disa figura të Pavarësisë, duke i fshirë nga historia, në një formë apo në një tjetër vazhdon edhe gjatë viteve të demokracisë?

Po! Unë nuk doja që ta kujtoj këtë, por kjo është e vërtetë. Vazhdon historia, vazhdon që mos të preferohen shqiptarët e mëdhenj, që kanë qenë jashtë kufijve të Shqipërisë.

Ju këtë situatë e diktoni për shqiptarët e mëdhenj jashtë Republikës së Shqipërisë, kur e njëjta gjë ndodh edhe me figurat shqiptare, që janë këtu…

Po, por këto figura nuk duhet që të nënvlerësohen. Mehmet Pashë Derralla nuk mund që të harrohet, sepse dhe babai i tij, Hasan Pashë Derralla ka qenë udhëheqës dhe komandant në forcat ushtarake në Lidhjen e Prizrenit. Këtë frymë patriotike ia ka dhënë i ati, prandaj pavarësisht nga të gjitha mohimet që mundet t’i bëhen, luftërat historike që ka bërë nuk mund të harrohen. Nuk dua që të ndërhyj në histori, sepse këtë duhet ta bëjnë historianët e mirëfilltë. Por, është e rëndësishme që në këto ditë festash të jemi bashkë edhe t’i përkujtojmë këto figura, duke i vendosur në piedestalin që duhet. Mehmet Pashë Derralla me origjinë ishte nga Tetova, por ministër i Luftës ka qenë në Shqipëri.

Çfarë propozoni konkretisht për vlerësimin e këtyre figurave?

Mendoj se duhet që të merret seriozisht me to një grup i posaçëm, duke studiuar formimin e shtetit tonë. Ne e duam Shqipërinë dhe e mbajmë në pëllëmbë të dorës, këtë e bëj edhe unë, si gjithë të tjerët e kam nder, që jam shqiptar. Por, mendoj se gjyshi ka qenë shqiptar i madh, përderisa e ka vlerësuar paria e gjithë këtij vendi, që u mblodh në Vlorë në vitin 1912. Atë e kanë pritur që të vinte firmën në formimin e qeverisë, i kanë ruajtur vendin. Ka qenë i pesti në radhë, në dokumente rreshti duket bosh, por për mendimin tim është fshirë me dashje. Dokumenti që Mehmet Pashë Derralla ka vënë firmën për formimin e këtij shteti është, kështu që mua më mbetet hatri, sepse ajo që ekziston, ekziston dhe nuk mundet ta mohojë askush.

Ju a u keni bërë ndonjë kërkesë institucioneve përkatëse për vlerësimin e tyre?

Kemi bërë kërkesë, por akoma nuk ka asnjë përgjigje. Megjithatë, unë jam i lumtur që jetoj dhe mundet që t’u tregoj të tjerëve se kush ka qenë Mehmet Pashë Derralla. Për të ka libra dhe disa unë i kam sjell, por fatkeqësisht nuk evidentohen, se përse nuk e di.

Çfarë mendoni se trashëgoni prej tij?

Tek unë ka trashëguar atdhedashurinë, gjënë më të shtrenjtë që kemi. E dua këtë vend, pavarësisht se jam me origjinë nga Tetova, jam shqiptar dhe kam punuar me vetëmohim për edukimin e këtij populli në regjimin që kaloi. Por dhe tani që jam në pension vazhdoj të jap kontributin tim, në edukimin kulturor dhe moral të popullit tim të dashur.

Dhe së fundmi, a keni një mesazh në këtë 105-vjetor të shpalljes së Pavarësisë?

Historia duhet të rishikohet. Ato që shkruhen duhet të kontrollohen nga dikush. Nuk e di se kush mund ta bëjë këtë, por historia duhet kontrolluar.