Sondazhi: Pavarësinë e shpalli Enver Hoxha

Publikuar më 28. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj 

Konferencë shkencore/Studiuesi Afrim Krasniqi prezanton tregimin e (pa)plotë mbi pavarësinë, rishikimin e historisë dhe sjelljen shtetërore pas viteve ’90. Studentët, sipas Krasniqit, nuk njohin 98 për qind të figurave që kanë themeluar shtetin shqiptar

“Rrugëtimi i shtetit shqiptar nga krijimi drejt integrimit evropian”. Kjo ishte tema e konferencës shkencore, që bëri bashkë dje historianë edhe studiues të Akademisë së Studimeve Albanologjike. Ata iu rikthyen historisë së krijimit të shtetit shqiptar dhe ngjarjeve kryesore në 105 vite. Studiuesi Afrim Krasniqi referoi “Tregimi i (pa) plotë mbi Pavarësinë: rishkrimi i historisë dhe sjellja shtetërore pas viteve ’90”. Gjatë fjalës së tij, ai ndali në punën konkrete që ka bërë; sondazhe dhe anketime, qytetarë, banorë të zonave rurale dhe studentë shqiptarë. Studentët, tregon Krasniqi, nuk njohin 98 për qind të figurave që kanë themeluar shtetin shqiptar. Ndërsa, në një sondazh të bërë, se kush ka dhënë më shumë kontribut në Pavarësinë e 1912-s, numri i qytetarëve edhe i të rinjve, sidomos në zonat rurale, që supozonin se Enver Hoxha ka kontribut, ishte pesëfishë më i madh, se për Luigj Gurakuqin dhe figura të tjera. Këto detaje tregojnë haptazi se si është ndërtuar memoria historike shtetërore dhe publike ndaj së kaluarës pas viteve ‘90. “Shekulli” boton studimin e profesor Afrim Krasniqit.

Në dhjetor ’90 kur mori jetë sistemi i ri politik shoqëria shqiptare trashëgonte memorie gjysmake dhe të deformuar ndaj Pavarësisë dhe etërve themelues. Rreth gjysma e firmëtarëve dhe kontribuuesve të Pavarësisë ishin konsideruar përgjatë katër dekadave si armiq dhe kundërshtarë të regjimit, emri dhe kontributi i tyre ishin retushuar dhe censuruar, miti i PPSH dhe komunizmit ishte shumë më i madh sesa piedestali i Pavarësisë. Gjatë një anketimi të bërë disa vite më parë rreth kësaj periudhe, përqindja e atyre që besonin se E.Hoxha ka rol në Pavarësinë e vitit 1912 ishte shumë më i madh sesa konfirmimi për themeluesit e vërtetë, – një tregues i nivelit të lartë të dezinformimit, manipulimit dhe propagandës me të cilën më shumë se dy breza ishin formuar.

Për pasojë, procesi i ndryshimit të sistemit dhe ai i rehabilitimit, rishkrimit të të vërtetave historike dhe e krijimit të një historie kombëtare e shtetërore rezultoi të ishte shumë më i vështirë sesa ishte menduar. Motivet lidhen jo vetëm me nivelin e lartë të retushimit gjatë viteve 1946-1990 por edhe më mënyrën sesi mori jetë pluralizmi politik dhe sistemi i ri. Thirrja “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa“ dhe ato për Fishtën, Konicën, Frashërin, etj, paralajmëronin një fillim të ri në memorien historike. Teza që lidhen me bashkimin kombëtar, modelin demokratik të shtetit, liritë dhe kulturën, hapjen dhe identitetin, – zunë vend në ligjërimin e ri, në përpjekje për të fituar kohën e humbur historike dhe për të mbushur zbrazëtinë që rënia e regjimit po liste pas. Etja ishte më e madhe sesa hapësira për ndryshim dhe mekanizmat në dispozicion.

Rikthimi i himnit dhe simboleve shtetërore

Hapi i parë ishte ndryshimi, por në fakt ndryshimi nuk do të ishte kaq i thjeshtë dhe më shumë se akte populiste do të kërkonte ndryshim të sjelljes shtetërore, akte kushtetuese dhe ndërgjegjësim publik, – cilësi të brishta në vitet 90-91 në Shqipëri. Një muaj pas jetësimit të pluralizmit politik Presidiumi i Kuvendit Popullor nxori një dekret, sipas të cilit “përmendoret, bustet dhe memorialet e çdo lloji kushtuar figurave të ndritura të historisë dhe të kulturës së popullit tonë, heroit kombëtar Gjergj Kastioti- Skënderbeu; patriotëve të mëdhenj të Rilindjes, si vëllezërit Frashëri; luftëtarëve të shquar të Pavarësisë, si Ismail Qemali; personaliteteve të shënuar të luftës për demokraci, si F. S. Noli; udhëheqësit të Luftës Nacionalçlirimtare dhe themeluesit të shtetit të ri shqiptar Enver Hoxha dhe veprimtarëve të tjerë të shquar në jetën shumëshekullore të popullit tonë, janë monumente të paprekshme dhe mbrohen me ligj nga shteti“. Po ashtu me ligj do të mbroheshin edhe “flamuri kombëtar, stema e simbole të tjera të Republikës“.

Po cila mund të ishte lidhja midis Skënderbeut, Rilindjes, Luftëtarëve për Pavarësi, Fan Nolit dhe Enver Hoxhës? Natyrisht dekreti lidhej me emrin e fundit dhe vendosja në të njëjtën linjë e diktatorit me etërit e Pavarësisë dhe heroin kombëtar shpreh vazhdimësinë e mentalitetit abuzues të periudhës së partitë – shtet. Po ashtu, mbrojtja me ligj e stemës dhe simboleve të Republikës, të cilat në janar 1991 ishin simboli i Kongresit të Përmetit, kallinjtë e grupit dhe Ylli me pesë cepa, gjithashtu, jepnin mesazhin se pluralizmi politik është lejuar, por sistemi i mendimit dhe i sjelljes mbetet i njëjtë.

Në prill 1991, katër muaj pas pluralizmit, u anulua Kushtetuta e vitit 1976, e cila në nenin 3 vinte në kundërshti të plotë edhe me vetë pluralizmin, duke njohur PPSH si forcë të vetme udhëheqëse në shtet dhe në shoqëri. Deri në prill 1991 zyrtarisht Shqipëria vijonte të ishte Republikës Popullore Socialiste. Midis muajit prill 1991 dhe dhjetor 1991 Shqipëria nuk kishte asnjë ligj apo vendim rregullues për simbolet e shtetit dhe as hierarkinë e vlerave që ai duhet të nderonte.

Në dhjetor 1991 parlamenti mori në shqyrtim dy nisma ligjore, por vetëm një vit më vonë, në nëntor 1992, pas rotacionit të parë demokratik, parlamenti arriti të miratojë legjislacionin e parë mbi stemën e Republikës, simbolet shtetërore dhe festat zyrtare. Ligji i ri përcaktoi stemën e Republikës, duke rikthyer simbolet e periudhës së Pavarësisë së Shtetit, të nëntor 1912. Ai gjithashtu përcaktoi Himnin Kombëtar, të njëjtë me Himnin e mëparshëm, por me një dallim, duke shtuar strofën e ndaluar të Himnit ku citohej fjala “Zot”. Më tej ligji konfirmoi festën kombëtare dhe kryeqytetin.

Gara për 28-29 Nëntorin, ose Pavarësia e Paçliruar

Me ndërhyrjet ligjore mori jetë një konflikt i ri politik. Në fundin e vitit 1992 parlamenti shqyrtoi dhe miratoi Ligjin mbi Festat Zyrtare, përmes të cilit, hoqi nga kalendari i festave pjesën më të madhe të festave të periudhës komuniste, përfshirë edhe datën 29 nëntor, si dhe shpalli si festat fetare, të ndaluara prej dekadash në Shqipëri. Nëse për simbolet, stemën dhe himnin kishte konsensus politik të shumicës dhe pakicës parlamentare, për festat zyrtare vendimmarrja nxiti një pistë të re të konfliktit politik, e cila vijon edhe në ditët e sotme. Nëse teza e parë ishte se pati konsensus për korrektimin e gabimeve shtetërore e politike ndaj historisë, në rastin e 28-29 nëntorit shohim se kemi të bëjmë me keqpërdorim të festave e simboleve shtetërore, përfshirë edhe Ditën e Pavarësisë, për interesa politike dhe elektorale. Sjellja që partitë dhe qeveritë kanë manifestuar ka qenë dhe vijon të mbetet shumë larg standardit të një shteti e politike serioze.

Konkretisht, me një ndërhyrje të re ligjore në nëntor 1993, parlamenti përcaktoi se “28 Nëntori dita e Flamurit dhe e Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë”. Më 1997, pas rotacionit politik mazhoranca e re bëri ndryshime në ligj duke përcaktuar se “28 Nëntori dita e Flamurit dhe e Pavarësisë është ditë e festës kombëtare” dhe se “29 Nëntori dita e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë”. Pas rotacionit të dytë politik, 2005, mazhoranca e djathtë korrektoi qëndrimin e vitit 1992 dhe 1997 duke ruajtur datën 28 dhe duke shpallur ditë pushimi edhe datën 29 nëntor.

Prej fillimit të viteve ‘90 çështjet protokollare të shtetit rregulloheshin me Vendime të Këshillit të Ministrave. Sipas VKM “Për miratimin e ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë” në listën e ditëve të rëndësishme të nderimit përfshihej edhe Dita e Pavarësisë. Ceremoniali ka ndryshuar disa herë, kryesisht për shkak të raporteve me 28 dhe 29 nëntorin, si dhe me rolin e kryetarit të shtetit dhe kryeministrit, qeverisë qendrore dhe bashkisë në këto festime. Në tërësi VKM ka mbetur unike në elementët protokollarë: një vend të vecantë në Ceremonialin e Shtetit zë “ceremonia e ngritjes së flamurit kombëtar”. Ajo do të zhvillohej çdo 5 vjet në qytetin e Vlorës dhe do të paraprihej nga një Komision të Posaçëm Qeveritar, me pjesëmarrje të gjerë dhe një axhendë të ngjeshur me aktivitete.

Në dallim nga disa prej ditëve dhe ngjarjeve të tjera protokollare, Ceremonia e Flamurit në Vlorë është e përcaktuar me ligj në detaje, – përfshirë orën e nisjes dhe mbarimit, vendosjen e të ftuarve, rolin e secilit prej autoritetreve qëndrore e lokale, mënyra e ecjes dhe e qëndrimit, nderimi për himnin, 21 të shtënat e topit, kurora tek varri i Ismail Qemalit, fjalimi i Presidentit, përshëndetjet, vizitat në familjet e patriotëve dhe të dëshmorëve,si dhe dreka zyrtare ku kryetari i bashkisë duhet të ngrejë një dolli dhe të bëjë përshëndetje. Pjesë e ceremonialit është pritja zyrtare e Presidentit në të njëjtën datë në mbrëmje në Pallatin e Brigadave, etj.

Në variantin e VKM të vitit 2004 apo pas 2013 kur e majta është në pushtet, me vitet ’90 apo pas 2005, kur e djathta ishte në pushtet, dallim bën vetëm ndarja ose bashkimi i ceremonive të Flamurit me atë të Çlirimit. Kur e majta është në pushtet e djathta vendos kurora në Varrezën e Dëshmorëve me datë 28 nëntor dhe anasjelltas, kur e djathta është në pushtet e majta vendos kurora në Varrezat e Dëshmorëve me datë 29 nëntor! Madje kur një parti e djathtë dhe një e majtë bënë koalicion (PD-LSI 2009-2013) njëra festonte përsëri 28 nëntorin, tjetra vijonte me 29 nëntorin.

Gara për datën nuk ishin thjesht çështje paralelizmi, por edhe protagonizmi. Rivaliteti çoi një dominimin e një date dhe për pasojë, injorimin e tjetrës. Gjatë periudhës së qeverisjes së djathtë shumica e aktiviteteve zyrtare dhe kulmet festive datonin me 28 nëntor dhe ajo konsiderohej dita më e rëndësishme e vitit politik. Gjatë qeverisjeve të majta 28 nëntor kaloi në rend të dytë duke ia kaluar prioritetin, vëmendjen dhe investimin shtetëror datës 29 nëntor. Aq absurde por edhe këmbëngulëse është bërë kjo ndarje sa edhe në drejtimin e bashkisë Tiranë, gjatë qeverisjes së djathtë aktivitetet kryesore artistike datonin me 28, kurse gjatë të majtës vijojnë të datojnë me 29 nëntor. Madje edhe modeli i festimeve të njohur si Nata e Bardhë, iniciuar nga kryeministri Rama gjatë kohës që ishte kryetar bashkie në Tiranë, u ndërpre në mandatin e zotit Basha në krye të bashkisë dhe është rikthyer sot gjatë mandatit të zotit Veliaj në bashki. Axhenda e vitit 2017 e provon këtë tezë, ku megjithëse vit jubilar, (105 vjetor) aktiviteti kryesor i bashkisë është lajmëruar për mbrëmjen e datës 29 nëntor, duke lënë në hije axhendën që duhej të ishte prioritare, të Pavarësisë.

Nderimi i pjesshëm shtetëror për trashëgiminë e Pavarësisë

Kur dalim nga rrafshi i lartë institucional, – deklarimet publike e zyrtare, dhe biem tek veprat, emrat dhe ngjarjet konkrete, nuk është e vështirë të konstatohet se gjatë viteve të tranzicionit procesi i ri-takimit me Pavarësinë ka qenë spontan dhe ende mbetet i papërfunduar. Në listën e bilanceve pozitive bëjnë pjesë dhënia fund e censurës dhe informimi zyrtar mbi të vërtetat e Pavarësisë, sidomos për emrat e firmëtarëve të Deklaratës dhe rolin e tyre historik, të denigruar e të ndaluar gjatë periudhës komuniste. Ky proces vijon të ndodh, por gjithsesi nuk ka më dilemë se regjimi i kaluar i manipuloi faktet dhe se breza të tërë qytetarësh janë rritur dhe edukuar me informacione të deformuara për një pjesë të madhe të etërve themelues.

Shteti vetë nuk mund të imponojë zyrtarisht emrat e ngjarjet, por ai përdori mekanizmat e tij në disa përvjetorë ceremonialë për të korrigjuar gabimet e të kaluarës. Ceremonia e parë e madhe dhe gjithëpërfshirëse u bë në nëntor 1992 në Vlorë, dhe axhenda më e rëndësishme dedikuar Pavarësisë ndodhi me rastin e 100 vjetorit, më 2012. Pjesë e festimeve zyrtare ishin përfaqësues nga të gjitha komunitetet shqiptare kudo ndodhen, shteti njohu dhe mori përgjegjësi për nderim cilësor të Pavarësisë, disa objekte dhe memoriale u përuruan dhe një numër publikimesh dhe aktivitetesh plotësuese u mbështetën.

Kjo sjellje shtetërore megjithëse pozitive dhe reflektuese ndaj gabimeve të së kaluarës, përsëri u dominua më shumë nga nevoja për axhendë politike dhe koncepti i “aksionit” sesa nga axhenda institucionale, e përpunuar dhe afatgjatë. Rehabilitimi dhe rishkrimi i historisë gjithsesi ndeshën në debate të zjarrta publike, për shkak se palë të ndryshme, të motivuara politikisht, kërkonin në CV e themeluesve të shtetit momente pozitive ose negative, për të dhënë më pas vlerësime konfirmuese ose përjashtuese.

Aspekt tjetër kritik është akti i nderimit shtetëror. Më 2012 Presidenti i Republikës nderoi me dekoratën e Lartë “Nder i Kombit” të gjithë firmëtarët e Pavarësisë, dhe me titull më të lartë Ismail Qemalin dhe vetë qytetin e Vlorës. Në historinë e shtetit shqiptar kjo ishte hera e parë që shteti nderon të gjithë firmëtarët së bashku. Megjithatë, nëse analizohet arkivi shtetëror i nderimit, – gjejmë paradokse të mëdha. Për shembull, në momentin e nderimit, disa prej firmëtarëve të Pavarësisë rezultojnë se kishin marrë më parë dekoarata më të larta, dhe se vetëm pak muaj më pas, Presidenti i ri nisi të nderojë me tituj më të lartë se themeluesit e shtetit disa emra, midis të cilëve gjendet ndonjë themelues, por shumica pa rol zyrtar në ngjarjet e vitit 1912.

Për pasojë, në hierarkinë e nderimeve të shtetit më lart gjenden sot emra të tjerë, përfshirë edhe emra të politikanëve të zakonshëm të viteve ’20, ’30, ’40 apo edhe të tranzicionit të sotëm sesa etërit themelues. Për më tepër, të paktën dy kryeministra të tranzicionit pas ’90 dhe një duzinë zyrtarësh pa gjurmë të mëdha në memorien shtetërore kanë sot  dekorata e tituj më të lartë nderuese sesa, p.sh, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi, Hasan Prishtina, Nikoll Kaçorri, Vehbi Dibra, Abdi Toptani, apo emra të tjerë të të njëjtit kontribut në vitet e formësimit të shtetit. Madje edhe dekoratën që mban simboli i Pavarësisë, Ismail Qemali, e kanë sot gjithashtu edhe shumë figura dytësore të asaj periudhe apo të periudhave të mëparshme, përfshirë edhe zyrtarët më të lartë të vendit prej të cilit u ndamë për tu bërë të Pavarur.

I njëjti vlerësim jo proporcional meritash dhe nderimesh shprehet edhe në aktet e nxjerra nga organet e qeverisjes vendore dhe institucionet publike në Shqipëri që kanë një zë në këtë proces, siç janë universitetet, shkollat, institucionet e mbrojtjes, të sigurisë, të politikës së jashtme, etj. Në Shqipërinë e sotme të pas 27 viteve tranzicion është e vështirë të gjendet bashki, e cila ka nderuar të gjithë delegatët e saj të nëntorit 1912 në Vlorë, apo figura të tjera historike të zonës të periudhës së shtetformimit, por është e lehtë të gjenden ende emërtime të individëve me kontribute të mëdha kundër pavarësisë, përfshirë simbolin e lëvizjes anti-europiane të vitit 1914, Haxhi Qamili. Nga 61 bashkitë vetëm Tirana ka nisur një proces rishikimi dhe rivlerësimi, i cili ende nuk ka mbaruar dhe është ende larg standardeve moderne të vlerësimit, ndërkohë që bashkitë e tjera, përfshirë Durrësi, Elbasani, Korça, Dibra, madje edhe Vlora, Prishtina, Tetova, ende nuk kanë ndërmarrë asnjë hap serioz për rishkrim të historisë dhe vlerësime proporcionale ndaj zërave të tyre përfaqësues në Kuvendin e Vlorës dhe institucionet shtetërore që dolën prej tyre.

Një dukuri tjetër kritike për sistemin proporcional të vlerësimit lidhet me raportin midis individit me kontribute në vitin 1912 dhe vitet pasuese me statusin social e politik të trashëgimtarëve të tyre sot në shoqërinë shqiptare. Midis tyre gjenden vlera, sidomos kur botohen dokumente të reja apo publikohen arkiva të panjohura familjare. Por, në tërësi, shumica e këtyre botimeve, konferencave, dhe e nderimeve zyrtare, politike, etj, e gjejnë shpjegimin tek lidhja familjare midis individit të promovuar dhe atij që sot ka post, ka ndikim publik, ka mundësi financiare apo ka lidhjet e duhura për lobing.

Në këtë proces të rishkrimit familjar të historisë më shumë se histori dhe profesionalizëm gjenden lavde familjare dhe vlerësime folklorike. Modeli i zyrtarit në periudhën komuniste që përmes pushtetit arriti të përfshijë emrin e xhaxhait të tij në realizimet më të mira filmike mbi Pavarësinë, kanë shumë ngjashmëri abuzive me modelin e djeshëm të tranzicionit kur për shkak të postit i jepet një paraardhësi familjar shumë më tepër vend e nderim sesa etërve themelues të shtetit apo me modelin e sotëm kur i njëjti mekanizëm spekulativ kërkon të promovojë ngjarje periferike historike si ngjarje kulmore të Pavarësisë, vetëm për shkak se aty ndodhet emri i një të afërmi të pushtetarit të radhës. Kjo praktikë abuzive dhe selektive, ka penguar krijimin e një sistemi vlerësues proporcional nga ana e shtetit dhe ka ndikuar në përpjekjet për imponimin e historive familjare si interesa kombëtare.

Nderimi i pjesshëm shtetëror për trashëgiminë e Pavarësisë

Merita më e madhe gjatë këtyre viteve në rishkrimin e historisë u përket studiuesve, historianëve dhe të gjithë atyre që kanë kaluar muaj e vite nëpër arkiva për të zbuluar fakte e të dhëna që e bëjnë memorien ndaj Pavarësisë më të plotë, më cilësore, më profesionale dhe më shteruese. Meritë e tyre është botimi gjatë këtyre viteve i disa dhjetëra volumeve me dokumente të pa censuruara nga arkivat britanikë, austriakë, italianë, amerikanë, rusë, turk, grekë, etj, ashtu edhe nxjerrja nga pluhurat e harresës dhe censurës të dokumenteve me vlerë historike nga arkivat tona dhe të rajonit.

Meritë e tyre është gjithashtu provokimi pozitiv i debateve mbi përmbajtjen dhe rëndësinë e dokumenteve historike, duke i lidhur ato me meritat dhe rolin e shumë prej individëve të cilët më pas gjatë jetimit të shtetit kanë pasur karrierë shpesh të ndryshme politike, si dhe ato mbi rolin e faktorëve ndërkombëtarë, rolin e elitave civile e fetare si dhe rolin e komuniteteve tona lokale. Edhe debati mbi numrin e themeluesve, nëse duhet kufizuar vetëm në 40 emrat e nënshkruesve në deklaratën e Pavarësisë dhe nëse duhen përfshirë edhe 33 emrat e tjerë që erdhën më vonë dhe ata që iu bashkuan punimeve të Senatit, – mbetet në çdo rast profesional dhe lidhet me këndvështrime të ndryshme të metodikës studimore. Por, nëse debati mbi ngjarjet dhe faktorët e tjerë ka qenë shumë profesional, ndihmues, qartësues dhe frymëzues, – debati për figurat historike kryesore ka mbetur peng i modelit politik të 28-29 nëntorit, pra gjykimi shpesh apriori.

Nisma të tjera të veçanta me vlerë, siç janë botimi i krijimtarisë së shumë prej figurave politike të viteve ’12 dhe ’20, hapja e muzeve lokale, botime të posaçme studimore, konferenca dhe kërkime shkencore, në tërësi kanë qenë e janë pozitive, megjithëse në kushtet e një buxheti minimal financuar shtetëror gjatë 27 viteve. Ato janë nxitur më shumë nga nevoja protokollare dhe pasioni i studiuesve sesa nga ndonjë projekt konkret shtetëror apo axhendë afatgjatë.

Ky bilanc vlerësues dhe as problemet ekonomike në të cilat ka kaluar Shqipëria gjatë tranzicionit nuk justifikojnë faktin se Shqipëria ende nuk ka një Muze dinjitoz për Pavarësinë, siç nuk ka një sistem dinjitoz vlerësimi, nderimi dhe kultivimi të memories historike. Ndërtesa muzeale në Vlorë është simbolike, jashtë standardit të muzeve kombëtare, e rrethuar nga kioskat e tranzicionit dhe e vështirë për të përçuar në pamje dhe përmbajtje qoftë simbolikën ashtu edhe rëndësinë e aktit dhe momentit historik që përfaqëson.