Horror në Librazhd, xhaxhai var në pemë nipin 4 vjeç dhe poston foton në FB

Publikuar më 14. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Nikoleta Kovaçi

Policia nis procedimin për Fatri Methasën. Si abuzohet me të miturin deri në kufijtë e shtazarakes. Kushëriri i dhunuesit denoncon publikisht aktin e padëgjuar më parë

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Librazhd. Madje është në kufijtë e të paperceptueshmes. Prej më shumë se 24 orësh qarkullon në internet pamja e një fëmije të varur në një pemë. Fëmija që qan dhe që është i trembur, pasi është të paktën gjysmë metri mbi tokë, i vënë në degën e një peme, degë në të cilën është futur fanella e vjetër e djalit vetëm 4 vjeç që rri në ajër dhe kthen shikimin nga personi që po e fotografonte. Pamja horror është shpërndarë nga një kushëri i autorit të kësaj ngjarjeje të padëgjuar më parë, pasi ai është në dijeni të gjithë dhunës barbare që ushtrohet mbi atë fëmijë katër vjeç. Kushëriri i tyre ka bërë publike jo vetëm foton, por edhe autorin e kësaj dhune; ai quhet Fatri Methasa dhe është xhaxhai i djalit M.B!

Të dhënat e para tregojnë se fëmija dhunohet thuajse sistematikisht nga ky person, ndërsa skandali thellohet kur hyn në profilin e tij në Facebook dhe shikon se si vetë xhaxhai dhunues e ka hedhur si foto djalin të varur në pemë. Madje ai shpjegon edhe arsyen se përse e kishte kryer atë veprim monstruoz. Nuk dihet se si është historia e asaj familjeje por denoncuesit e skandalit kanë treguar se dhunuesi që nga divorci që ka bërë me bashkëshorten e tij, që me sa duket ajo i ka rrëmbyer edhe fëmijën ka nisur torturimin e djalit të vëllait të tij. Policia bën me dije se shpejt do të merren masat e duhura në lidhje me atë rast të pahasur më parë!

Denoncimi i kushëririt të dhunuesit  

Fëmija me inicialet B. M., nga një fshat Dragostunjë të Librazhdit është vetëm 4 vjeç dhe dhunohet në mënyrë barbare nga prindërit dhe xhaxhai i tij 29-vjeçari, Fatri Methasa. Denoncimi është bërë publik nga një i afërm i të miturit, i cili ka qenë prezent në shumë raste dhunimesh. Sipas denoncuesit, gabimet e 4-vjeçarit ndëshkohen në mënyrë kafshërore sidomos nga xhaxhai, i cili momentalisht po kalon dhe një gjendje të rëndë psikologjike për shkak të divorcit.

Gjithë fshati është në dijeni të abuzimeve me fëmijën, pasi të qarat dhe të bërtiturat e tij dëgjohen deri larg, megjithatë askush nuk ndërhyn. Në Facebook-un e tij me profil të rremë (Fati Librazhd), 29-vjeçari ka arritur deri aty sa ka postuar një foto ku tregohet fëmija i varur pas një gabimi të supozuar. “Ja çfarë bën Babaloku, ato që bëjnë faj Babaloku i dënon me varje” shkruan personi që ka kryer edhe aktin e rëndë.

Por më drithërues është komenti i tij poshtë fotos kur shprehet se: “Xhaxhai e vari qenin se ia kishte sjellë në majë të hundës” ndërkohë që si duket ai fëmijë shpesh herë është viktimë e dhunës dhe e barbarisë së familjes së tij.

Policia

Referuar të dhënave që vijnë nga policia e shtetit bëhet me dije se tashmë çështja është referuar dhe se me të po merren ekspertët e posaçëm policor. Është ndërhyrë në profilin e personit dhe se janë marrë të gjitha të dhënat e tij e kanë nisur hetimet dhe verifikimet. Policia saktëson se brenda pak orësh do të mësohen hollësitë e ngjarjes dhe do të vendoset edhe për fatin e fëmijës, pasi rasti i këtij djali vetëm katër vjeç është përsëritur pak ditë më parë në Durrës ku policia u desh të ndërhynte dhe të merrte dy fëmijët e një çifti që ushtronin dhunë sistematike mbi ta. Burimet policore treguan se do të merren në pyetje edhe autoritetet lokale, familjarët e shumtë të të miturit dhe do të nisë procedimi për aktin horror!