“Honoris Causa” për kolonel Sulejman Abazin, simbolin e Sigurisë Kombëtare

Dr.Sulejman Abazi nderohet me titull nga Akademia Botërore e Paqes. Përtej pozicionit të kolonelit në Ishullin e Sazanit dhe në Luftën e Kosovës, Abazi rrëfen, se ushtarakët janë në shërbim të kombit, shtetit dhe paqes, edhe kur e mbyllin misionin e tyre

Ai konsiderohet si një nga personalitetet më të larta ushtarake të vendit tonë, si simbol i Sigurisë Kombëtare. Dr. kolonel Sulejman Abazi, është nderuar ditën e djeshme nga Akademia Botërore e Paqes e Kombeve të Bashkuara, me titullin “Honoris Causa” për kontributin e tij në fushën e Sigurisë Kombëtare dhe atë të Humanitetit. Një veprimtari fisnike, që do të vazhdojë pasi siç shprehet edhe vet kolonel Sulejmani: “Ushtarakët edhe kur e mbyllin misionin e tyre, vazhdojnë të jenë në shërbim të kombit, shtetit dhe paqes”.

Kjo ceremoni u zhvillua në praninë figurave të rëndësishme kombëtare, si kryetari i Partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, e ndërkombëtare, si kryetari i Akademisë Botërore të Paqes, Dr. Madhu Krishan, i cili është mik dhe mbështetës i trojeve shqiptare. Për t’i dorëzuar titullin ishte përzgjedhur edhe z.Petro Koçi (zv. Ministër i Mbrojtjes), i cili shprehu kënaqësinë e veçantë dhe nderimet e tij ndaj Dr. Sulejman Abazit, si një nga figurat më me peshë në strukturën e Forcave të Armatosura. Vlerësim i veçantë iu bë edhe nga guvernatori i Misionit për Paqe dhe Prosperitet Shefki, Hysa, i cili e veçoi këtë personalitet, si një nga figurat përfaqësuese jo vetëm të Sazanit, por edhe te të Sigurisë Kombëtare.

Shefki Hysa

Guvernatori i Misionit për Paqe edhe Prosperitet gjatë dorëzimit të titullit u shpreh, se personaliteti i Abazit më shumë sesa simboli i Sazanit, është simbol i Sigurisë Kombëtare. “Është një personalitet me shumë vlera ushtarake. Një ndër ushtarakët më të respektuar në fushën e sigurisë. Prandaj, është nderë, që Akademia Botërore e Paqes e Kombeve të Bashkuara të vlerësojë këtë personalitet, me “Honoris Causa”, në fushën e Sigurisë Kombëtare edhe Humanitetit”. Hysa për dorëzimin e titullit ftoi mikun e shqiptarëve, Dr. Madhu Krishan, kryetarin e Akademisë Botërore të Paqes, i cili prej 40 vitesh punon, si drejtues i Akademisë Botërore, për paqen, por edhe si patriark i pakicave të konvertuara me dhunë. “Dr. Krishan është shumë mirënjohës edhe për Shqipërinë, për faktin se është një ndër personalitetet bamirëse të bekuar nga shenjtorja jonë Shën Tereza, e cila e ka ushqyer me përshesh me qumësht. Për këtë fakt ai ndihet mirënjohës dhe përpiqet të jetë më prezent në trojet shqiptare”, thotë Hysa.

Dr. Madhu Krishan

Kryetari i Akademisë Botërore të Paqes, Dr. Madhu Krishan gjatë dorëzimit të titullit tha se:“Pavarësisht se njerëzit në pamje të jashtme duken ndryshe, apo pavarësisht se dikush është nga Amerika Latine apo ajo e Veriut, Afrika etj., nga anatomia së brendshmi jemi të gjithë njësoj”. Prandaj, sipas tij, nuk duhet të lindin konflikte kur të gjithë njerëzit jetojnë në rruzullin tokësor, në një planet. “Jemi këtu që të nderojmë me titullin Honoris Causa një gjeneral, një personalitet të lartë, siç është dr. Sulejman Abazi”, tha Krishan. Akademia Botërore e Paqes ka rreth 30 mijë anëtarë me misione të ndryshme në mbarë botën.

Petro Koçi

Ish-zv.ministri i Mbrojtjes Petro Koçi u shpreh se duhet t’i jemi mirënjohës dr.Abazit, i cili ka kontribuar për Sigurinë Kombëtare dhe sidomos për përgjegjësinë, si kolonel në Ishullin e Sazanit. Një kontribut i gjerë i Dr. Sulejmanit në strukturën e Forcave të armatosura, që përbën “një veprimtari me të cilën ai është lidhur edhe nuk do të zgjidhet dot kurrë, pavarësisht sfidave të gjera të jetës”, thekson edhe zoti Koçi.

Sulejman Abazi
Në përfundim të aktivitetit dr.Sulejman Abazi falënderoi të pranishmit edhe familjarët e tij. Për të ky event i veçantë edhe i rëndësishëm e pasuron edhe më shumë punën që ka bërë. “Ne ushtarakët edhe kur e mbyllim misionin tonë vazhdojmë, që të jemi në shërbim të kombit, shtetit dhe paqes”, përfundon koloneli.

Veprimtaria e dr.Sulejman Abazit

Profesor dr.Sulejman Abazi ( 7 maj 1954) lind në Vlorë. Arsimin fillor e kreu në vendlindje. Ndërsa, shkollën e mesme ushtarake e kreu në Tiranë (1969-1972). Arsimin e lartë e kreu në Tiranë (1972-1976). Pas diplomimit nisi karrierën e suksesshme ushtarake, që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës së tij edhe me detyra të tjera, që ka kryer janë, si komandant i Ishullit të Sazanit në vitin (1986- 1992). Ka punuar në zonën e Kukësit gjatë Luftës në Kosovë (1999). Ka kryer specializime për planëzimin e shkencave edhe marrëdhënien me jashtë në Akademinë e Mbrojtjes. Ka punuar si pedagogë gjatë viteve (2002-2003) në Tiranë, ka qenë anëtar i bordit drejtues të politikave të Sigurisë Kombëtare në Tiranë etj. Ka pasur detyra të ndryshme në strukturën ushtarake të Forcave të Armatosura, pedagog në Akademinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, pedagog në Fakultetin e Shkencave politike në Universitetin “Iliria” në Prishtinë (2016), vazhdon të jetë kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare në Partinë ZGJIDHJA (2017). Është Ambasador i Paqes prej vitit 2005, kryeredaktor i gazetës online “Trojet” etj.

Gjatë karrierës është vlerësuar me një sërë titujsh edhe dekoratash, edhe është certifikuar me një sërë trajnimesh brenda edhe jashtë vendit.

Është dekoruar me katër urdhëra dhe medalje nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe është doktor i shkencave në Psikologji në UT. Ka qenë pjesëmarrës në seminarin Tiranë-Berlin mbi drejtimin e brendshëm dhe marrëdhënien me publikun etj. Është trajnuar me certifikata në seminare të përbashkëta të Forcave Tokësore në SHBA. Gjithashtu është certifikuar në nivelin drejtor i qendrës Investigative “Stop Krimit”, për luftën kundër terrorizmit dhe luftës së organizuar. Përveç këtyre titujve edhe trajnimeve Abazi nuk njihet vetëm për vlerat që ka, si drejtues i lartë i strukturës ushtarake, por ai ka dhënë edhe një kontribut të madh në sferën e botimeve shkencore, si: “Hapësira social-psikologjike”, në FA, “Psikologjia e ndryshimit” në FA, “Psikologjia e luftës kundër luftës”, “Strategjia e sigurisë në filozofinë e bashkimit shqiptar”, “Çështja çame në strategjinë tonë kombëtare”, “Sazani, ishulli i perëndive” etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet