Historia romantike e mbretëreshës së Shqipërisë

Publikuar më 06. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Në dokumentarin “Trëndafili i Tiranës”, Frédéric Mitterrand rrëfen në mënyrë të mrekullueshme jo vetëm jetën e konteshës së re hungareze Géraldine Apponyi, që u martua me Mbretin Zog në 27 Prill 1938, por njëkohësisht edhe historinë e Shqipërisë

Disa fate njerëzore edhe pse shumë reale reflektojnë në brendësi të historisë një shkëlqim tejet romantik. Ai i konteshës hungareze të zhveshur nga petku i pasurisë është një provë e rrallë e kësaj veçantie. Dokumentari “Trëndafili i Tiranës” i transmetuar këtë të martë në “Arte”, e që mban firmën e Frédéric Mitterrand, na e tregon këtë me mjeshtëri. Nëpërmjet zërit të tij të jo pak të njohur nga njerëzit, dhe një fjalori poetik, ish- Ministri i Kulturës, Nicolas Sarkozy flet jo vetëm për portretin e një gruaje të jashtëzakonshme, por edhe për mbretin e shqiptarëve Zogu I, me të cilin ajo u martua në 27 prill të vitit 1938 në Tiranë.

Përtej këtyre dy personazheve në dokumentar flitet gjithashtu për shpirtin e një vendi të vogël që i hapi dyert modernitetit nën udhëheqjen e sovranit të tij, përpara se të binte në apokalipsin fashist e më pas brenda diktaturës komuniste. “Jam shumë e prekur ndaj simpatisë që bota tregon ndaj meje”, deklaroi përpara gazetarëve e fejuara zyrtare e mbretit të atëhershëm të shqiptarëve, që prej vitit 1928. Vajza e re 23-vjeçare, e cila fliste një anglishte të rrjedhshme, në ekran reflektonte bukuri dhe elegancë. Babai i Géraldine Apponyi vinte prej një familjeje të madhe e të njohur aristokrate, ndërsa e ëma prej shoqërisë së lartë amerikane. U arsimua në shkollën prestigjioze të konvikteve katolike të Pressbaum-it, në Vjenë.

Gjatë një balloje ku ishte e ftuar në 1938-ën, bukuria e Geraldinës bëri përshtypje të madhe. Fotografia e vajzës së re realizuar pikërisht gjatë kësaj mbrëmje u publikua në një revistë mondane austriake që ra në duart e motrave të Zogut I. Mbretit të vetëshpallur të Shqipërisë, 43-vjeç asokohe, nuk mund të mos i bënte përshtypje një bukuri e tillë. Ai e fton Geraldinën për të zbuluar vendin e tij dhe më pas i propozon për martesë. Edhe pas ngurrimit të familjes Apponyi dhe refuzimit të Vatikanit për të bërë një përjashtim bashkimin ndërmjet një myslimani dhe një katolikeje, ceremonia civile ishte e mahnitshme dhe tepër entuziaste jo vetëm për popullsinë shqiptare, por edhe në sytë e gjithë botës.

Sovranë modern

Duke u bërë mbretëreshë e shqiptarëve, Geraldina bëri që bashkëshorti ta afirmonte edhe më shumë imazhin e tij si një udhëheqës modern. Që nga viti 1922 dhe pranimi i tij në postin e kryeministrit dhe më pas si President,  e në fund kurorëzimi i tij si mbret, Ahmet Zogu, kishte pasur si model Presidentin e Republikës Turke, Atatürk, për mënyrën e vendosjes së rendit në vendin e tij të minuar prej luftimeve të pandërprera të klaneve. Sigurisht që, zgjedhja për të zbatuar sistemin monarkik nuk kishte asgjë shumë republikane, dhe Ataturku nuk ngurroi ta linte dishepullin e tij, mirëpo Ahmet Zogu e kishte ndjekur këtë rrugë për një arsye të mirë, për të siguruar më në fund, një stabilitet politik në Shqipëri. Kështu ai nisi të merrte iniciativa konkrete për zhvillimin e atdheut të tij, për shembull, duke ndërtuar ura dhe rrugë. Zogu I, i cili ishte shumë i lidhur me gjashtë motrat dhe nënën e tij, nisi të jetë ambicioz përsa i përket emancipimit të grave, duke lejuar që të mos veshin vello dhe të bëheshin qytetare me të drejta të plota.

E megjithatë, pavarësisht prestigjit të pamohueshëm ndërkombëtar, monarku ka vuajtur gjatë gjithë kohës presionin fashist, në mënyrë të veçantë prej dhëndrit të Musolinit, Gian Galeazzo Ciano. Deri në atë pikë, sa që në 7 Prill të 1939-ës, Shqipëria u pushtua nga ushtarët italianë. Mbreti Zog reagoi, duke dhënë një mesazh rezistence në radio, mirëpo fashistët kishin menduar edhe për të sabotuar transmetuesit.

Në këto kushte çifti mbretëror dhe djali i tyre Leka, morën rrugën për në mërgim. Përpara se të mbërrinin në Francë në gusht të 1939-ës e në Angli në 1940-ën, ata kaluan në Turqi, Rumani dhe Poloni.

Zogu I nuk u kthye kurrë më në vendin e tij, Ai u vendos me gruan e tij në rivierën franceze në vitin 1952, ku edhe u nda nga jeta në 1961-in. Në kuadër të një ligji që autorizonte kthimin e ish-familjes mbretërore, Geraldine u kthye në Shqipëri në qershor të vitit 2002 ku ka është pritur si heroinë. Ajo vdiq katër muaj më vonë.

 

Elia Zaharia Zogu

Për jetën e Mbretëreshës Geraldine dhe Mbretit Zog janë bërë libra, edhe dokumentuar pamje. Ky dokumentar i realizuar nga gazetari francez Frederic Miterrand, është konsideruar nga aktorja Elia Zaharia Zogu, një material të çmuar për jetën e Mbretit e Mbretëreshës shqiptare. Elia Zaharia Zogu, gruaja e Princit, e konsideron dokumentarin, një arritje të madhe për popullin shqiptar. Ajo shkruan ndër të tjera në profilin e saj në “Facebook”: “Të dashur miq, linku i mëposhtëm përmban dokumentarin më të bukur të realizuar ndonjëherë për Mbretëreshën Geraldine, Mbretin Zog, Shqipërinë e atyre viteve dhe jetën në mërgim. Është realizuar mjeshtërisht nga gazetari më i mirë francez, Frederic Mitterrand, i cili ka hulumtuar në arkivat e të gjitha shteteve ku Familja Mbretërore ka jetuar, dhe ka sjellë këtë material kaq të çmuar!…

Kjo është dhurata më e çmuar që na bëhet në këtë fillim viti, në radhë të parë si familje, por mbi të gjitha si shqiptarë. 90-vjetori i Mbretërisë Shqiptare trokiti me gjithë dinjitetin që meriton! 1 orë e 10 minuta në Tv arte nuk arrihet lehtë për një shtet. Ndaj edhe një herë, faleminderit “Trëndafilit të Bardhë”, që edhe nga bota e engjëjve i shërben vendit që deshi aq shumë! Miterrand shkon nëpër historinë e gruas hungarezo-amerikane që u bë e dashur për shqiptarët, e quajtur edhe “Trëndafili i bardhë i Tiranës, me një dasmë e cila u transmetua në Radio Tiranë për të gjithë popullin shqiptar.

Marrë nga “Tvmag.lefigaro.fr”

Përshtati në shqip: Valeria Dedaj