Historia e bukur e Xhakomo Vrionit, nga Seria D te Sampdoria dhe fanella kuqezi

Dje gjeti golin me fanellën e U21 të Shqipërisë kundër bashkëmoshatarëve të drejtuar nga Xhixhi Di Biaxhio, ndonëse ky gol nuk i mjaftoi për të sjellë në shtëpi një rezultat pozitiv. Por paraqitja e Xhakomo Vrionit, sidomos në pjesën e dytë, ishte e një tjetër niveli. Një histori e veçantë ajo e bomberit 19-vjeçar të cilin Sampdoria, pasi i zgjati kontratën deri në vitin 2022, e dërgoi të merrte eksperiencë në Serinë B nën drejtimin e trajnerit të Venecias, Stefano Veki, një person që di të merret me talentet.

Tre ndeshje deri tani të siguruara mes kampionatit dhe Kupës, të gjitha nga minuta e parë, sinjal i qartë i besimit që ka stafi i kësaj skuadre. I lindur më 15 tetor të 1998 në San Severino Marke nga prindër shqiptarë, Vrioni kishte mundësinë që të luante me përfaqësueset italiane U18 dhe U19. Tani erdhi thirrja nga Shqipëria U21, në pritje të një vendimi përfundimtar (që vuloset me aktivimin me ekipin A). Ai ra në sy në ndeshjen e djeshme, duke luftuar si një luan i vetëm kundër mbrojtjes së të kaltërve dhe duke vënë disa herë në vështirësi Auderon, për ta mposhtur në minutën e 91-të me një të majtë me harkim.

Ndaj Vrioni shfaqi jo vetëm lojën e tij të mirë fizike, por edhe teknikën e bazës që e bëjnë një nga lojtarët më premtues të futbollit europian. Një paraqitje  e veçantë duke llogaritur se dje, në tribunën e stadiumit ulej edhe babai i tij, Arbeni. Vrioni u ‘zbulua’ në vitin 2015 nga menaxheri  Silvio Paljari kur luante në akademinë e Matelika (klub në Serinë D, ku zhvillonte ndeshje me të rinjtë dhe ekipin e parë, edhe pse në moshë të re) dhe ai ia sinjalizoi Sampdoria. Klubi gjenovez nuk humbi kohë dhe e mori menjëherë, duke e bërë të firmoste fillimisht një kontratë deri në vitin 2020, të cilën më pas e zgjati pak muaj më parë deri në qershorin e vitit 2022.

Ai kështu filloi ecurinë e tij në ekipin U17 të këtij klubi, ku shënoi 3 gola në 8 ndeshje nën drejtimin e Françesko Pedone, duke debutuar te ekipi i të rinjve në marsin e atij viti. Në dy sezonet në vijim, realizoi 17 gola me ekipin e të rinjve të drejtuar nga Xhovani Invernici, Marko Masi dhe Françesko Pedone, duke fituar thirrjet në kombëtare e moshave të Italisë, fillimisht me U18 e më pas me U19, nën drejtimin e Marko Baronio.

Vitin e kaluar u dërgua në Serinë C për të marrë eksperiencë te Pistoieze, me trajneri Indiani në pankinë, duke shënuar 8 gola në 1443 minuta lojë. Praktikisht një gol në çdo dy ndeshje për djaloshin e ri.

Tani, e kishte radhën Seria B, me drejtorin sportiv të Venecias, Valentino Anxheloni, i cili e kërkoi me ngulm derisa siguroi huazimin e tij. Ndërsa presidenti i Sampdorias, Masimo Ferrero, fërkon duart duke ditur se ka nën kontratë një lojtar me të tashme të rëndësishme dhe të ardhme të shndritshme. /Vipsport/Calciomercato.it/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet