Hipotekat, kërkohet shtyrja e afatit

Publikuar më 01. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Neritan Gjergo

Mundësia për të rivlerësuar pasuritë e patundshme me taksa të ulëta është shfrytëzuar masivisht nga qytetarët, megjithatë me mijëra pronarë nuk ia kanë arritur të përfitojnë nga vendimi, afati i të cilit tashmë është mbyllur.  Ditën e fundit të “ofertës”, në dyert e qendrës ku kryhen aplikimet, qytetarët kanë pritur me orë të zgjatura në radhë për të përfituar nga mundësia. Megjithatë vlen të theksohet se një dyndje e tillë është vërejtur periodikisht për 8 muaj, dhe sipas punonjësve në sportelet e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme numri i personave që rivlerësuan pronat llogaritet të jetë 40-50 mijë. Rivlerësimi i pasurisë nga vlerat historike, në vlerat e tregut, duke marrë si dysheme vlerën minimale fiskale të referuar, bëri të mundur që qytetarët por edhe sipërmarrjet, të krijojnë mundësinë që në referencë të çmimeve dhe vlerës së pronës së tyre, në ZRPP të kenë vlerën reale të tregut. Pagesa për ta ishte 2 për qind mbi diferencën e vlerës së tregut me vlerën historike, ndërsa nga sot ajo aplikohet 15 për qind, një kosto shumë më e lartë se vendimi që ndërmori Ministria e Financave.

Ankesat

Edhe pse e kanë vlerësuar si një mundësi të mirë, shumë qytetarë që ishin dje në Hipotekë, kanë kërkuar shtyrjen e procesit, jo për shkak të neglizhencës së tyre, por për shkak të pamundësisë që u është shkaktuar nga radhët e gjata në zyrat e pritjes së Hipotekës. Dje ata ankoheshin për radhët e gjata dhe për ritmin e procesit, një ritëm që i la disa prej tyre jashtë mundësisë. “Unë kam prerë një biletë dhe më duhet të pres në radhë 44 vetë, ku vetëm koha e një aplikanti shkon deri në 15 minuta. Kam ardhur edhe më parë, por këtu është skandal. S’kemi parë ndonjëherë të pritet me orë të tëra”, u shpreh një qytetar për “Shekulli”-n.

Në muajin shkurt, qeveria e shtyu afatin deri më 31 maj për shkak të fluksit të lartë të qytetarëve që kërkonin të rivlerësonin pronën. Por, qytetarët kërkojnë ende kohë. “Kam dy muaj që qëndroj këtu. Problemet kanë ardhur që nga hipoteka, sepse na kanë zvarritur. Qeveria na e bëri njëherë një nder, që na e hapi dritaren për hipotekim, tani ta shtyjë edhe pak, sepse ne të pallateve ngelemi. Zona ku jam unë, te Fresku, është e gjitha e pa hipotekuar”, thotë qytetari. Nga muaji shtator, kur nisi procesi e deri më tani, vetëm në Tiranë janë kryer rreth 30 mijë aplikime për rivlerësim. “Ne kemi qenë të hapur edhe ditëve të shtuna, nga muaji shtator e deri më sot.

Por si gjithmonë, qytetarët e lënë për në momentin e fundit”, tregon një punonjëse e ADISA-s, në Hipotekë. Sipas ligjit, shitja e një prone i nënshtrohet taksës 15 për qind mbi diferencën e çmimit të shitjes, me atë të blerjes. Meqenëse shumë prona në Shqipëri janë blerë në kohën kur çmimet ishin shumë të ulëta, Ministria e Financave u mundësoi qytetarëve të rivlerësojnë këto prona, duke paguar vetëm 2 për qind. Buxheti i shtetit deri në fund të shkurtit ka arkëtuar rreth 20 milionë dollarë, ndërkohë që për shkak të kësaj takse të ulët, qytetarët kursyen 156 milionë dollarë.

Pra, nëse tatimi për rivlerësimin e pronës do ishte 15 për qind, pagesa do të ishte 156 milionë dollarë më shumë. Kursimi qe i dukshëm dhe ajo që vlen të theksohet është se vlera e rivlerësuar e pasurisë së qytetarëve, pra vetëm diferenca (nga vlera historike, në vlerën e tregut) në kaq pak muaj është 1 miliard dollarë plus. Por duke llogaritur edhe vijimin, pra ditën kur afati i parë u shty deri dje, kjo vlerë tashmë mbërrin  në 2 miliardë plus dhe qytetarët në total kanë kursyer afro 320 milionë dollarë.

Afati përfundimtar i kësaj lehtësie ishte parashikuar fundi i muajit shkurt. Por për shkak të fluksit të lartë të aplikimeve, Ministria e Financave i propozoi qeverisë shtyrjen e afatit deri në 31 maj, ndërsa tashmë nuk dihet nëse do të ketë një vendim të dytë për ta shtyrë sërish afatin e rivlerësimit të pronës me pagesën e tarifës 2 për qind.

Mundësitë

Vendimi u mundësoi qytetarëve të bënin rivlerësim edhe nga ekspertë privatë të licencuar, por për shkak të kostos më të lartë, numri i atyre që zgjodhën këta të fundit ishte shumë i vogël. Kur vlerësimi bëhej nga një ekspert i licencuar, atëherë formulari që do t’i dorëzohej hipotekës i bashkëlidhej edhe fotokopja e licencës së vlerësuesit të pasurisë, si dhe akti origjinal i vlerësimit të pasurisë së nënshkruar dhe të vulosur nga eksperti vlerësues i pasurisë. Ndërkohë, nga hipotekat, shtëpitë e qytetarëve u  rivlerësuan në bazë të çmimeve minimale fiskale.

Në këtë rast, tatimi 2 për qind që paguhet u llogarit si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet minimale fiskale në fuqi dhe vlerës së pasurisë së aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi. Tashmë, nga kjo procedurë nuk ndryshon asgjë përjashtim të tatimit që kthehet sërish në vlerën 15 për qind.