Hilari Klinton mund të hetohet

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Dionis Xhafa

Zoti Boyd tha se prokurorët do të raportojnë drejtpërdrejt tek Prokurori i Përgjithshëm Sessions dhe Zëvendësi i tij Rod Rosenstein dhe do të japin rekomandimet e tyre nëse duhet të hapen apo të zgjerohen hetimet

Dionis Xhafa

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions po dëshmon para Komisionit të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve, ku pritet të përballet me pyetje në lidhje me urdhrin që u ka dhënë prokurorëve të lartë federalë për të për të parë nëse është me vend të hapen hetime për një numër çështjesh të ngritura nga ligjvënësit republikanë, shkruan Zëri i Amerikës. Kryetari i Komisionit, Robert Goodlatte i kërkoi zotit Sessions në korrik dhe shtator që të caktojë një hetues të posaçëm për të shqyrtuar akuzat për bashkëpunim mes fushatës së zonjës Hillary Clinton dhe Komitetit Kombëtar të Partisë Demokrate. Çështje të tjera që ata kanë kërkuar të hetohen janë edhe përdorimi prej saj i një serveri privat e-maili në kohën kur ajo ishte Sekretare e Shtetit, Fondacionin Clinton dhe blerja e minierave të uraniumit amerikan nga një kompani e mbështetur nga Rusia. Në letrën që ligjvënësi Goodlatte i kishte dërguar Prokurorit Sessions, kërkohej gjithashtu shqyrtimi i disa aspekteve të hetimit nga FBI-ja të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016. Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm Stephen Boyd u përgjigj në një letër të hënën ku thoshte se Sessions u ka kërkua prokurorëve të merren me vlerësimin e “çështjeve të caktuara” të ngritura nga ligjvënësi Goodlatte. Zoti Boyd tha se prokurorët do të raportojnë drejtpërdrejt tek Prokurori i Përgjithshëm Sessions dhe Zëvendësi i tij Rod Rosenstein “sipas nevojës” dhe do të japin rekomandimet e tyre nëse duhet të hapen apo të zgjerohen hetimet. Ai më tutje u zotua se Departamenti i Drejtësisë “nuk do të vlerësojë asnjë çështje që nuk bazohet në fakte dhe në ligje”. Presidenti Donald Trump ka kritikuar ashpër një hetim nga ish-shefi i FBI-së Robert Mueller rreth rolit të Rusisë në zgjedhjet dhe rreth bashkëpunimit të mundshëm të saj me fushatën e zotit Trump. Agjencitë amerikane të zbulimit në një raport të publikuar në janar të këtij viti dolën në përfundimin se Rusia drejtoi një përpjekje për të ndihmuar shanset e zotit Trump për të fituar zgjedhjet. Trump vazhdimisht ka bërë thirrje për më shumë hetim nga forcat amerikane të zbatimit të ligjit mbi veprimet e zonjës Clinton. “Të gjithë po pyesin pse Departamenti i Drejtësisë (dhe FBI) nuk po shqyrton të gjitha pandershmërinë që po ndodhin me Hillary-n dhe demokratët … ” Presidenti Trump tha një një postim muajin e kaluar në Twitter. Komentet e presidentit dhe lëvizja nga Prokurori Sessions shkaktuan ankesa nga demokratët rreth ndërhyrjes së ekzekutivit tek gjyqësori. “Nëse Prokurori i Përgjithshëm dorëzohet para atyre që thotë Presidenti Trump dhe aleatët e tij, dhe emëron një Prokuror të Posaçëm për të hetuar rivalin e mundur të zotit Trump, kjo do të mund t’i jepte fund ndoshta pavarësisë së institucionit të Departamentit të Drejtësisë”, tha ligjvënësi demokrat Adam Schiff në një postim në Twitter. Ligjvënësi Andy Biggs, i cili ishte një nga republikanët që nënshkroi letrën e ligjvënësit Goodlatte, tha se përgjigja e Departamentit të Drejtësisë është inkurajuese, por jo aq vendimtare sa do të kishin dashur ligjvënësit. “Ne duhet të kemi një Prokuror të paanshëm dhe pavarur për të hetuar çështjet që kemi ngritur. Ne kemi shpenzuar mjaft kohë për vlerësime të pakuptimta dhe premtime boshe,” tha ligjvënësi Biggs në një deklaratë. Në një vit që presidenti amerikan Donald Trump ndodhet në krye të Shtëpisë së Bardhë ka pasur akuza në drejtim të tij, sikundër edhe kundër-akuza në lidhje me çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me politikën amerikane, por edhe me politikën botërore. Me gjithë kritikat që janë lëshuar në drejtim të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më së shumti nga ana e kundërshtarëve të tij politikë, ai vazhdon të qëndrojë në krye të presidencës amerikane duke qenë kështu një figurë udhëheqëse e politikës të Amerikës. Vetë Trump tha se do që të vazhdojë përpara reformat që io ka nisur dhe se nuk do të ndalet në këtë rrugë. Ai ka shtuar se do ta rrisë influencën amerikane gjithnjë e më tepër, në sa më shumë shtete të botës.
Kryetari i Komisionit, Robert Goodlatte i kërkoi zotit Sessions në korrik dhe shtator që të caktojë një hetues të posaçëm për të shqyrtuar akuzat për bashkëpunim mes fushatës së zonjës Hillary Clinton dhe Komitetit Kombëtar të Partisë Demokrate

Trump: Kam bërë punë fantastike në Azi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka bërë një punë vërtet fantastike gjatë turneut 12-ditësh në Azi. “Kanë qenë vërtet 12 ditë të mira dhe kam bërë shumë miq të mirë”, u tha Trump gazetarëve në aeroplanin presidencial, derisa kthehej nga Manila e Filipineve për në Uashington. “Mendoj se kemi bërë punë vërtet fantastike”, tha Trump. “Mendoj se frytet e punës sonë do të jenë të pabesueshme”, tha Trump, duke shtuar se marrëveshjet e bëra të tregtisë, në vlerë prej 300 miliardë dollarësh, do të katërfishohen shumë shpejt, në mbi 1 trilion dollarë. Gjatë turneut në Azi, përveç Fillipineve, Trump ka vizituar edhe Japoninë, Kinën, Korenë e Jugut dhe Vjetnamin. Përveç tregtisë, udhëtimin e tij e ka dominuar edhe kriza bërthamore në Korenë e Veriut. Kreu i shtetit amerikan vazhdimisht ka pasur nën kritikë regjimin diktatorial në Korenë e Veriut, duke thënë se Kim Jong Un është e keqja e madhe. Donald Trump ka pasur një strategji të qartë përpara se të vizitonte Azinë, teksa atje ka dashur të rrisë influencën amerikane, por gjithashtu duket se ia ka arritur që të bëjë të mundur që të bëjë të gjitha shtetet për vete në atë që duhet të luftohet Koreja e Veriut, një regjim i konsideruar si më i keqi dhe më i përgjakshmi aktualisht në të gjithë rruzullin tokësor. Gjithashtu mediat botërore kanë shkruar për një strategji të qartë të Donald Trump në rajonin e Azisë, teksa janë shprehur se numri një i Shtëpisë së Bardhë ka shkuar në atë rajon me një strategji të mirfilltë, e cila më së tepërmi konsiston në atë se duhet rritur influenca e Amerikës, ajo politike, por edhe ajo ekonomike. Kreu i shtetit të Filipineve Rodrigo Duterte ka kënduar edhe këngë në nder të Trumpit në Manila, e cila titullohej “Ju jeni drita e botës”.