Hila në Paris me realitete të ndryshme sociale nga “Tirana dhe Versaja”

Publikuar më 10. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Edi Hila çel ekspozitën “Tiranë-Versailles” në Paris. Në këtë ekspozitë artisti dëshmon ndryshimet dramatike e përjetuara nga komunitetet evropiane post-sovjetike. Në pikturat e tij Hila fokusohet në mjedisin urban, veçanërisht tek arkitektura, që zë në vend të rëndësishëm në identitetin shqiptar

Piktori shqiptar Edi Hila ka çelur në galerinë “Mitterrand” në Paris një ekspozitë personale. Ekspozita, titullohet “Tirana-Versailles” dhe është organizuar pas pjesëmarrjes së artistit në edicionin e fundit të “Documenta 14” në Kassel dhe Athinë. Këtë ekspozitë e cilësojnë, si një mundësi për publikun parisien, që të zbulojë ansamblin e pikturave të realizuara në mes të viteve 2001 deri në 2015-ën. Ndërsa, pritet që një ekspozitë retrospektivë t’i kushtohet artistit në Muzeun e Artit Modern të Varshavës (mars-maj 2018).

Në shënimin për mediet, organizatorët e kësaj e ekspozite, e cilësojnë artistin shqiptar Edi Hila, një figurë të rëndësishme gjatë njëzet viteve të fundit në skenën e arteve të Ballkanit. “Edi Hila ka dëshmuar ndryshimet dramatike të përjetuara nga komunitetet evropiane post-sovjetike. Duke refuzuar të emigronte në një vend më të pasur, ai zgjodhi të jetonte në Tiranë, ku krijoi një grup pune, që shqyrton natyrën kalimtare të historisë së vendit të tij (një kufiri natyror midis Lindjes dhe Perëndimit), si dhe pozitën e pikturës shqiptare në historinë e artit mesdhetar”.

Ekspozita “Tirana-Versailles” e çelur në galerinë “Mitterrand” bashkon vepra të përzgjedhura të Edi Hilës nga një sërë serish të realizuara nga artisti, që nga fillimi i viteve 2000. Këto piktura fokusohen në mjedisin urban, veçanërisht tek arkitektura, e cila, sipas artistit, është vendi i privilegjuar i shprehjes së identitetit shqiptar. Përmes prezantimit të arkitekturës, që artisti vizualisht dhe simbolikisht materializon fuqinë politike, trashëgiminë kulturore dhe klimën psikologjike të vendit të tij. Ekspozita bën bashkë realitete të kundërta sociale.

Ndërtesat qeveritare të regjimit komunist autoritar, si Piramida, monument, Bashkia e Tiranës, qëndrojnë së bashku me ndërtesat më modeste të ndërtuara në periferi ose strukturat e braktisura të shtëpive të pikturuara.

Referenca ndaj Versajës është e pranishme në serinë e fundit të serive të bulevardit, sidomos e ekspozuar në edicionin e fundit të “Documenta 14”. Kjo seri paraqet ndërtesat kryesore publike, që linin “Dëshmorët e Kombit” në bulevardin e Tiranës. Edi Hila krijon një paralele midis organizimit urban dhe arkitektonik të periudhës klasike – të simbolizuar sidomos nga dizajni gjeometrik dhe dekorativ i Versajës – dhe shprehja autoritare e pushtetit komunist në urbanizimin dhe ndërtimin e ndërtesave të tilla publike.

Nga Tirana në Versajë, artisti tërheq vëmendjen tonë në marrëdhëniet komplekse, që lidhin historinë, identitetin dhe mjedisin tonë nëpërmjet pikturës së tij delikate dhe enigmatike. Ekspozita do të qëndrojë hapur deri në datë 23 dhjetor 2017.

Bio

Edi Hila (1944) lindi në Shkodër. Ai kreu studimet  larta për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve (1963-1967). Ka punuar si pedagog në Akademinë e Arteve. Ka realizuar cikle piktorike si: “Shkodra” (1990-1991),  “Konfort” (1998),  “Portrete shtëpish” (2000), “Omazh – Imazh” (Onufri 2002),  “Penthouse“ (2013), “Objekte anash rrugës” (2008-2009), galeria “Mitterrand”, Paris.

Ka ekspozuar në galeri dhe konkurse të rëndësishme, si: “Documenta 14“, Athinë dhe Kassel, 2017;  – Biennale e Arkitekturës, Venezia 2013;  –  Liverpool Biennale, 2009. – Architecture Association, Londër, 2015.  – Marian Goodman Gallery “Some Artists’ Artists”, 2014.  – Museu historik i  Berlinit ”The Desire for Freedom” Arti në  Europë, 2012 etj.

Punët e tij janë në koleksionin e “Centre Pompidou”, i Rene Block / Frac-Auvergne/ i “Ville de Paris” dhe në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë.