Hidhet shorti i Europa League, ja me kë do të luajë Skënderbeu, Tirana dhe Partizani

Publikuar më 19. 06. 2017 nga Dionis Xhafa

Në Nion të Zvicrës është hedhur shorti për turneun e dytë më të rëndësishëm europian, Europa League.

Në këtë kompeticion do të marrin pjesë ekipet shqiptare të Partizanit, Skënderbeut dhe Tiranës. Kjo e fundit merr pjesë si fituese e Kupës së Republikës. Risia këtë vit është ndarja e ekipeve pjesëmarrëse në 10 grupe me nga 10 skuadra, nga të cilat 5 konsiderohen si koka shorti dhe 5 të tjerat më pak të vlerësuara në renditjen e përgjithshme të UEFA-s.

Skënderbeu luan kundër ekipit nga Andorra, Sant Julia. Ndërkaq, Tirana do të luajë ndaj izraelitëve të Makabi Tel Aviv, kurse Partizani ndaj Botev Plovdiv të Bullgarisë. Ekipet shqiptare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të tilla si Shkëndija e Tetovës dhe Prishtina do të luajnë respektivisht me Dacia Kishinau dhe  Norrkopingun e Suedisë.

/D.Xh/