Hidhet hapi për Kushtetuesen, emërohet Besnik Muçi

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar emërimin e prokurorit Besnik Muçi, gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese. Emri i tij është i pari i dekretuar në këtë Gjykatë, pas procesit të vettingut, në kushtet kur Kushtetuesja ka mbetur vetëm me një anëtar

Lindita Bushgjokaj

Presidenti Meta dekretoi dje anëtarin e parë të Gjykatës Kushtetuese, prokurorin e krimeve të rënda Besnik Muçi. Dekreti i Kreu të Shtetit është firmosur këtë të mërkurë dhe bërë publike në faqen zyrtare të presidencës.  Duke qenë se në listën me katër kandidatë, zoti Muçi ishte i vetmi kandidat mashkull, ky fakt përbën një argument shtesë për dekretimin e tij. Prokurori Muçi u përzgjodh nga lista me katër kandidatë të përbërë nga ; Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji, Besnik Muçi dhe Regleta Panajoti. Meta argumenton se zgjodhi të dekretojë Besnik Muçin nisur nga aftësitë e tij profesionale në karrierën e gjatë prej 20 vitesh në sistemin e drejtësisë. Zoti Muçi është në pritje të një vendimi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Ai kaloi procesin e vetingut në shkallë të parë me sukses, por Komisioneri Publik vendosi të ankimojë vendimin, duke kërkuar shkarkimin e tij. Sipas kushtetutës, tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese duhet të emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Që të gjithë duhet të vijnë nga një përzjedhje paraprake e kryer nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Pas Besnik Muçit, presidenti duhet të emërojë edhe dy anëtarë të tjerë, duke e kompletuar kështu në tre numrin e gjyqtarëve të Kushtetueses të dekretuar nga kreu i shtetit. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është efektivisht e mbyllur, për herë të parë që nga themelimi i saj në vitin 1992, pasi nga nëntë anëtarët e saj, tre janë dorëhequr ose kanë mbaruar mandatet, pesë janë rrëzuar në vetting dhe vetëm një ka mbijetuar, Vitore Tusha.

Argumentet e presidentit 

Në argumentet e Presidentit theksohet eksperienca e gjatë të punës prej më shumë se 20 vitesh të Besnik Muçit (20 vite e 8 muaj), si Prokuror, Avokat dhe Lektor i së Drejtës. Muçi ka një veprimtari profesionale si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, Drejtor i Drejtorisë kundër Krimit Financiar, në Departamentin e Hetimit të Krimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ekspert i programit për trajnimin vazhdues të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shkollën e Magjistraturës, Pedagog i Jashtëm i lëndës “E Drejta Penale”, në një nga Universitetet e vendit.

-Presidenti i Republikës, pasi shqyrtoi praktikën dhe dokumentacionin e përcjellë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në përfundim ka vendosur të përzgjedhë kandidatin Besnik Muçi për t’u emëruar gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, kryesisht mbështetur në këto arsye të cilat evidentohen dhe janë vlerësuar edhe më hollësisht nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në vendimet e tij.

-Zoti Besnik Muçi është diplomuar në vitin 1995 “Jurist”, në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, me rezultate të shkëlqyeshme.

-Në vitin 2001 zoti Muçi ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe është diplomuar “Magjistrat Prokuror” me rezultat “Shumë mirë”.

-Zoti Besnik Muçi ka ndjekur studime pasuniversitare për Master të Nivelit të Dytë në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti I Tiranës, si dhe aktualisht është Kandidat Doktorant pranë këtij Fakulteti. Ai është botues i disa artikujve shkencor në fushën e së drejtës, si dhe botues i një libri në fushën e veprave penale të narkotikëve.

-Zoti Besnik Muçi në karrierën e tij si Prokuror ka përvojë të konsoliduar në hetimin e krimit të organizuar dhe organizatave kriminale, fakt ky që përbën një vlerë të shtuar për trupën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, e cila në praktikën e saj përballet me shqyrtimin e çështjeve të nivelit kushtetues që lidhen me fushën e drejtësisë penale.

-Përgjatë periudhës së punës së tij në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda janar 2014 – gusht 2019 ai ka hetuar gjithsej 275 procedime penale objekt i hetimit dhe veprimtarisë së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, një tregues i lartë ky i angazhimit dhe vendimmarrjes profesionale.

-Për shkak të karrierës së tij si Prokuror, zoti Besnik Muçi ka përfituar një përvojë të vlerësueshme në fushën e marrëdhënieve juridiksionale me autoritetet e huaja gjyqësore në kuadër të kryerjes së veprimeve hetimore proaktive dhe të përbashkëta, të cilat kanë perfeksionuar aftësitë e tij profesionale në fushën e drejtësisë penale, respektimit dhe garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në procesin penal.

Muçi s’ka bërë kurrë kompromis

Për dekretin e Presidentit Meta për anëtarin e parë të Gjykatës Kushtetuese ka shprehur vlerësime dhe ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi. Në një postim në “Facebook”, Halimi shkruan se Muçi e ka arritur gjithçka vetë dhe se si prokuror u ka bërë ballë presioneve dhe nuk ka bërë kurrë kompromis. Ai vlerëson arsimin e tij dhe thekson se e ka mëritur plotësisht këtë detyrë të rëndësishme. “Prokurori Muçi nga sot është anëtari i parë i Gjykatës Kushtetuese që emërohet pas ndryshimeve Kushtetuese të 22 korrikut 2016. Ai e ka arritur vetë gjithçka në jetë. Vjen nga një familje e thjeshtë në periferi të Pogradecit, asnjëherë e përfshirë në aktivitete politike. Ndoqi studimet në Tiranë e pastaj Shkollën e Magjistraturës. Arsimim mbresëlënës me meritën e vet. Si prokuror ka qenë i pa përfolur kurrë në dijeninë time. Ka pasur vazhdimisht dosjet e zyrtarëve të qeverive në pushtet dhe u ka bërë ballë presioneve edhe pse qeveritë nuk e kanë pëlqyer kurrë se nuk bënte kompromis. Si prokuror i krimeve të renda nuk ka dështuar në procese duke përballuar presionet e duke bërë një jetë të thjeshtë në Tiranë”, shkruan Halimi.

Gjyqtari

Prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi, përshëndeti dhe vlerësoi dekretimin nga Presidenti Ilir Meta, për ta bërë gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese. Në një prononcim përpara mediave, Muçi shpreh: “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Presidenti më vlerësuan me një pocizion kaq të rëndësishëm kushtetues, Ju jam mirënjohës. Për momentin jam duke vijuar me korrektesë procesin tim të apelimit në kuadër të procesit të vetingut. Është një proces që vazhdon, po vlerësohet çdo provë nga palët”. Emri i Muçit u përzgjodh nga lista përfundimtare e katër emrave të cilat KED i kishte miratuar si kandidatë për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07 shkurt 2018. Aktualisht Besnik Muçi ndodhet në pozicionin e Prokurorit të Krimeve të Rënda, dhe dosja e tij po gjykohet nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pasi rikonfirmimi i tij në detyrë nga KPK u ankimua nga Komisioneri Publik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet