Hetuesit amerikanë: Ja 17 episodet që bënë të pasur hakerin nga Fieri

Nga Nikoleta Kovaçi

Duket e pabesueshme por është e vërtetë. Aktiviteti i djalit nga Fieri dhe i bandës së mashtruesve globalë me karta krediti është për ta patur zili edhe ekspertët e vetë hetimit të këtij krimi në SHBA. Është fat që aktivitete të tilla nuk zhvillohen në vendin tonë se do të ishte e pamundur që policia apo prokuroria të mund të binin në gjurmët e tyre. Është një dosje voluminoze e ardhur nga amerikanët konkretisht në lidhje me aktivitetin e të riut nga Fieri, i cili që në momentin që ka hyrë në grup dhe madje ka qenë edhe në rolin e administratorit të fshehur të rrjetit ka rezultuar jo pak, por plot 17 herë si ndërhyrës në sistem duke bërë të mundur shitje dhe blerje.

Hetuesit e DEA-s që po punojnë prej shumë kohësh me aktivitetin e këtij grupi të fuqishëm që ka pushtuar botën kanë sjellë fakte të çuditshme për shqiptarin. Aldo Ymeraj bashkë me dy djem të tjerë janë edhe shqiptarët e famshëm të grupit të cilët thuajse tashmë mund të konsiderohen njerëz të pasur pasi kanë mundur të përvetësojnë deri afër 1 milion dollarë, ndërsa hetuesit kanë mundur të hedhin në letër thuajse të gjitha rolet e grupit në të gjithë botën.

Arrestimi i “hacker”-it fierak, Aldo Ymeraj, nga forcat shqiptare të rendit, për llogari të drejtësisë amerikane u bë i mundur ditën e hënë, por aktakuza ndaj tij dhe pjesëtarëve të tjerë të rrjetit të piratëve kompjuterikë me slogan “In fraud we trust”, është ngritur prej 31 tetorit të vitit 2017, nga një juri e madhe e gjykatës së Nevadës në Shtetet e Bashkuara. Ai njihej në jetën virtuale me nofkat “Kubanezi”, “Niii.in” dhe “Yankeeman”, por nuk ishte i vetmi shqiptar i këtij rrjeti. Në të bëjnë pjesë edhe Besart Hoxha, i njohur si “Pizza”, dhe Liridon Musliu, që fshihej pas pseudonimeve “Çstore”, “Bowl” dhe “Hulk”.

Organizata “Infraud” operonte në Las Vegas, Nevada dhe jo vetëm dhe akuzohet mes të tjerash për pastrim parash; trafikim të të dhënave të vjedhura të identitetit; trafikim, prodhim dhe përdorim të paautorizuar të pajisjeve me qasje të falsifikuar; mashtrime bankare; dhe rrjete mashtrimi financiare. Objektivi parësor i kësaj organizate ishte promovimi dhe rritja e interesit për të, për të drejtuar trafikun dhe blerësit potencialë drejt faqeve të automatizuara të shitjes së anëtarëve të saj, që shërbenin si instrumente “online” që trafikonin identitete të vjedhura, informacione financiare dhe bankare, si dhe produkte të tjera të paligjshme.

Në mars të vitit 2017, në forumin e kësaj organizate bënin pjesë 10.901 anëtarë

Hierarkia e kësaj organizate përbëhej nga administratorët, supermoderatorët, moderatorët, shitësit (që njiheshin edhe si profesorët ose doktorët), anëtarët VIP dhe anëtarë të thjeshtë. Aldo Ymeraj u bë anëtar i organizatës “Infraud” në nëntor të vitit 2010. Ai reklamonte në forumin e saj si shitës depozitash dhe ishte operator i faqes së automatizuar të shitjeve “niii.in”, duke e përdorur këtë si një mjet për shitjen e depozitave për anëtarët dhe bashkëpunëtorët e “Infraud”.

Besart Hoxha, nga ana tjetër u bë anëtar i saj në janar të vitit 2011. Ai reklamonte në organizatë si shitës i kartave të cilësisë së lartë, si VISA, MasterCard, Amex dhe Discover, e gjithashtu shiste karta plastike dhe hologramë për anëtarët dhe bashkëpunëtorët e organizatës. Liridon Musliu, ndërkohë, u bë anëtar i organizatës “Infraud” në gusht të 2011-s, duke reklamuar në forumin e saj si shitës depozitash, që operonte në një faqe të automatizuar shitjesh me domaine të ndryshme si “çstore.me”, “çstore.name” dhe “çstore.ws”.

Qëllimi i kësaj sipërmarrjeje ishte të pasuronte anëtarët përmes trafikimit të paligjshëm të identiteteve të vjedhura, implementimit të dokumenteve, huazimit të dokumenteve identifikuese, pjesët prodhuese të pajisjeve dhe qasjen e paautorizuar në këto pajisje përmes numrave të vjedhura të kartave të kreditit. Ata kishin gjithashtu synim të ngrinin organizatën si destinacionin parësor “online” për shitblerjen e pronave të vjedhura dhe kontrabandës, si identitet personale dhe financiare të viktimave, apo prodhimin e dokumenteve identifikuese të falsifikuara.

Të tjera

Emri i kompromisit

Nga Veton Surroi Në fillim të pluralizmit në ish-Jugosllavi, në Prishtinë mblidheshin partitë politike shqiptare gjithandej Jugosllavisë. Sa herë që…

Abissnet