Heshtje vrastare e cila dhemb shumë në çdo qelizë në këtë vend

Denisa Daka

“A ka me i pranu i madhi Zot me vdek”, të gjithë ata që heshtin sot, të gjithë ata që me mosveprimet e tyre kryesisht vrasin çdo orë e çdo ditë secilin prej nesh në gjithfarë formash e mënyrash. Klithjet për ndihmë e zërin e mbytur nën thundrën e një mostre të vajzës nga Lezha, do t’i kujtojë gjatë çdo shqiptar që pati rastin të shohë a dëgjojë skenat makabër mes një babai përdhunues, një nëne vrasëse fajtore e bashkëpunëtore në krim, vajzës së abuzuar gjithashtu. Teksa e shihja vajzën e re tek frigej ato minuta, në mendje më vinin dhjetëra gra e vajza ndodhur në këto kushte të cilat i kam takuar përgjatë këtyre viteve, të cilat nuk guxojnë të denoncojnë raste te tilla, duke qenë koshiente gjithashtu që askush nuk i mbron në këtë vend apo të gjitha bashkë nuk janë halli i askujt këtu. Pas dritave e pankartave të shumta në salla luksoze “në mbrojtje të të drejtave të tyre”, fshihet një realitet i trishtë dhe i pashpresë. Pas qindra milionave të shpenzuara në emër të tyre, ‘në mbrojtje të jetës e lirisë së tyre”, fshihet një maskaradë e vërtetë prej shumë vitesh.

Në ato salla të ftohta komisariatesh posaçërisht, ato dhjetëra e qindra viktima të dhunës në familje dekurajohen rast pas rasti gjate dëshmisë së tyre, ndërsa dhjetëra dosje “për mungese provash” arshivohen si letra higjienike ku të mundet. E mostrat vijnë rrotull kudo.. Indiferenca e tejskajshme dhe papërgjegjshmëria e personave përgjegjës për këto raste është kriminale. Ndërsa askush nuk ka kurajë të bëjë kallëzim kundra prokurorit të  policisë gjyqësore, ministrit apo cilitdo në radhë, për neglizhencë a paaftësi, për “shpërdorim detyre” posaçërisht. Dhe në ato pak raste që dikush ka tentuar të kallëzojë veprimet e një oficeri a prokurori, asnjë procedim i vetëm nuk është regjistruar, duke krijuar kësisoj një precedent të rrezikshëm brenda sistemit, kundra qytetarëve të këtij vendi posaçërisht. Struktura të paafta në polici e gjetkë, favorizojnë në dhjetëra mënyra pas kësaj dhunuesit e shumtë kudo rrotull nesh. Komunikatat shabllon të cilët na njoftojnë orë pas ore për krimin e radhës, janë një pasqyrë e qartë e situatës që po jetojmë. Reforma në drejtësi është në rrugën e duhur..e thonë ekspertët e huaj, të gjithë bashkë.  Na duhet ta besojmë, s’ka rrugë tjetër..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet