Hepatiti B akut ose kronik dhe komplikacionet në trup

Hepatiti B është një sëmundje e mëlçisë e shkaktuar nga virusi i hepatit B. Te disa njerëz infeksioni i hepatitit B bëhet kronik, që do të thotë se zgjat më shumë se 6 muaj. Hepatiti B kronik rrit rrezikun për zhvillimin e problemeve me mëlçinë, si kanceri i mëlçisë ose cirroza. Në shumicën e rasteve të rriturit arrijnë të shërohen plotësisht nga hepatiti B, edhe nëse shenjat dhe simptomat janë të rënda. Foshnjat dhe fëmijët janë më të rrezikuar që të zhvillojnë infeksion kronik të hepatitit B. Vaksina mund të parandalojë hepatitin B, por nuk ka një kurë për sëmundjen. Nëse jeni infektuar me këtë virus, mund të ndërmerrni disa masa parandaluese për të mos e përhapur virusin te të tjerët.

Simptomat

Shenjat dhe simptomat e hepatitit B fillojnë nga më të lehta deri më të rënda. Ato zakonisht shfaqen rreth 1-4 javë pasi një person është infektuar me virusin e hepatitit B. Disa persona, zakonisht fëmijët, mund të mos shfaqin asnjë simptomë. Shenjat dhe simptomat e hepatitit B janë: Dhembje abdominale; Urinë në ngjyrë të errët; Temperaturë e lartë; Mungesë oreksi; Të përziera dhe të vjella; Lodhje dhe dobësi; Zverdhje të lëkurës dhe të të bardhave të syve (verdhëz)

Kur duhet të paraqiteni te mjeku

Nëse e dini që jeni të ekspozuar ndaj hepatitit B, bëni menjëherë një vizitë mjekësore. Një trajtim parandalues mund të ulë rrezikun e infektimit nëse e merrni trajtimin brenda 24-orësh pas ekspozimit ndaj virusit. Nëse mendoni se keni këto shenja ose simptoma të hepatitit B, flisni me mjekun.

Shkaqet

Infeksioni i hepatitit B shkaktohet nga virusi i hepatitit B. Virusi transmetohet nga një person te tjetri nëpërmjet gjakut, spermës ose lëngjeve të tjera të trupit. Nuk përhapet nga teshtima ose kollitja. Mënyrat me të cilat mund të përhapet virusi i hepatitit B janë: Kontakti seksual. Mund të prekeni nga hepatiti B nëse kryeni marrëdhënie seksuale pa masa mbrojtëse me një person të infektuar. Virusi mund të përhapet nga ekspozimi ndaj gjakut të infektuar, ose likideve të tjera të trupit, si pështyma, sperma ose sekrecionet vaginale. Shkëmbimi i gjilpërave/shiringave. Virusi i hepatitit B përhapet lehtësisht nëpërmjet gjilpërave dhe shiringave të kontaminuar me gjakun e një personi të infektuar. Shpimi aksidental me gjilpërën e kontaminuar. Punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe kushdo që është në kontakt me gjakun e njeriut janë të rrezikuar që ta marrin aksidentalisht hepatitin B. Nga nëna te fëmija. Gratë shtatzëna të infektuara me virusin e hepatitit B mund ta transmetojnë virusin te foshnja gjatë lindjes së fëmijës. Gjithsesi, i sapolinduri mund të vaksinohet për të shmangur infektimin në çdo rast.

Hepatiti B akut ose kronik

Infeksioni i hepatitit B mund të jetë akut ose kronik. Infeksioni akut i hepatitit B zgjat më pak se gjashtë muaj. Sistemi imunitar mund ta luftojë këtë infeksion, prandaj mund të shëroheni brenda pak muajsh. Infeksioni kronik i hepatitit B zgjat gjashtë muaj ose më shumë. Sistemi imunitar nuk mund ta luftojë këtë infeksion, prandaj në disa raste mund të zgjasë edhe gjatë gjithë jetës, duke çuar në sëmundje më të rënda, si cirroza apo kanceri i mëlçisë. Sa më i ri të jetë një person i infektuar nga hepatiti B – veçanërisht të sapolindurit dhe fëmijët nën moshën 5 vjeç – aq më i madh është rreziku që ky infeksion të bëhet kronik. Infeksioni kronik mund të mos diagnostikohet për dekada me radhë, derisa një person të shfaqë probleme të rënda me mëlçinë.

Faktorët e rrezikut

Hepatiti B përhapet nga kontakti me gjakun, spermën ose lëngje të tjera trupi me një person i infektuar. Rreziku për infeksionin e hepatitit B rritet nëse: Kryeni marrëdhënie seksuale të pambrojtura me disa partnerë ose me një person të infektuar me hepatit B; Shkëmbeni gjilpërat gjatë injeksionit të drogërave; Jetoni me dikë që ka infeksion kronik të hepatitit B; Keni një profesion që ju ekspozon ndaj gjakut të njeriut.

Komplikacione

Infeksioni kronik i hepatitit B mund të çojë në komplikacione më të rënda, si: Cirrozë e mëlçisë: Inflamacioni i lidhur me infeksionin e hepatitit B mund të çojë në probleme të rënda me mëlçinë (cirrozë), duke penguar funksionin si duhet të mëlçisë. Kancer të mëlçisë: Njerëzit me infeksion kronik të hepatitit B kanë rrezik më të lartë për zhvillimin e kancerit të mëlçisë. Gjendje të tjera. Njerëzit me hepatit B kronik mund të zhvillojnë sëmundje të veshkave ose inflamacion të enëve të gjakut.

Parandalimi

Vaksina e hepatitit B zakonisht jepet në 3 ose katër injektime përgjatë gjashtë muajve. Nuk mund ta merrni hepatitin B nga vaksina. Vaksina e hepatitit B rekomandohet për: Të sapolindurit; Fëmijët dhe adoleshentët jo të vaksinuar në lindje; Njerëzit që jetojnë me dikë që ka hepatit B; Punonjësit e kujdesit shëndetësor, të emergjencave dhe ata që janë në kontakt me gjakun; Të infektuarit me HIV; Njerëzit që kryejnë marrëdhënie me disa partnerë seksualë; Njerëzit që injektojnë drogë të paligjshme ose shkëmbejnë gjilpërat apo shiringat; Njerëzit me sëmundje kronike të mëlçisë; Njerëzit në fazën e fundit të sëmundjes së veshkave; Personat që po planifikojnë të udhëtojnë në vende me normë të lartë të infeksionit të hepatitit B

Merrni masa për të shmangur hepatitin B

Mënyra të tjera për të ulur rrezikun e infektimit me hepatit B janë:

  • Mësoni statusin HBV të partnerit seksual: Mos kryeni marrëdhënie të pambrojtura seksuale nëse nuk jeni të sigurt që partneri nuk vuan nga hepatiti B ose ndonjë infeksion tjetër seksualisht i transmetueshëm.
  • Përdorni prezervativë kur kryeni marrëdhënie seksuale me dikë që nuk e dini gjendjen shëndetësore të tij. Mos harroni që, edhe pse prezervativët mund të ulin rrezikun e marrjes së hepatitit B, nuk e eliminojnë rrezikun.
  • Mos përdorni lloje ilaçesh të jashtëligjshme. Kurrë mos shkëmbeni të njëjtën gjilpërë.
  • Kini kujdes kur bëni tatuazhe në trup. Sigurohuni që punonjësit të përdorin gjilpëra të strelizuara.
  • Kërkoni të bëni vaksinën e hepatitit B para se të udhëtoni. Nëse do të udhëtoni në një vend ku hepatiti B është i përhapur, pyesni mjekun nëse mund ta bëni vaksinën B për t’i paraprirë çdolloj rreziku për infektim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet