Helmohen 13 gra në fabrikën e këpucëve, mjeku: Gjendja ishte alarmante

Publikuar më 01. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Xhentila Gjoshi / Llambi Kallço

Puna pa kushte shkakton asfiksimin e 13 grave dhe vajzave në fabrikën e këpucëve në Fushë-Krujë, në fshatin Budëll. Ngjarja ndodhi dje paradite ku menjëherë punonjëset pas humbjes së ndjenjave u dërguan në spital, ku u është dhënë ndihma e parë mjekësore. Shkak i këtij asfiksimi masiv dyshohet se kanë qenë lëndët kimike që përdoren për ngjitjen e këpucëve,të cilat për shkak të mungesës së aspirimit dhe temperaturave të larta kanë shkaktuar shenja helmimi te punonjëset e fabrikës me 200 punëtore. Mësohet se  të 13 vajzat dhe gra të repartit të ngjitjes së këpucëve pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, janë tashmë jashtë rrezikut.

Një ekip specialistësh nga Tirana do të përcaktojë shkaqet e helmimit të vajzave dhe grave që punonin në fasoneri. Burime nga policia e Durrësit kanë bërë të ditur se në Spitalin e qytetit Fushë-Krujë janë paraqitur 13 shtetase me komplikacione shëndetësore (marrje mendsh, gjendje të fikti), të cilat janë punonjëse të fabrikës së këpucëve në Fushë- Krujë. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak ka qenë aspirimi jo i mirë dhe efektet negative të çliruara nga lënda e parë e punës. Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Inspektoratin e Mjedisit, po punojnë për përcaktimin e shkakut dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Mjeku: Ishte alarmante

Lidhur me gjendjen e krijuar dje nga punonjëset e fabrikës së këpucëve në Fushë-Krujë, mjeku i urgjencës është shprehur për media se gjendja ishte alarmante dhe se fillimisht në spital janë paraqitur tetë punonjëse. “Ishte një gjendje relativisht alarmante dhe u angazhuam të gjithë mjekët e stafi. Rreth orës 08.45, 8 punonjëse të një ndërmarrjeje këpucësh, më pas numri shkoi në 13, erdhën me probleme të frymëmarrjes, gjendje të fikëti, dridhje duarsh e dhembje koke. Nuk e dimë arsyen dhe as kush është shkaku që e ka shkaktuar këtë gjendje. Ne njoftuam të gjitha instancat përkatëse që të përcaktohet shkaku i kësaj gjendjeje”, është shprehur mjeku i urgjencës, Kastriot Mustafa, mjek i urgjencës. Të shtruara në urgjencën shëndetësore me simptoma të helmimit, punonjëset e kanë pasur të vështirë të tregojnë se çfarë u ka ndodhur.

Ndërsa, mësohet se pacientet i janë nënshtruar trajtimit mjekësor dhe analizave të gjakut. 11 prej tyre janë larguar në banesë, duke u këshilluar të qëndrojnë në ambiente të hapura dhe të freskëta e të konsumojnë sa më shumë lëngje. Por, dy punonjëse vazhdojnë të qëndrojnë nën kontroll mjekësor pasi gjendja e tyre shëndetësore është paraqitur paksa më e rëndë se të tjerat. Mungesa e oksigjenit, ndikimi i kimikateve që përdoren në fabrikë, si dhe çlirimi i gazrave që lëshojnë materialet e përdorura në prodhim dyshohet të jenë, sipas mjekëve, shkaktarë të mundshëm të kësaj gjendjeje shëndetësore.

Ndërkohë, duhet theksuar fakti se në disa prej ndërmarrjeve të këpucëve në shkallë vendi mungojnë kushtet optimale për të punuar për shkak të mungesës së hapësirave dhe komoditetit. Një problem tjetër janë dhe pagat e ulëta që marrin punëtoret ,të cilat janë më të ulëta në shkallë rajoni. Mungesa e kontrolleve nga inspektoriatet përkatëse që duhet të merren me garantimin e sigurisë të shëndetit të punonjësve,ka bërë që të ndodhin dhe ngjarje të tilla që mund të rrezikojnë dhe jetën e punonjësve.

Hetimet

Ndërsa Prokuroria e Rrethit Krujë dhe komisariati i policisë së këtij rrethi kanë shkuar me urgjencë në vendngjarje duke bërë bllokimin e fabrikës dhe fillimin e hetimeve për këtë çështje. Po ashtu në të njëjtën kohë është njoftuar dhe drejtoria e Shëndetit Publik në Krujë e cila nga ana e saj ka njoftuar për kompetence institutin e Shëndetit Publik Tiranë për të nxjerrë shkakun ekzakt të helmimit të punonjëseve. Nga ana tjetër, burimet thonë se vajzat dyshohet se janë helmuar në fasoneri gjatë punës, ndërsa morën ndihmën mjekësore dhe janë jashtë rrezikut, sipas mjekëve. Punonjëset kishin vështirësi në frymëmarrje, marrje mendsh dhe të vjella gjatë punës.