Heinz-Christian Strache: Ruani stabilitetin e brendshëm politik

Zv/Kancelari Austriak, Heinz Strache flet në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shekulli”. Strache bën thirrje që Shqipëria të ruajë stabilitetin e brendshëm, të përfundojë reformën në drejtësi dhe të luftojë korrupsionin. Ai komenton edhe vjedhjen e avionit austriak në Rinas

Erjon Dervishi

Austria është një nga vendet kryesore të Bashkimit Evropian. Gjatë presidencës së saj të Bashkimit Evropian, Ballkani Perëndimor ishte në krye të agjendës për sa i përket procesit të aderimit në Bashkimin Evropian. Palët politike në Shqipëri kanë filluar që të kërkojnë mundësinë e një dialogu mes palëve, për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Për krizën politike që ka kapluar Shqipërinë janë shprehur të gatshëm që të bashkëpunojnë edhe deputetët e Bundestagut Gjerman, Joahnn Ëadephul dhe Chrisitan Schmitd. Austria ka kërkuar nga palët politike në vend që të ruajnë stabilitetin e brendshme dhe të punohet për integrimin në Bashkimin Evropian. Heinz-Chrsitian Strache është Zv/Kancelar i Austrisë. Në intervistën dhënë për gazetën “Shekulli”, kërkon që Shqipëria të forcojë ritmin e reformave në fushën e drejtësisë, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe trafikimit të armëve. Strache ndalet edhe tek marrëdhënia midis Serbisë dhe Kosovës. Dialogu për Austrinë është shumë i rëndësishëm. Por shpreson se ky dialog mund të ketë sukses vetëm nëse Kosova heq taksat ndaj mallrave serbe. Nëse të dyja palët bien dakord për marrëveshjen, atëherë edhe ndërkombëtaret do t’i mbështesin ata. Heinz-Christian Strache është pjesë e Partisë së Lirë Austriake.

I nderuar Z. Strache, si e shihni situatën në Ballkanin Perëndimor?

Unë preferoj ta quaj Ballkani Perëndimor në Evropën Juglindore, me qëllim që të theksoj se ky rajon ka të drejtë të shihet si një pjesë e mirëfilltë e kontinentit evropian dhe jo një lloj rajoni i veçantë në lagjen e tij. Por kjo do të thotë gjithashtu që Evropa Juglindore duhet të pranojë, si në ligj ashtu edhe në praktikë, vlerat evropiane. Kjo është arsyeja pse procesi i reformës në vendet e Evropës Juglindore është kaq i rëndësishëm. Në fund të ditës, secili vend i Evropës Juglindore, si ato të Bashkimit Evropian, do të arrijë një shkallë shumë të lartë për meritat e veta dhe përpjekjet e veta. Duhet gjithashtu të nxiten marrëdhëniet e mira fqinjësore midis vendeve të Evropës Juglindore. Marrëveshja e Prespës e nënshkruar nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut dhe Traktati për Miqësinë, Bashkëpunimin dhe Marrëdhëniet e Fqinjësisë së Mirë midis Bullgarisë dhe Maqedonisë Veriore, janë sigurisht piketa për arritjen e këtij qëllimi. Shpresojmë shumë se rezultatet e mëtejshme do të arrihen së shpejti dhe do të ishte e dobishme nëse disa prej tyre tashmë mund të paraqiteshin në Samitin e gjashtë të procesit të Berlinit në Poznan (Poloni) më 5 korrik 2019. Në fushën e telekomunikacioneve nënshkrimi më 5 prill 2019 të Marrëveshjes që parashikon një rajon pa roaming në të gjithë Evropën Juglindore në vitin 2021, gjithashtu hap rrugën për reduktime të mëtejshme të kostove të roaming ndërmjet ekonomive të atij rajoni dhe Bashkimit Evropian.

A ka bërë Shqipëria ndonjë përparim drejt Bashkimit Evropian, sipas jush, dhe cilat janë çështjet më të rëndësishme që Shqipëria duhet të zgjidhë?

Më 26 prill, ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj bëri një vizitë në Austri, ku pala austriake theksoi rëndësinë e stabilizimit politik të brendshëm. Sipas pikëpamjes austriake, procesi i reformës në Shqipëri është në proces të vazhdueshëm. Kjo vlen në veçanti për përpjekjet e Shqipërisë kundër krimit të organizuar, trafiqeve të armëve, korrupsionit dhe trafikimit të drogës, të cilat ne i inkurajojmë Shqipërisë që t’i ndjekë me forcë. Është e qartë se vjedhja me armë kundër avionit austriak në aeroportin e Tiranës më 9 prill, mbetet një incident i izoluar. Konsolidimi i sundimit të ligjit dhe reforma e sistemit gjyqësor është gjithashtu e një rëndësie vendimtare. Në këtë drejtim, Shqipëria duket të jetë në rrugën e mirë drejt krijimit të sistemit gjyqësor të pavarur, me profesionalizëm, pa paragjykim dhe larg korrupsionit. Në veçanti, ka pasur disa arritje të rëndësishme në procesin e vetingut të gjyqësorit në Shqipëri. Natyrisht, ky është një proces i rëndësishëm jo vetëm për Austrinë apo Bashkimin Evropian, por edhe për aktorët e tjerë ndërkombëtarë të gatshëm për të bashkëpunuar më ngushtë me Shqipërinë. Megjithatë, mbi të gjitha, ajo duhet të shihet si një zhvillim pozitiv nga vetë qytetarët shqiptarë.

Cila zgjidhje, midis Serbisë dhe Kosovës, është më e pranueshme për Austrinë?

Zgjidhja më e mirë për Austrinë do të ishte një zgjidhje e negociuar, ligjërisht e detyrueshme, e cila është e pranueshme si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën. Për fat të keq, takimi i liderëve të Evropës Juglindore, pritur nga Presidenti Macron dhe Kancelarja Angela Merkel në Berlin në fund të muajit të fundit, ishte zhgënjyes për të gjithë. Le të shpresojmë që takimi pasues në Paris në korrik do të sjellë rezultate të prekshme dhe pozitive. Nëse Kosova nuk heq tarifat ndëshkuese që ka imponuar për mallrat serbe, nuk shoh që kjo gjë të ndodhë.

Këtë Maj janë zgjedhjet e përgjithshme për Parlamentin Evropian. A besoni se kjo do të ndryshojë diçka në strategjinë e afërt të zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor?

Nuk kam asnjë problem me “Strategjinë për Ballkanin Perëndimor”, të miratuar nga Komisioni Evropian më 6 shkurt 2018. Ashtu si Komisioni Evropian, Programi i Qeverisë Austriake për vitet 2017 deri 2022 parashikon mbështetje për vendet e rajonit në bazë të arritjeve të tyre përkatëse individuale. Megjithatë, mendoj se kredibiliteti i strategjisë evropiane është në rrezik. Kjo është arsyeja pse më 9 maj 2019, në Tiranë, Presidentja e Kroacisë, znj. Kolinda Grabar-Kitaroviç, e kritikoi BE-në për mos interesimin e mjaftueshëm të asaj që po ndodh në Ballkan. Unë mendoj se një ndryshim i rëndësishëm në përbërjen e Parlamentit Evropian dhe një Komisioni të ri Evropian mund të ndryshojë këtë gjendje. Megjithatë, më lejoni të theksoj në këtë kontekst që angazhimi i Austrisë në Evropën Juglindore, duke përfshirë Shqipërinë, është një tipar tradicional i politikës së jashtme të vendit tim. Ne shpresojmë që qëndrimi ynë ndaj rajonit do të fitojë më shumë mbështetje në Perëndim të kontinentit evropian. “Strategjia franceze për Ballkanin Perëndimor” të nxjerrë në fund të muajit të kaluar është premtuese në këtë drejtim.

Vala e emigrimit është shumë e ndjeshme në Shqipëri. A ka Austria ndonjë plan apo strategji për emigrimin dhe cili është roli i Ballkanit Perëndimor në këtë proces?

Programi qeveritar austriak për vitet 2017 deri më 2022 është shumë i qartë në këtë drejtim: politika jonë e migracionit duhet të zhvillohet në një mënyrë që është e pranueshme për popullatën tonë. Në këtë kontekst, Austria duhet të mbetet një vend i sigurt dhe i qëndrueshëm ku njerëzit jetojnë në prosperitet dhe në paqe shoqërore. Prandaj, migrimi i paligjshëm duhet të ndalet dhe emigracioni të rregullohet në përputhje me kërkesat e shoqërisë austriake. Vendet e Evropës Juglindore kanë një rol vendimtar në frenimin e migracionit të paligjshëm. Konferenca e migrimit e Ministrave të Punëve të Brendshme dhe Punëve të Jashtme, e cila u zhvillua në Vjenë më 24 shkurt 2016, ishte një reagim ndaj krizës së migracionit të viteve 2015 dhe 2016. Gabimet që janë bërë në ato vite nuk duhet të përsëriten dhe ne kemi nevojë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të shmangur rrjedhat e pakontrolluara të migracionit. Prandaj, Ministri i Brendshëm i Austrisë, Herbert Kickl, mblodhi më 3 maj 2019 një konferencë me përfaqësuesit e “Ballkanit Perëndimor” si dhe nga Evropa Qendrore dhe Perëndimore me qëllim të diskutimit të “Sfidave të Migracionit përgjatë Mesdheut Lindor/Rrugës së Ballkanit Perëndimor”. Konferenca u pajtua mbi një sërë 12 masash për t’u përballur me këto sfida. Që nga viti 2007, shtetet e Ballkanit Perëndimor së bashku me Moldavinë përbëjnë të ashtuquajturën “Grupi i Miqve” i Forumit të Salzburgut, i cili është një partneritet i Evropës Qendrore të Sigurisë.

Biografia

Heinz-Christian Strache, i cili vjen nga fusha e mjekësisë, ka qenë aktiv në politikën e Vjenës që nga viti 1991. Ai u zgjodh në Parlamentin e Vjenës në vitin 2001. Në vitin 2004, Strache zëvendësoi Hilmar Kabas si udhëheqës i FPÖ në Vjenë. Strache ishte konsideruar pasardhës i udhëheqësit të partisë kombëtare Jörg Haider, por filloi ta kundërshtonte atë si rezultat i grindjeve në rritje brenda partisë në janar të vitit 2005. Pas një sërë humbjesh në zgjedhjet shtetërore, thashethemet u përhapën se Strache do të kandidojë për zyrën e kreut të partisë kombëtare kundër motrës së Haider, Ursula Haubner. Rreziku i lartë i humbjes së Haubnerit ishte ndoshta një nga ngjarjet që nxitën Haider të ngrinte një parti të re, Aleancën për Ardhmërinë e Austrisë (BZÖ). Pas ndarjes, Strache u zgjodh kreu i partisë kombëtare të FPÖ më 23 prill 2005. Që nga ndarja, Strache ka drejtuar partinë edhe më tej drejt kahut të djathtë. Rezultatet e FPÖ në zgjedhjet shtetërore në dekadën e fundit kanë qenë të përziera. Ndërkohë që u largua nga Landtag i Styria dhe u zvogëlua në 5.7% në Burgenland, ajo tejkaloi pritjet në zgjedhjet e Vjenës në tetor 2005. Strache vetë ishte kandidati kryesor në Vjenë dhe partia mori 14.9% të votave.

 

 

 

 

 

2 Kolonë

Shkurt

Ambasadori austriak: Koha për dialog, ndaloni retorikën e urrejtjes

Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Johann Sattler, ka përcjellë një mesazh të qartë për politikën shqiptare. Duke folur nga Patosi, Sattler tha se është koha të mendojmë për dialog politik. “Është koha të mendojmë për dialog politik. Të funksionojë dialogu”. Ambasadori madje iu referua deklaratës së kishës katolike një ditë më parë, duke inkurajuar politikanët ta shikojnë këtë deklaratë. “Të ndalojnë retorikën dhe dhunën e urrejtjes sepse urrejtja sjell vetëm urrejtje. Retorika duhet të ndryshojë. Përfaqësuesit ndërkombëtarë janë në vend për të ndihmuar por përgjegjësia bie mbi vetë drejtuesit e vendit”. Ambasadori austriak komentoi edhe protestat e opozitës duke deklaruar se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, por e dënon dhunën e ushtruar gjatë tyre.

Deklarata e Ambasadorit të Austrisë

Ka ardhur koha besoj që partitë politike t’i zgjasin dorën njëra-tjetrës. Ne kemi pasur pesë protesta të mëdha. Është koha mendoj për dialog politik tashmë. Këtë e presin edhe qytetarët shqiptarë, që të funksionojë dialogu dhe të zgjaten duart ndaj njëri-tjetrit. Kjo është pikërisht pritshmëria e qytetarëve. Ka pasur një deklaratë nga peshkopët katolik, ditët e fundit, unë ju inkurajoj të shikoni këtë deklaratë të këtyre peshkopëve. I inkurajoj edhe politikanët e Shqipërisë që ta shikojnë në detaje këtë deklaratë. Të ndalojmë retorikën e dhunës dhe të urrejtjes. Përfaqësuesit ndërkombëtar në vend janë këtu për të ju ndihmuar por përgjegjësia mbetet mbi aktorët kryesor politik në Shqipëri.

 

 

Gjermania kërkon nga Shqipëria zbatimin e reformave

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Berlin, Ministri i Punëve të Jashtme për Evropën dhe Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një seri takimesh me deputetët gjermanë në kuadër të komunikimit intensiv me Bundestagun. Cakaj u përqendrua veçanërisht në takimet e tij me përfaqësuesit e grupeve politike dhe komisioneve parlamentare të angazhuara në çështjet e BE-së dhe zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Ministri Cakaj u takua me Kryetarin e Komitetit të Punëve të Jashtme në Bundestag, Norbert Rottgen, Reporter i Shqipërisë për Komisionin për Çështjet Evropiane, Katrin Staffler, Anëtar i Partisë së Lirë Demokratike (FDP), Thomas Hacker, Komisioni për Shqyrtimin e Zgjedhjeve, Imunitetin dhe Rregullorja e Punës, Patrick Sensburg, si dhe përfaqësuesi i Të Gjelbërve dhe Raportuesit për Shqipërinë, Manuel Sarrazin. Ushtruesi i detyrës së ministrit Cakaj shprehu vlerësimin maksimal për angazhimin dhe vëmendjen e Gjermanisë ndaj Shqipërisë, gjë që tregohet nga fokusi në rritje i Bundestagut dhe numri i lartë i vizitave të deputetëve gjermanë në vendin tonë. Ushtruesi i detyrës së ministrit Cakaj i paraqiti përfaqësuesve të Bundestagut një pasqyrë të detajuar të progresit aktual të procesit të verifikimit dhe drejtësisë, rezultatet e arritura në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe bashkëpunimit të ngushtë me agjencitë e zbatimit të ligjit të partnerëve të vendeve. Ndërkohë, Patrick Sensburg vlerësoi përparimin e bërë në emër të integrimit të Shqipërisë në BE dhe theksoi se Shqipëria duhet të promovojë arritjet e saj, në mënyrë që qytetarët gjermanë të kuptojnë reformat e rëndësishme të ndërmarra nga shteti. Në përfundim të vizitës së tij, Ministri Cakaj rikonfirmoi të gjithë përfaqësuesit e Bundestagut vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vazhduar me ritmin e duhur në konsolidimin e reformave kyçe dhe përgatitjet për hapjen e negociatave me BE.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet