HEC Banjë hap portat e shkarkimit, çfarë mund të ndodhë në Sulovë?

Hidrocentrali i Banjës hap portat e shkarkimit. Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë bërë që liqeni i këtij rezervuari të mbushet plot dhe të arrijë pikën kritike. Ndaj sot është vendosur që të hapen portat e shkarkimit. Hapja e portave nënkupton rritje të prurjeve të lumit Devoll në pjesën nga HEC Banjë deri në bashkimin e tij me Osumin. Kjo nënkupton se që nga ky moment toka bujqësore e zonës së Sulovës është e rrezikuar nga përmbytjet, njofton infoelbasani. Por prurjet rriten edhe në lumin Seman që formohet nga bashkimi i këtyre dy lumenjve. Gjatë këtyre ditëve ka mbajtur kohë e mirë. Por nga nesër rifillojnë reshjet dhe HEC banjë do të vazhdojë të shkarkojë ujin.
Aktualisht të gjitha turbinat e tij punojnë me kapacitet të plotë duke përfituar në maksimum energji elektrike. Diga e HEC Banjë ka një lartësi 175 metra mbi nivelin e detit. Ai shfrytëzon rënien e lirë të ujit ndërmjet 175 dhe 95 metra mbi nivelin e detit. Diga ka një lartësi prej afërsisht 80 metrash. Liqeni i krijuar ka një sipërfaqe prej afërsisht 14 km², zonë kjo e krahasueshme me 2000 fusha futbolli.
Aktualisht rezervuari shtrihet nga Banja deri në afërsi të qytetit të Gramshit. Kapaciteti depozitues i rezervuarit është afërsisht 400 milion m³. Centrali elektrik përdor dy njësi turbinash të tipit Francis dhe ka një kapacitet të instaluar për prodhimin e energjisë elektrike prej rreth 65 MW dhe prodhon mesatarisht në vit rreth 250 GWh.

Të tjera

Abissnet