Harta me çmimin e karburantit në Europë/ Shqipëria ndër vendet me çmimin më të lartë

Publikuar më 06. 11. 2017 nga Eno Shkëmbi

Karburanti i shtrenjtë është një ndër çështjet më të diskutuara. Il Sole ka bërë një krahasim të çmimit të karburantit midis të gjitha vendeve të Europës, me të dhënat e mbledhura nga portali Cargopedia për datën 31 tetor, të cilat reflektojnë  situatën e ndryshme në vende të ndryshme të Europës.

Në krah të vendeve të zhvilluara europiane si Gjermani, Anglia, Franca, Zvicra apo dhe Finlanda, Shqipëria ka karburantin më të shtrenjtë në Europën Juglindore. Sipas të dhënave që janë mbledhur në 31 tetor nga Cargopedia, çmimi për një litër benzinë në Shqipëri ishte 1.3 euro. Çmimi mesatar i benzinës për të gjitha vendet e Europës është 1.22 euro.

Sikurse shihet nga harta, vendet e ngjyrosura me të kuqe kanë çmimet më të larta të çmimit të karburanitit. Vendi me çmimin më të lartë të benzinës në Europë është Norvegjia, ku një litër benzinë tregtohet me pakicë me 1.68 euro.

Çmim të shtrenjtë karburanti, sikurse tregohet dhe nga harta, ka Italia dhe Greqia, ku karburanti është përkatësisht 1.5 euro për litër.

Për sa i përket vendeve të rajoni, nga të dhënat e paraqitura në hartë, çmimi i bezninër në Serbi është 1.19 euro, poshtë mesatares së Europës. Çmim të ulët ka edhe Maqedoni, ku një litër sipas të dhënave të Cargopedia është 1 euro.  Karburantin më të lirë të rajonit e ka Bosnje dhe Hercegovina me 0.9 euro, duke u listuar kështu në vendet europiane më çmimin më të ulët.

Çmimi më i ulët i benzinës në të gjithë Europën e ka Bjellorusia, ku një litër kushton vetëm 0.5 euro.

Rilicencimi dhe Bursa rritën çmimet në vend

Çmimet e karburanteve kanë shënuar një rritje me rreth 5 lekë për litër ditët e fundit, duke kaluar sërish mbi 170 lekë për litër, kryesisht në zonën Tiranë-Durrës.

Në pikat e tregtimit të Kastrati, tregtuesi më i madh në vend, një litër naftë tregtohet aktualisht me 172 lekë, nga 167 lekë që ishte më parë, ndërsa një litër benzinë shitej me 173 lekë, nga 168 lekë.

Sipas aktorëve të tregut kjo ka ardhur nga tarifa e rilicencimit të pikave të karburantit. /Monitor.al/