Hapja e kutive, ekspertët: Kërkesat e opozitës legjitime

Ligji për të drejtën e informimit e vë në presion KQZ-në për të dërguar materialet zgjedhore në zyrat e PD-së. Kume: Rezultatet dhe procesverbalet e kutive nuk përbëjnë sekret hetimor. KQZ mund të pranojë shkresë

Erjon Dervishi

Partitë e opozitës, që nuk morën pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, e kanë bazuar këtë të drejtë në dy ligje dhe për këtë i kërkojnë KQZ-së që brenda një afati dhjetëditor t’i kthejë përgjigje me shkrim. “Në mbrojtje të interesit publik që qëndron në themel të partive tona politike; Në mbështetje të neneve 4, 5, 6 e vijuese të Kodit të Procedurave Administrative, neneve 3 dhe 11 të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, si dhe Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, që nuk i trajton dokumentet e procesit zgjedhor si “sekret shtetëror” dhe transparencën e ka element kyç për një proces të rregullt zgjedhor kërkojmë të na vendosen në dispozicion, në kohë sa më të shpejtë të mundshme, por jo më vonë se afati ligjor 10 ditor, dokumentacioni dhe materialet zgjedhore”, thuhet në shkresën që opozita i ka dërguar zyrtarisht KQZ-së. Deri më tani KQZ-ja nuk ka ndërmarrë asnjë hap në lidhje me këtë kërkesë zyrtare që i është paraqitur, pavarësisht se ka detyrimin ligjor që t’i përgjigjet deri më 18 korrik. Për profesor Kumen këto kërkesa të paraqitura nga PD-ja janë të bazuar në ligjin “Për të drejtën e Informimit” dhe për sa kohë ato që nuk përbëjnë sekret hetimor nuk ka pse KQZ-ja të mos i vërë në dispozicion. “Nëse PD-ja do të kërkonte listën e nënshkrimeve të zgjedhësve që kanë votuar më 30 qershor, kjo nuk mund të pranohej, pasi përbën një shkelje të sekretit. Nëse kërkojnë kopje të listave zgjedhore të printuara për çdo QV ato nuk përbëjnë sekret hetimor”, thekson Kume për Gazetën “Si”. Sipas ish-kreut të KQZ-së, kërkesat e paraqitura nga opozita janë të pranueshme si vënia në dispozicion të “Kopjes së printuara të listave zgjedhore për çdo qendër votimi; Kopje e vërtetuar e Tabelës Përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore nga KQZ-ja; Kopje të vërtetuara të Tabelave Përmbledhëse të rezultateve zgjedhore për çdo njësi të qeverisjes vendore nga KZAZ-ja; Kopje të vërtetuara të tabelave të rezultateve për çdo qendër votimi nga grupet e numërimit. Kopje të vërtetuara të procesverbaleve tip për mbylljen e votimit për qendër votimi; Kopje të vërtetuara të listës së anëtarëve të administratës zgjedhore, të emëruar kryesisht nga KQZ dhe KZAZ përkatëse, duke specifikuar për secilin administratën zgjedhore në të cilën ai bën pjesë, sipas regjistrit të administrimit zgjedhor që mban KQZ-ja, për çdo qendër votimi, KZAZ dhe Grup Numërimi”. Ish-anëtari i KQZ-së, Artan Lazaj në lidhje me kërkesën e opozitës, thotë se kjo duhet parë nëse ajo është regjistruar ose jo pranë institucionit që merret me administrimin e procesit zgjedhor, shkruan SI. “Gjithsesi, për t’u ankuar dhe për të kërkuar gjithë ato çfarë kërkon, duhet të jesh subjekt zgjedhor. Po të jesh regjistruar si i tillë, unë do të jepja votën pro kërkesave të tilla se jam me sloganin: Dua të shoh votën time”, shprehet Lazaj. Ish-kryekomisioneri Kume shprehet se “KQZ mund të gjejë çfarëdolloj argumenti kundër opozitës, por për sa kohë kërkesa bazohet te ligji “Për të drejtën e informimit”, nuk mund të pengohet”. “Të drejtën për të marrë informacionin e ka kushdo. Për sa kohë të gjitha ato që kërkon opozita botohen në Buletinin Zyrtar të KQZ-së, mjaft të zgjeruar, nuk ka pse të mos jepen”, thekson Kume. Sa i përket marrjes së CD-ve filmike të kërkuara për KZAZ dhe në momentin e Grupeve të Numërimit të Votave, Kume thekson se “duke pasur parasysh kushtet dhe rrethanat që kanë shoqëruar procesin e 30 qershorit, është e vështirë që të kesh në këtë kohë përgjigjen që kërkohet”.

Tetë kërkesat e opozitës në adresë të KQZ-së.

Kopje të printuara të listave zgjedhore për çdo qendër votimi. Kopje e vërtetuar e Tabelës Përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore nga KQZ-ja. Kopje të vërtetuara të Tabelave Përmbledhëse të rezultateve zgjedhore për çdo njësi të qeverisjes vendore nga KZAZ-ja. Kopje të vërtetuara të tabelave të rezultateve për çdo qendër votimi nga grupet e numërimit. Kopje të vërtetuara të procesverbaleve tip për mbylljen e votimit për qendër votimi. Kopje të vërtetuara të listës së anëtarëve të administratës zgjedhore, të emëruar kryesisht nga KQZ dhe KZAZ përkatëse, duke specifikuar për secilin administratën zgjedhore në të cilën ai bën pjesë, sipas regjistrit të administrimit zgjedhor që mban KQZ-ja, për çdo qendër votimi, KZAZ dhe Grup Numërimi. Kopje të regjistrimit të kamerave të të gjitha tavolinave të numërimit në çdo Grup të Numërimit të Votave. Kopje të regjistrimit të kamerave të ambienteve të brendshme të KZAZ-ve.

OSBE/ODIHR

Përfaqësuesja e misionit të ODIHR, Audrey Glover, ka mbërritur dje në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të zhvilluar një takim me kreun e këtij institucioni, Klement Zgurin. Mësohet se Glover ka patur disa takime me drejtuesin e KQZ-së përgjatë këtyre ditëve. Shefja e misionit të ODIHR ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të partive politike në Shqipëri, përfshirë këtu edhe krerët e forcave kryesore të opozitës së bashkuar jo parlamentare, Lulzim Basha (PD) dhe Monika Kryemadhin (LSI). Glover pritet të largohet ditën e nesërme nga Shqipëria, ndërkohë që takimin e fundit ka zgjedhur ta zhvillojë me Zgurin, i cili ka vënë në dukje disa shkelje gjatë procesit të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Pas dy muajsh, ODIHR pritet të publikojë raportin përfundimtar për lokalet e 2019-s, në të cilat opozita nuk mori pjesë, pas vendimit për djegien e mandateve dhe protestave të shumta që prej 16 shkurtit të këtij viti, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

KQZ rrëzon 14 kërkesat e fundit të Bindjes Demokratike

Komisioni  Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar ditën e djeshme 14 kërkesat e fundit ankimore të paraqitura nga Bindja Demokratike lidhur me zgjedhjet lokale të 30 qershorit. KQZ argumentoi se argumentet që ka sjellë ka forcë politike nuk kishte sjellë prova të mjaftueshme për ankimimet e paraqitura ku pretendon se ka zgjedhjet e 30 qershorit janë manipuluar. Në mbledhjen e djeshme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Bindja Demokratike kërkoi të hapen kutitë në disa bashki që ata kanë dyshime se kanë votuar më shumë shqiptarë seç kanë qenë të pranishëm në vend, por janë rrëzuar.

Vendimet e Komisionit Qendror Zgjedhor

“Për shqyrtimin e kërkesës ankimore nr.46 paraqitur nga subjekti zgjedhor Partia Bindja Demokratike me objekt shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Bashkinë Këlcyrë”. KQZ vendosi lënien në fuqi të vendimit të KZAZ-së. “Për shqyrtimin e kërkesës ankimore nr.47 paraqitur nga subjekti zgjedhor Partia Bindja Demokratike me objekt shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Bashkinë Korçë”. KQZ vendosi lënien në fuqi të vendimit të KQZ-së. “Për shqyrtimin e kërkesës ankimore nr.48 paraqitur nga subjekti zgjedhor Partia Bindja Demokratike me objekt shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Bashkinë Fier”. KQZ vendosi lënien në fuqi të vendimit të KQZ-së. “Për shqyrtimin e kërkesës ankimore nr.49 paraqitur nga subjekti zgjedhor Partia Bindja Demokratike me objekt shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Bashkinë Prrenjas”. KQZ vendosi lënien në fuqi të vendimit të KZAZ-së. “Për shqyrtimin e kërkesës ankimore nr.50 paraqitur nga subjekti zgjedhor Partia Bindja Demokratike me objekt shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Bashkinë Librazhd”. KQZ vendosi lënien në fuqi të vendimit të KZAZ-së. “Për shqyrtimin e kërkesës ankimore nr.51 paraqitur nga subjekti zgjedhor Partia Bindja Demokratike me objekt shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Bashkinë Rrogozhinë”. KQZ vendosi lënien në fuqi të vendimit të KZAZ-së. “Për shqyrtimin e kërkesës ankimore nr.52 paraqitur nga subjekti zgjedhor Partia Bindja Demokratike me objekt shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Bashkinë Belsh”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet