Hapet gjyqi i ish-ushtarit serb të Bosnjës për skllavërim seksual

Ish-ushtari i Ushtrisë Serbe të Bosnjës Milan Todoviç u akuzua për përdhunim dhe skllavërim seksual të një gruaje boshnjake, të cilën ai supozohet se “bleu” dhe e mbajti robëreshë në Foca në vitet 1992-1993 Gjyqi i ish-ushtarit Milan Todoviç, i cili akuzohet për abuzim seksual gjatë kohës së luftës në Foca, u hap të premten në gjykatën shtetërore të Bosnjës në Sarajevë.

Sipas aktakuzës që u lexua në gjykatë, që nga tetori 1992 deri në mars 1993, gjatë një periudhe në të cilën pati një sulm të gjerë dhe sistematik mbi Focën, Todoviç përdhunoi një boshnjake dhe e detyroi atë të ishte skllavja e tij seksuale. Aktakuza pohon se Todovic “e bleu” gruan nga ushtarët e tjerë serbë të Bosnjës më 30 tetor 1992, e përdhunoi atë dhe më pas e detyroi të ishte skllavja e tij seksuale nga dhjetori i atij viti deri më 5 mars 1993, duke e mbajtur atë në kushte çnjerëzore ndërsa abuzonte fizikisht dhe seksualisht me të. “Shpresoj që Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës të pranojë provat dhe ta dënojë atë, si edhe t’i japë një dënim të përshtatshëm,” tha prokurori Mersudin Pruzan në deklaratën e tij të hapjes. Mbrojtja nuk paraqiti një deklaratë hyrëse. Gjyqi do të vazhdojë më 23 mars. /BIRN/

 

Të tjera

Abissnet