Halili: Ndjesë tifozëve, vetëm Zoti më largon nga Tirana

Publikuar më 18. 06. 2017 nga Eno Shkëmbi

Klevis Deda

Presidenti i Tiranës, Refik Halili ka bërë publike në një konferencë për shtyp problemet e skuadrës gjatë këtij sezoni dhe i kërkon falje të gjithëve për situatën ku gjendet klubi i Tiranës e në veçanti tifozëve bardheblu. Ai është i bindur se do të rindërtojë skuadrën në themele dhe thekson se nuk do tw largohet kurrë nga Tirana. “Tifozëve i kërkoj ndjesë të madhe, i kërkoj ndjesë nga thellësia e shpirtit. Unë i kërkoj ndjesë çdo tifozi, nga më i madhi deri te më i vogli. E di që kanë derdhur lot për këtë fatkeqësi të klubit tonë, por kjo s’ka qenë kurrë dëshira ime dhe kurrë nuk e kam menduar që do të shkonim deri këtu.

Por marr përgjegjësitë dhe do të bëjmë gjithçka për të ngritur Tiranën. Unë këtu do rri derisa të vdes. Jam gati të ulem dhe mund të bëjnë çdo lloj sugjerimi. Nëse ata më bindin se e bëjnë diçka më mirë , jam i hapur”, shprehet presidenti. Halili thekson se ky është momenti më i vështirë në historinë e klubit. “Nuk e meritonim këtë, por në jetë ka dhe momente të vështira, dhimbjen duam ta kthejmë në forcë së bashku me stafin. Në fillim dua të bëjmë një analizë të sezonit. Ky ishte një sezon shumë i dhimbshëm, ndoshta më i keqi që ka kaluar klubi i Tiranës. Nuk kam dashur kurrë që të isha unë në drejtimin e klubit në këtë lloj situate. Fakti është se ka qenë një sezon shumë i vështirë, sidomos në momentet e fundit, ku ne pësuam rënien nga kategoria. Unë që në hapat e para si president i klubit të Tiranës i bëra hyzmetin”, shprehet presidenti i Tiranës.

Ai i bën një përmbledhje merkatos së klubit, punës së dy trajnerëve në këtë sezon, Ilir Dajës dhe Mirel Josës për të cilët beson se ka bërë zgjedhjen e duhur që i ka vendosur në krye të klubit. “Në fillim kishim trajnerin Ilir Daja, besuam te ai që ne fillim të sezonit dhe them se nuk gabova në zgjedhje. Rezultatet e arritura çuan në largimin e tij. Në atë periudhë të Dajës kishim 15 fitore, 14 barazime dhe 8 humbje si dhe dështimi në Kupë me Flamurtarin. Gjithashtu nuk fituam asnjë derbi. Këto sollën largimin e profesor Ilir Dajës. Më pas afruam Mirel Josën dhe besoj se nuk bëra zgjedhje të gabuar duke parë edhe CV-në e tij, që ka një karrierë të pasur në Shqipëri. Duke pasur shumë tituj të fituar dhe them se bëra një zgjidhje shumë të mirë. Nuk dua të shfajësohem, por e them sërish që nuk gabova që zgjodha profesor Mirel Josën në drejtimi e klubit të Tiranës”, thekson numri një i klubit. Ai vijon më tutje duke theksuar që do të shkarkojë në mënyrë masive stafin e akademisë.

“Unë do të bëj një çrrënjosje totale të klubit të Tiranës për sa i përket skuadrës së re. Drejtuesit e Akademisë do të jenë 98 për qind të shkarkuar. Drejtori i Akademisë do të jetë Sulejman Mema, i cili ka qenë i vetmi trajner që ka punuar me përkushtim me Tiranën. Nuk dua më trajnerë që vijnë në stërvitje pa uniforma. Unë i pata lënë të bënin një përzgjedhje sipas dëshirës”, shprehet Halili. Ai shprehet i gatshëm për afrimin e administratorëve në klub. “Sot jemi shoqëri private dhe çdo person që ka kontribuar mund t’i marrë falas. Për aksionet e Bashkisë nuk di të them. Lut Nurit ia fal aksionet, por nuk lejoj që të marrin aksionet dhe të hipin sipër meje. Qëllimi i parë është kthimi në Superiore, edhe pse mund të mos ketë marrë fund gjithçka. Për mua kemi rënë. Marrja e trajnerit të ri është mirëmenduar. Ai do punojë me një grup moshash për t’i rritur nga ana sportive dhe kam besim se me stafin që ka do bëjnë më të mirën. Sa i takon kupave të Europës, do mundohem të bëj një bashkëpunim. Do punojmë me trajnerin dhe të shikojmë se çfarë mund të bëjmë. Për të ardhmen, do ruhet kontingjenti, jo vetëm ata që janë nën kontratë, por edhe të tjerët”, përfundon Refik Halili.

Sulmi

Presidenti i Tiranës, Refik Halili ka sulmuar ish-presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topin. Ai e akuzon Topin se këkron të bëjë fushatë me emrin e klubit bardheblu. “Topi ka qenë presidenti i Tiranës, por jam skandalizuar kur ka thënë që shikoni presidentin tonë që takon një ministër dhe gëzohet. Kurrë s’ka telefonuar të pyesë çfarë bëhet me Tiranën, as ndonjë ish-futbollist. Më goditi kur tha se gëzohem kur takoj një ministër. Të ketë turp. Del dikush e thotë që ka 100 mijë euro për Tiranën, por duhet pyetur. Ai kërkon të bëjë fushatë me Tiranën. Nuk besoj të marrë as një votë, jo më shumë”, përfundon akuzën e tij numri një i ekipit kryeqytetas. Kujtojmë që kritikat ndaj presidentit të Tiranës janë shtuar pas rënies nga kategoria të 24 herë kampionëve të Shqipërisë.

Emra të bujshëm për stolin kuq e zi

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit është aktualisht pa një trajner që pas largimit të Gianni De Biasit. Vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka ka theksuar se në stolin kuq e zi do të ulet një trajner italian. Padyshim që lista e emrave është shumë e gjatë duke marë parasysh që shumica prej trajnerëve me emër janë të papunë. Alberto Zakeroni është një emër i bujshëm për të drejtuar kombëtaren. Ai ka qenë më parë nën drejtimin e Milanit, Interit dhe Juventusit. Prej afro pesë vitesh ka drejtuar kombëtaren japoneze ku arriti të fitonte Kupën e Azisë në vitin 2011.Valter Maxarri është një tjetër kandidat serioz. Por kjo alternativë është paksa e komplikuar pasi ish-trajneri i Napolit nuk kërkon më pak se 3.5 milionë euro në sezon. Roberto Di Mateo është një tjetër alternativë e mirë duke pasur parasysh që është një trajner që nuk ka drejtuar më parë një kombëtare dhe mund ta tundonte jo pak ulja në stolin e kuqezinjve. Emra të tjerë janë Françesko Guidolin, Valter Zenga e Delio Rosi.

Ze Maria trajneri i ri i Tiranës

Skuadra e Tiranës ka zyrtarizuar trajnerin Ze Maria në krye të pankinës. Braziliani do të jetë trajneri i ri i bardhebluve për sezonin e ardhshëm. Ai falenderon presidentin e klubit për mundësinë që i dha për të drejtuar skuadrën. “Fillimisht ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur. Jam i nderuar që jam këtu. Falënderoj presidentin Halili për mundësinë që më dha. Nuk kam hezituar në asnjë moment që kur mu ofrua ky post. Është një klub me histori brilante dhe të ardhmen ashtu ua premtoj që shumë shpejt do ta ketë. Kam qenë pjesë e klubeve të mëdha në karrierën time siç është Flamengo dhe së fundmi kam drejtuar një skuadër të madhe në Kenia. Kam një eksperiencë në Itali dhe në vende të tjera. Nuk besoj se duhet të kesh eksperiencë të madhe, por duhet të mësosh çdo të thotë futbolli. Objektivi primar i klubit është rikthimi në Superiore dhe tjetër objektiv është të kalojmë turin e parë në Europa League”, shprehet trajneri brazilian.

Ai shprehet se do të bëjë çdo gjë për të rikthyer tifozët në stadium. “Kam ardhur këtu së bashku me dy ndihmësit e mi, një përgatitës atletik dhe një ndihmës trajner, por dua të them që do të bashkëpunojmë me stafin aktual pasi kemi të njëjtat objektiva. Kemi pak kohë deri në ndeshjen e datës 29 qershor, megjithatë unë kam uri me lojtarët afrikanë pasi kam punuar në Afrikë.Jo, nuk kam ardhur për të qenë trajneri më i mirë këtu. Kam ardhur këtu për objektivin e klubit, kam ardhur për të rikthyer tifozët dhe këtë ia dalim vetëm me futboll të bukur, i cili do të sjellë rikthimin në Superior”, shprehet trajneri brazilian. Ai thekson se fillimisht do të njihet me mënyrën e të punuarit në këtë skuadër. Trajneri ka mbetur i kënaqur sa i përket infrastukturës në klubin e Tiranës. “Do ta zbulojmë ditë pas dite Kategorinë e Parë. Fillimisht duhet të njihemi me metodikën e punës dhe më pas do të shohim. Do ta njohim të gjithë bashkë dhe pozitive është që të gjysmën e ndeshjeve i luajmë në shtëpi me një infrastruktë shumë të mirë”, përfundoi trajneri i Tiranës, Ze Maria.