Hakmerret Tirana, mposht 2-0 Vllazninë

Publikuar më 30. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Klevis Deda

Fitore kanë arritur edhe Skënderbeu, Kukësi ndërsa Kamza barazoi në shtëpi ndaj Teutës duke mbajtur të hapur çështjen e kualifikimit

Skuadra e Tiranës është hakmarrur ndaj Vllaznisë në ndeshjen që u zhvillua në kuadër të Kupës së Shqipërisë. Bardheblutë mposhtën shkodranët me rezultatin e pastër 2-0 duke hedhur një hap të rëndësishëm në kalimin e turit. Tirana e nis vrullshëm takimin dhe shënon që në minutën e 3 me anë të Sentamun por gjyqtari nuk e lejon si të rregullt pasi lojtari bardheblu shkaktoi një faull. Tirana është më superiore në fushën e lojës dhe arrin të rrezikojë shpesh herë por pa gjetur rrjetën.

Nga ana tjetër Vllaznia nuk ka forca të shumta në sulm për të rrezikuar. Me shifrat 0-0 mbyllet pjesa e parë e takimit. Me fillimin e pjesës së dytë Vllaznia tregon dhëmbët dhe tenton me Ribaj por goditja e tij përfundon në këndore. Në minutën e 68 vjen goli i parë i takimit. Ngo kalon bukur nga e majta dhe pason në qendër për Grecë dhe ky i gundit shënon lehtësisht. Pas këtij goli vendasit kërkojnë golin e sigurisë. Asion Daja lëshon një predhë jashtë zonës por portieri tregohet i vëmendshëm duke e devijuar.

Goli i dytë vjen në minutën e 83 me anë të Uellison i cili godet saktë një krosim të Karabecit. Me fitoren e Tiranës mbyllet ky takim dhe bardheblutë janë me një këmbë në turin tjetër të Kupës. Skënderbeu nuk e ul aspak ritmin as në Kupën e Shqipërisë.  Korçarët fituan ndaj Besëlidhjes me rezultatin e ngushtë 1-0. Vlen të theksohet se në këtë sfidë trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja aplikoi një rrotacion për t’i dhënë hapësira lojtarëve që nuk kanë pasur shumë minuta në këmbët e tyre në këtë sezon por edhe për të lënë të pushojnë titullarët që do të luajnë ndaj Kukësit në fundjavë në kampionat. Korçarët zhvillojnë një ndeshje të mirë dhe dominuese.

Golin e vetëm të takimit e shënon Shend Kelmendi në minutën e 25. Kaq mjafton për pjesën e parë. Me gjithë rastet e krijuara, të dyja skuadrat nuk arritën të gjenin golin dhe me këtë rezultat përfundon takimi mes Besëlidhjes dhe Skënderbeut. Nuk ka zgjënjyer as skuadra e Kukësit e cila ka mposhtur Erzenin me rezultatin e thellë 1-4. Dy golat e parë u shënuan nga Guri, përkatësisht në minutën e 8 dhe 14. Një dy golësh që i dha mundësinë veri-lindorëve të administronin si duhet lojën. Me fillimin e pjesës së dytë Kukësi shënon golin e tretë të takimit me anë të Koldashit në minutën e 51. Vendasit provojnë por pa mundur të mposhtin portierin kundërshtar. Në fundin e takimit Erzeni dhe ngushton diferencën  me anë të Goxhaj 4 minuta para fundit.

Por gëzimi i vendasve zgjat shumë pak pasi pas vetëm 2 minutash Peposhi vulos për shifrat 1-4. Një sfidë që dhuroi gola dhe spektakël dhe mund të themi që Kukësi do ta luajë ndeshjen e kthimit vetëm në mënyrë formale pasi është shumë komode me një rezultat të tillë. Sfida tjetër e Grupit A mes Kamzës dhe Teutës përfundoi në barazim 1-1. Kamza është një skuadër e mirë organizuar dhe këtë e ka treguar në kampionat ku ka arritur rezultate shumë të mira.

Edhe në takimin ndaj durrsakëve, vendasit bënë një paraqitje shumë të mirë. Kamza kalon në avantazh që në minutën e parë të takimit me anë të Rezit i cili shtang ekipin kundërshtar. Pavarësisht avantazhit, Kamza nuk e përballoi si duhet presionin e Teutës të cilët shënuan në minutën e 30 të takimit me anë të Latif. Kaq dhe për këtë takim dhe gjithçka do të vendoset në Durrës.