Hajdari kundër PS-PD: Modeli i vjetër nuk përfaqëson qytetarët

Deputetja Rudina Hajdari, që nuk pranoi që të dorëzonte mandatin, ka zhvilluar një takim me Ambasadoren e Gjermanisë në Tiranë, Sussane Shütz. Kritikë nga Grida Duma: Hajdari theu vendimi e Këshillit Kombëtar!  

Lindita Bushgjokaj

Deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari që nuk pranoi të dorëzonte mandatin dhe më pas u përjashtua nga partia, është takuar dje me Ambasadoren gjermane në Tiranë, Sussane Shütz. Pas takimit në një postim në rrjetet sociale, Hajdari kërkon përgjegjshmëri nga opozita dhe qeveria për të kaluar krizën institucionale që ka mbërthyer vendin pas largimit të opozitës nga parlamenti. “Takim me Ambasadoren e Gjermanisë në Tiranë, Znj. Sussane SHÜTZ. Diskutuam për situatën e vështirë dhe shumë delikate në të cilën ndodhet vendi dhe institucionet Shqiptare aktualisht. Miqtë tanë Evropianë dhe Gjermanë janë tepër të shqetësuar për krizën politiko-institucionale në vend ashtu sikurse është i shqetësuar çdo qytetar Shqiptar. BE kërkon me të drejtë përgjegjshmëri të lartë dhe integritet nga politikanët Shqiptare, nga qeveria dhe opozita. Është e papranueshme që politika në tërësi të vazhdojë me modelin e vjetër që nuk përfaqëson aspak qytetarët Shqiptarë, aspiratat, qëllimet dhe vlerat e tyre”.

Mandatet e opozitës krijuan ngërç politik

Ish-deputetja e PD-së Rudina Hajdari, kritikon me tone të ashpra vendimin e opozitës për të djegur mandatet e tyre, pasi sipas saj, ky është një veprim me pasoja negative për vendin. Në këto kushte, Hajdari bën thirrje për ndërgjegjësimin e situatës dhe gjetja një zgjidhje politike që siguron interesin kombëtar të vendit. “Dorëzimi në bllok i mandateve nga ana e opozitës nuk është zgjidhje ashtu siç nuk është aspak zgjidhje arroganca qeveritare. Sjellja e politikës Shqiptare sot është modeli më i keq i mundshëm që po i ofrojmë qytetarëve Shqiptarë dhe sidomos të rinjve. Nuk mund të rrimë duar-kryq dhe të presim që ky ngërç i paprecedent politiko-institucional të zgjidhet vetë. Situata mund të agravojë kur aktorët nuk vlerësojnë siç duhet rrethanat. Të gjithë aktorët kanë detyrimin që të reagojnë sa më parë për të orientuar një zgjidhje politike të gjithëpranueshme për krizën e paprecedentë në cilën gjendet sot Shqipëria, për një zgjidhje që siguron në radhë të parë interesin qytetar dhe kombëtar, pa çeduar demokracinë me qëllim që të ndikojmë pozitivisht të ardhmen e Shqipërisë dhe anëtarësimin e saj në BE”.

Kujt i takon vendimi i mandateve?

Rudina Hajdari është një nga deputetet e PD-së që refuzon të djegë mandatin e deputetes, në kundërshtim me vendimin e Këshillit Kombëtar me argumentin se kërkon t’i shërbejë te ardhmes se vendit. Megjithatë, si duhet vepruar ne këtë rast? Për ish-deputeten Grida Duma, vendimi përfundimtar u takon forumeve të partisë, megjithatë qartësisht do donte që ajo të bënte karrierë ne ‘selinë blu’, kur thotë se ‘politika ka ulje dhe ngritje por njeh edhe rikthimet’. “Vendimi i takon forumeve, dhe kur forumet vendosin një gjë për njërin, ajo duhet të zbatohet për të tjerët, kështu funksionon në një organizatë. Kush është figurë politike me trashëgimi politike di të tregojë veten dhe që politika ka uljet e ngritjet e veta dhe që historia njeh rikthimet”, sqaron Duma. Opozita e bashkuar dogji mandatet e deputetëve pasi e konsideron mazhorancën aktuale si jo legjitime, të dalë nga zgjedhje jo të ndershme, ku sipas raportit të certifikuar të OSBE-së, 20% e votave ishin të blera.

Fjala

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ishte pak ditë më parë në Dibër ku ftoi qytetarët që t’i bashkohen protestës së 16 marsit për të rrëzuar Ramën për shumë arsye, mes tyre, sipas tij, edhe për vjedhjen e votave në zgjedhjet lokale në këtë bashki në 2016. Kandidati i PD-së në garën që opozita humbi në zgjedhjet lokale në Dibër para tre viteve ishte Sherefedin Shehu, ish-deputet i PD-së, që tashmë duket se është harruar nga lidershipi i djathtë. Por, kauza e Bashës duket se e ka detyruar që të bëjë një reagim. Ai u kërkon qytetarëve, se pyesnin Bashën se ku e ka protagonistin e tij që kjo dosje e viktimizoi dhe PD-së i legjitimoi çadrën. Një gjë e tillë, thotë Shehu do e ndihmonte PD-në për të gjetur rrugën e fitores, pasi ‘nëse shqiptarët shikojnë se kreu i PD-së nuk është në gjendje të mbajë shtëpinë e tij nuk mund të besojnë se ai do të rregullojë Shqipërinë’. “U gëzova shumë që ju pashë të shtuar dhe me entuziazëm në mbështetje të PD-së. Por, meqenëse Basha foli më shumë për dosjen 184, duhej ta kishit pyetur se ku e ka protagonistin e tij që kjo dosje e viktimizoi dhe PD-së i legjitimoi çadrën”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet