Hajdareviç dhe Qaka: Krenar për këtë fanellë

Publikuar më 11. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit do të zhvillojë ditën e hënë ndeshjen miqësore ndaj Turqisë. Në konferencën e djeshme për shtyp, dolën para mediave dy prurjet e reja, Astrit Hajdareviç dhe Kamer Qaka. Të dy lojtarët e rinj u shprehën shumë krenar për grumbullimin në skuadër dhe theksojnë se nuk i interesojnë sa minuta do të luajnë, por e rëndësishme është të fitojë skuadra. “Të gjithë më kanë pritur mirë. Kam pritur shumë vjet për këtë grumbullim. Edhe për mua dhe për familjen time, jam i kënaqur që jam këtu. Do jap gjithçka.

Ishte kënaqësi, pasi e prisja për shumë kohë, dhe kam luajtur për Suedinë. E kam patur të vështirë pasi jam rritur atje, por gjithmonë do e them se jam shqiptarë. Shumë e lehtë të përshtatem me grupin. Edhe këtu, edhe në klube ka konkurencë. Kam 15 vite si profesionist. Shpresoj të luaj disa minuta dhe të tregoj kualitetin tim. Ekipi është i fortë, dhe ka shumë talente. Edhe në Europian e tregoi vlerën që ka. Pozicioni im është mesfushor sulmues, si një numër 10, por mund të përshtatem edhe në pozicione të tjera. Jo shumë njerëz më njihnin, dhe janë skeptikë prej mbiemrit.

Ne e kemi mbiemrin Hajdari, por prej shkak të luftës e kemi ndërruar, por ne jemi shqiptarë”, shprehet Astrit Hajdareviç. Talenti tjetër, Kamer Qaka bëri të ditur se e ka ëndërruar që i vogël të luajë për ngjyrat kuq e zi. “Kur më morën në telefon, nisa menjëherë të qaj. Që kur kam qenë i vogël e kam parë Kombëtaren të luajë, dhe ka qenë një ëndërr për mua të jem pjesë. Çunat janë shumë të mirë, luftojnë në lojë. Unë dhe familja ime kemi pasur qejf që të luaj për vendin tim. Kur mora ftesën, nuk e mbajta dot veten. Tani po e shoh edhe vetë sa ekip i mirë është Shqipëria. Ka shumë talente. Unë jam nga Peja e Kosovës, dhe tashmë Shqipëria më ka plotësuar ëndrrën. Një minutë, apo dy edhe tre, nuk ka rëndësi sa aktivizohem, rëndësi ka që të fitojë ekipi. Jam krenar që jam këtu”, përfundon Kamer Qaka. Të dy këta futbollistë kanë mundësi të mëdha që të debutojnë në sfidën me Turqinë të hënën.