Gurët në tëmth, komplikacionet dhe trajtimi

Publikuar më 29. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Dr. Nevila Lengu, mjeke gastrohepatologe

Ndonëse në pamje të parë gurët e tëmthit duken një patologji beninje, kur shoqërohen me infeksione të përsëritura shkaktojnë fibrozë të kolecistes, e cila mund të bëhet pararendëse e karcinomës së kolecistes.

Gurët e rrugëve biliare ose litiaza biliare nënkupton praninë e gurëve në fshikëzën e tëmthit ose në kanalet biliare brenda ose jashtë mëlçisë. Vetë bila (lëngu i tëmthit) prodhohet në mëlçi dhe, pasi del prej kësaj të fundit, depozitohet në fshikëzën e tëmthit. Në momentin kur ushqimi mbërrin në zorrën e hollë, fshikëza e tëmthit tkurret dhe e derdh përmbajtjen në një kanal që quhet koledok dhe ky i fundit, duke grumbulluar edhe sekrecionet me origjinë nga pankreasi, e derdh përmbajtjen në zorrë për të marrë pjesë në procesin e tretjes. Gurët e rrugëve biliare hasen më shpesh tek femrat se meshkujt. Në përmbajtje të tyre gurët kanë kolesterolin dhe bilirubinatin e kalciumit. Procesi i formimit të gurëve është gradual. Në fillim krijohet ajo që quhet “sludge” ose ndryshe llum biliar, i cili gradualisht precipiton deri në formimin e gurëve.

Simptomatika

Për sa i përket simptomatikës, shumë pacientë nuk paraqesin ankesa dhe kalkuli zbulohet rastësisht gjatë kryerjes së ekos abdominale. Një pjesë e pacientëve paraqesin çrregullime të tretjes, si dhimbje pas ngrënies, ndjesi fryrje, të përziera. Tabloja klasike, ose e ashtuquajtura kolika biliare, karakterizohet nga dhimbje në trajtë krizash pas ngrënies, që fillojnë në epigaster (stomak), përhapen më pas në hipokondrin e djathtë (poshtë harkut brinjor) dhe shpatullën e djathtë, shoqëruar me të përziera ose të vjella. Kur dhimbja bëhet më e qëndrueshme dhe shoqërohet me temperaturë, kjo nënkupton infeksionin e fshikëzës së tëmthit (kolecistit) dhe përbën një nga komplikacionet e litiazës biliare. Komplikacione të tjera janë pankreatiti, zbritja e gurit në koledok (koledokokolitiaza) dhe infeksioni pasues (kolangitis).

Diagnoza dhe trajtimi

Metoda diagnostikuese më e thjeshtë është eko abdomimale e cila mund të pasohet nga tomografia e kompjuterizuar (skaner) ose rezonanca magnetike. Për sa i përket trajtimit ai është medikamentoz, kirurgjikal dhe me litotripsi ekstrakorporale (copëtimi). Trajtimi medikamentoz me acid ursodeoxycholic rekomandohet në gurë me përmbajtje kolesteroli më të vegjël se 1.5 cm,  akoma më mirë më të vegjël se 1 cm në një fzhikëz tëmthi funksionale.Trajtimi zgjat 6 deri 18 muaj por gurët ripërsëriten në shumë pacientë pas disa vitesh ndaj remomandohet kontroll periodik ekografik. Trajtimi kirurgjikal rekomandohet në rastet simptomatike ose të komplikuara dhe në pacientë me patologji të tjera si diabeti mellitus, anemitë hemolitike, fibrozën e kolecistës (pararendëse e karcinomës së kolecistës). Në pacientët me kalkula unike ose asimptomatike interventi lihet përgjithësisht në zgjedhjen e pacientit. Interventi mund të kryhet me laparotomi ose laparoskopi.

Përpara se të vendoset për mënyrën e interventit, duhet të kryhet rezonanca magnetike për të përjashtuar gurët në kanalin koledok. Në bashkekzistencën e këtyre të fundit, mund të kryhet laparotomi ose laparoskopi për të kryer kolecistemtomine  dhe sfinkterotomi me rrugë endoskopike (prerje e sfinkterit të Odit). Në rastin e kolecistitit, trajtimi me antibiotikë është parësor. Mund të kryhet drenimi i kolecistes nëpërmjet procedurës së quajtur kolecistostomi dhe në një moment të dytë, pasi është dominuar infeksioni, kryhet kolecistektomia. Për sa i përket pankreatitit, trajtimi fillestar është medikamentoz dhe më pas kolecistektomia. Krijimi i gurëve mund të parandalohet nëpërmjet konsumimit të rregullt të mëngjesit, aktivitetit fizik, shmangies së dietave strikte. Mendohet që konsumimi i kafesë luan rol pozitiv në parandalimin e gurëve biliarë. Ndonëse në pamje të parë gurët e tëmthit duken një patologji beninje, kur shoqërohen me infeksione të përsëritura shkaktojnë fibrozë të kolecistes, e cila mund të bëhet pararendëse e karcinomës së kolecistes. Në raste të tilla rekomandohet kolecistektomia parandaluese.

Çfarë ndodh pas kolecistektomisë?

Pacienti mund të ketë jetesë të kënaqshme pas saj. Ankesat përmirësohen në pjesën më të madhe të pacientëve. Disa prej tyre vazhdojnë përsëri me të njëjtat ankesa. Shkak për këtë mendohet të jetë kontraktimi i çrregullt i sfinkterit të Odit (diskinezi biliare). Në këtë rast mund të kryhet sfinkterotomia, e cila ul presionin në rrugët biliare dhe qetëson simptomat.

Shkaktarë predispozues për formimin gurëve në rrugët biliare janë:

  1. Mosha
  2. Trashëgimia
  3. Gjinia(4 “f”e gurëve biliare që nënkupton femër, obezë mbi 40 vjeç dhe që ka lindur disa fëmijë.
  4. Patologji bashkë-ekzistuese si anemitë hemolitike, cirroza hepatike dhe splenomegalia (shpretka e zmadhuar), patologji të pjesës fundore të zorrës së hollë (ileumi terminal) etj.
  5. Shtatzënia.
  6. Mos konsumimi i mëngjesit.
  7. Dietat e paekuilibruara.
  8. Diabeti mellitus.
  9. Medikamente si estrogjeni, medikamentet hipolipemiante (stabilizues të nivelit të yndyrave) etj.

Trajtimi i kolikës biliare:

  1. Frenues të aciditetit si omeprazol, pantoprazol etj.
  2. Antispastikë si buskopan.
  3. Analgjezikë si diklofenak.
  4. Trajtimi i komplikacioneve