Gruaja lind në shtëpi dhe dërgohet pas dy javësh në spital, por i vdes foshnja

Publikuar më 14. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Nikoleta Kovaçi

V.K 40 vjeçe ka humbur foshnjën dhe vetë është dërguar në neurologji. Mjekët: Është me probleme mendore. Fëmija kishte plagë në këmbë e në kokë, se shpëtuam dot! Ngjarja zbulohet 24 orë pas vdekjes së fëmijës

Ka lindur në kushte shtëpie. Fëmija është dëmtuar, ndërsa nëna është në gjendje të rëndë shëndetësore. Kështu janë dërguar në spital. Po aty fëmija ka vdekur, ndërsa nëna ka rezultuar me probleme mendore dhe është kaluar nga materniteti për të spitali neurologjik. Kaq di të thotë policia. Asnjë fjalë nuk e thotë spitali e madje policia nuk e di se as pse ka ndërruar jetë foshnja që është me plagë të dukshme. Konstatimi ka ndodhur dy ditë më parë ndërsa lajmi është bërë i ditur vetëm ditën djeshme nga policia e Tiranës ku lajmërohet për shkakun e problemeve që i kishin ardhur gruas meqë ajo kishte probleme mendore.

Po ashtu policia ka bërë me dije dje se ka nisur hetimet por pa saktësuar se për çfarë hetimesh bëhet fjalë pasi gruaja thuhet se është në gjendje të rënduar mendore, gjendje që nuk dihet se kur ka nisur. Nuk dihet se në çfarë gjendjeje kanë shkuar nëna dhe fëmija në spital, por autoritetet e spitalit kanë bërë me dije pranë policisë se fëmija kishte edhe shenja të dhunës, që nuk dihet se në çfarë rrethanash iu kanë krijuar. Policia dhe një grup i posaçëm hetuesish mësohet se po merren me ngjarjen ndërkohë që priten të dhënat nga ekspertët mjeko-ligjor në lidhje me shkaqet e vdekjes së foshnjës e po ashtu priten të dhënat e ekzaminimit të shëndetit mendor të gruas që do të vijë nga një sërë ekipesh mjekësore .

Ngjarja sipas policisë

Të dhënat në lidhje me ngjarjen janë dhënë në një komunikatë policore të ditës së djeshme. Pak orë më vonë u mësuan detaje të reja në lidhje me gjithçka kishte ndodhur orëve të paradites së hënës në maternitetin “Koço Gliozheni”, ku një foshnje dy javësh humbi jetën. Mjekët e maternitetit kanë bërë me dije se foshnja ka pasur dy shenja prerje në pjesën e kokës dhe të kofshës, që dyshohet të jenë shkaktuar nga pakujdesia e nënës, V. K., e identifikuar si person me probleme psikike.

Gruaja 40-vjeçare ka kryer lindje në shtëpi para dy javësh dhe të hënën është dërguar në maternitetin “Koço Gliozheni” në kryeqytet, në gjendje të rënde shëndetësore, bashkë me foshnjën. Mjekët i kanë thënë policisë që ia kemi dhënë ndihma e parë mjekësore, por foshnja nuk ka mundur të shpëtojë. Pas kryerjes së procedurave, nëna është transportuar në spitalin neurologjik dhe po mbahet në mbikëqyrje nga mjekët, ndërsa organet kompetente po hetojnë për të zbardhur ngjarjen. Policia në njoftimin e saj të dhënë 24 orë pas ngjarjes ka bërë me dije faktin se: Më datë 12.02.2018, në maternitetin “Koço Glozheni”, kanë shkuar në gjendje të rëndë, shtetësia V. K, vjeç 40 banues në Tiranë, me foshnjën 2 javësh, e cila ka lindur në kushtet e shtëpisë dhe vdiq në maternitet foshnja, kurse shtetasja V. K është në gjendje të rëndë. Nga veprimet e kryera rezulton se V. K është me çrregullime mendore. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për vlerësim juridik.

Hetimet

Referuar të dhënave konfidenciale bëhet me dije se po punohet intensivisht për të mësuar se përse është kryer në shtëpi lindja e foshnjës. Po ashtu të dhënat tregojnë se do të pyeten njerëzit e familjes së gruas dhe më pas do të arrihet në një konkluzion paraprak për ngjarjen e rëndë dhe të pakuptimtë që në vitin 2018 në Tiranë, një grua lind në kushtet e shtëpisë. Policia ka bërë me dije se ende nuk e di se çfarë ka ngjarë me atë ngjarje, por janë mjekët e spitalit neurologjik që do të përcaktojnë nëse gruaja ka probleme të kahershme apo iu kanë shfaqur që pas lindjes së fëmijës. Po ashtu pritet raporti mjeko-ligjor për të mësuar shkakun real të vdekjes së foshnjës nëse ka patur shkaqe të jashtme.