Greqi-Shqipëri, bisedimet mes vendeve mbyllen pa rezultate

Publikuar më 13. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Përfundon takimi 3-ditor i ministrave të jashtëm Kotzias dhe Bushati. Asnjë detaj për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Deklarata përfundimtare flet për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe formulim të një marrëdhënieje të re për “marrëveshjen e detit”

Ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Shqipërisë përfunduan bisedimet treditore në Kretë, ku për herë të parë hodhën në tryezë të gjitha temat që shqetësojnë të dy vendet. Tirana dhe Athina deklarojnë se bisedimet u zhvilluan nën një atmosferë miqësore dhe konstruktive, ku u krye një punë substanciale. “Të dyja palët pranuan rëndësinë e dialogut në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe ranë dakord për hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë për të arritur rezultate pozitive, duke u mbështetur në vlerat dhe normat europiane, në të mirë të të dy vendeve dhe popujve të tyre”, thuhet në një deklaratë të diplomacisë shqiptare.

Tepër e rëndësishme për Athinën zyrtare edhe formulimi i një marrëdhënieje të re për atë që quhet “marrëveshja e detit”, ku pas rrëzimit të paktit të vitit 2009, tashmë palët diskutuan nga pika zero. Duket se palët kanë një akord për këtë çështje dhe Greqia ka pranuar të negociojë dhe të pranojë një zgjidhje të ndërmjetme, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, e cila duket se ka kënaqur Tiranën. Burimet nga takimi thanë se shumë shpejt pritet që për këtë çështje të ketë një marrëveshje të re mes palëve.

Ndërkohë, Athina kërkoi zgjidhjen e çështjes së varrezave të ushtarëve grekë, ndërsa për çështjen çame, edhe pse u bë pjesë e axhendës dhe pala shqiptare e cilëson imediate zgjidhjen, ajo greke kërkoi që të diskutohet në një periudhë të mëvonshme. Kjo pasi palët ranë dakord që të gjendet një mënyrë me më pak ngarkesë negative dhe që çështja të jetë më e pranueshme për opinionin grek. Ndërkohë, ministrat biseduan për tekstet shkollore dhe heqjen e ngarkesave negative në to. Athina kërkon që të hiqen referimet për zonën e Çamërisë.

Po ashtu, Kotzias ka kërkuar respektimin e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, ndërsa Bushati ngriti çështjen e heqjes së ligjit të luftës, i cili mban peng pronat e shtetasve shqiptarë dhe atyre minoritarë me shtetësi shqiptare në territorin grek. Për këtë, palët ranë dakord se ka një zgjidhje dhe një formulë ligjore, por ajo i përket palës greke, e cila u zotua se shumë shpejt do të ketë një përgjigje. Dy ministrat do të takohen shumë shpejt në Shqipëri. Bushati u kthye nga Kreta me avionin e Kotzias në Rinas, ku pasi drekuan në aeroport, shefi i diplomacisë greke u nis drejt Brukselit për takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së. Takimi u mbajt në një hotel në zonën e Iraklios në ishullin e Kretës, ndërsa mediat greke kanë zbuluar disa detaje nga ky takim.

Mediat kanë publikuar foto të kreut të diplomacisë greke duke kërcyer valle kretase. Një ditë më herët, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, kanë vizituar malësinë e Kretës vendin ku sipas mitologjisë ka lindur Zeusi. Ministrat Kotzias e Bushati dhe shoqëruesit e tyre janë pritur me këngë e valle nga banorët e fshatit, ndërkohë që kryetari i bashkisë u ka bërë dhurata simbolike.

Reagimet

Sipas ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërkohë që Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati e ka cilësuar të suksesshme vizitën e tij në Kretë të Greqisë, nuk janë i të njëjtit mendim emigrantët shqiptarë. Qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi, denoncojnë Ministrin e Jashtëm, se ka shkuar në Kretë për qejf dhe jo për të zgjidhur hallet e problemet e mijëra shqiptarëve që jetojnë e punojnë në shtetin grek, thuhet në denoncimin e bërë publik nga ishkryeministri Sali Berisha. “Nga Kreta zero probleme, zero zgjidhje! Qytetari dixhital denoncon Ditzi Bushatin. Të dashur miq, Ditëziu hedh valle dhe pi uzo në buzuqe në Kretë, për të mbuluar dështimin e plotë të radhës, në takimin disa ditor me homologun e tij grek, në të cilin çdo gjë mbeti siç ishte; zero problem, zero zgjidhje.

Kurse qytetarët shqiptarë vuajnë me ditë të tëra në pikat kufitare midis dy vendeve tona.Ja se çfarë shkruan qytetari dixhital. “Prsh z Berisha jemi një grup qytetarësh që duam t’ju njoftojmë e jemi prej katër ditësh në Kakavijë për të ikur në Greqi dhe me çdo gjë në rregull dhe nuk na lënë. Si ka mundësi kur mund të hapen ndërkohë që ministri ynë prej tre ditësh vazhdon bisedime dhe ahengje në Kretë dhe sot çirret për sukses. Çfarë suksesi paska arritur ai, për të mbyllur kufirin mes dy vendeve?” Ndërsa, sipas ish-ministrit të jashtëm, Tritan Shehu, aktualisht deputet i PDsë, këto bisedime ishin sukses vetëm për Greqinë. “Mbas reth 48 orësh biseda të paraprira nga trumbeta propagandistike, midis Zz. Kotzias e Bushati, mbas disa këngëve, valleve e darkave aty, Ministria e Jashtme e Shqipërisë nuk ka bërë asnjë njoftim substancial zyrtar për ecurinë.

I vetmi burim zyrtar informacioni është njoftimi i parë i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, i cili edhe “midis rreshtave” nuk trasmeton asnjë mesazh konkret. Mendoj se takimet janë gjithmonë pozitive, por ashtu siç e kam thënë edhe në Komisionin e Jashtëm nuk kisha ndonjë pritshmëri konkrete këtë herë.Kjo sepse problemet e agravuara prej vitesh nga politikat rajonale aventureske të Rilindjes, nuk mund të zhbëheshin në 48 orë, pavarësisht edhe muzikës!!”. Sipas Shehut çështjet me Greqinë mund të zgjidhen duke rinovuar Traktatin e Miqësisë së vitit 1996. Për lëvizjen e lirë duhet të punohet menjëherë për tejkalimin e çështjes së toponimeve. Për pronat duhet të aktivizohet komisioni i parashikuar në Traktat. Për çështjen e “Ligjit të Luftës” dhe kufijve tokësorë duhet mbështetur përseri në atë Traktat. Për Marrëveshjen Detare duhet punuar mbi modelin e mëparshëm të saj”-propozoi Shehu.