Grayson Perry rrëfen në 6 tapiceri sistemin klasor në Britani (FOTO)

Publikuar më 02. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Ekspozita “Kotësia e dallimeve të vogla” në GKA. Fituesi i çmimit “Turner” tregon historinë se si britanikët e perceptojnë konceptin e shijes dhe klasit.  Rrëfenjën morale të modernitetit, bazuar te jeta dhe vdekja e personazhit imagjinar Tim Rakewell, i ka përjetësuar në tapiceri

Gjashtë tapiceri, 8 gravura origjinale të punës së William Hogarth, 20 riprodhime dhe 3 dokumentarë të krijuar nga udhëtimet e Grayson Perry-t në 3 rajone të Anglisë, ku ai u frymëzua për ekspozitën gjenden nga sot në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ekspozita “Kotësia e dallimeve të vogla” është kuruar nga Rubens Shima. Ai ndal te detajet, që sjell në këtë ekspozitë fituesi i çmimit “Turner”, Grayson Perry, duke treguar se qëllimi i artistit është vëzhgimi, njohja dhe kuptimi i klasave shoqërore britanike dhe shija që lidhet me to. Pikturat e tij në tapiceri kanë në qendër jetën e Tim Rakewell, i cili lind në klasën punëtore, pasurohet dhe bëhet pjesë e klasës së mesme, por nuk arrin dot të futet në klasën e lartë të shoqërisë dhe në fund vdes i pasur në një aksident automobilistik.

Kuratori i ekspozitës Shima bën një përshkrim të konceptit artistik, mesazheve dhe moralit mbi të cilat Perry përpiqet të transmetojë në punët e tij. “Jam i kënaqur që jam marrë me ekspozitën ‘Kotësia e Dallimeve të Vogla’ , të një prej autorëve më të njohur në Britani të ditëve të sotme. Ekspozita zë fill nga një seri dokumentarësh në bashkëpunim me ‘Channel 4’, ku artisti bën një vëzhgim të kujdesshëm mbi klasat shoqërore dhe shijen në Britaninë e Madhe. Më pas shënimet, impresionet, vëzhgimet, fotografimet që mbajti gjatë këtyre udhëtimeve, vendosi t’i sjell në formën e një ekspozite, duke zgjedhur pikërisht një teknik shumë të vjetër, njëkohësisht shumë të çmueshme dhe që lidhen me statusin e prestigjit dhe statusin e familjeve të dikurshme aristokratike që është tapiceria”.

Më tej Shima shton se, në një farë kuptimi ai donte që vizitat e tij t’i imortalizonte, t’i bënte të pavdekshme meqenëse tapiceria në origjinën e saj të hershme është mbajtur, si një lloj medie, që regjistronte ngjarje historike. “Pra duke marrë nxitje nga historia e vetë tapicerisë, ai vendosi që vizitën e tij në shtresat e ndryshme të historisë britanike, pra këtë rrëfenjë morale të modernitetit ta përjetësonte në tapiceri”, shpjegon Shima. Vet Perry, në një intervistë, të cilët po e botojmë, ka shpjeguar disa nga detajet kryesore gjatë punës së tij. Ekspozita qëndron e hapur deri më 5 dhjetor.

 

Zoti Perry, si do ta përshkruanit kotësinë e gjërave të vogla? 

Këto gjashtë tapiceri tregojnë historinë e personazhit imagjinar Tim Rakewell. Kam përfshirë në to disa nga personazhet e jetës reale, incidentet dhe objektet që kam hasur teksa filmoja “Gjithçka me shije perfekte” (2012) për Channel 4.

Tapiceritë i referohen fort serisë së pikturave të William Hogarth, “Historia e djalit plëngprishës” (1733). Çfarë ju interesoi në të në mënyrë të veçantë?

“Historia e djalit plëngprishës” në tetë piktura, tregon historinë e Tom Rakewell, një të riu, i cili trashëgon një pasuri nga babai i tij koprracë e shpenzon të gjithën me kumar dhe aktivitete të modës, martohet për para, humb në kumar pasurinë e dytë, e fusin në burg të debitorëve dhe vdes në një çmendinë.

Prek kohësh, Hogarth ka ndikim në punën time. Identifikohem me esencën e tij angleze, humorin e tij të fuqishëm dhe përshkrimin e tij, siç thoshte vetë, të “subjekteve moderne morale”. Një ndikim dytësor ndoshta vjen nga forma ime e preferuar e artit, piktura e hershme e rilindjes, siç përfaqësohet nga Sainsbury Wing i Galerisë Kombëtare, Londër. Secili nga gjashtë imazhet e mia, në një masë më të madhe apo më të vogël, është homazh ndaj veprave me përmbajtje fetare.

Ka shumë referenca të tjera në vepër, të cilat shkojnë nga arti e historia, tek shoqëria, politika dhe kultura. A është e rëndësishme për ju që t’i kombinoni të gjitha këto referenca të ndryshme në punën tuaj?

Mënyra ime themelore e punës është të shoh një vepër arti në një muze, libër apo diku tjetër dhe të realizoj versionin tim për të. E gjithë historia e artit është një seri e kopjeve të personalizuara, të keqkuptuara apo të keqparaqitura, si në lojën “telefoni i prishur!”.

A keni pasur gjithmonë në plan që t’i realizoni veprat si rezultat i prodhimit të serive televizive apo është zhvilluar më vonë kjo ide?

Seria e programeve ishte një udhëtim hulumtimi për tapiceritë, kështu që veprat ishin planifikuar që në zanafillë, por nuk e kisha idenë si do të dukeshin bashkë, përveç se do të ishin gjashtë dhe do të ishin tapiceri.

A mund të na e tregoni procesin e dizajnit dhe prodhimit të tapicerive?

Ashtu si shumica e tapicerive që kam parë në sallone të bukura, edhe të miat janë thurur në Fiander. Ndryshe nga prodhuesit e tyre shekullorë, unë i dizajnova me Photoshop dhe m’i thurën me shpejtësi mahnitëse në një tezgjah të kontrolluar me kompjuter që mund të prodhojë një tapiceri katër me dy metra për vetëm pesë orë. Ende kërkohet punë e kualifikuar, por kryhet nga teknikë të specializuar, kompjuterikë, të cilët konvertuan vizatimin tim në dosjen e madhe digjitale që kontrollonte tezgjahun.

“Kotësia e dallimeve të vogla” mund të shihet si një udhëtim nëpër sistemin klasor britanik. A mendoni se është e mundur të lëvizet dhe të ndryshohet klasë në Mbretërinë e Bashkuar?

Si djalosh i klasës punëtore, i edukuar në shkolla të zgjedhura, i lindur nga fundi i brezit “baby boom”, temën e lëvizshmërisë shoqërore e kam në zemër. Politikanët njëherë flasin për një shoqëri pa klasa, por unë mendoj se sistemi klasor ende lulëzon, edhe pse kuçedrës i janë shtuar kokat në krahasim me epokën e kapelave te sheshta, bombeve dhe cilindrave. Teksa “katundari” zvarritet në jetë, mund të fitojë shprehi gati autentike prej shtrese të mesme: një studio me libra, një makinë modeste, një bufe plot me verë dhe korniza origjinale dritaresh. Në të njëjtën kohë, thellë në detyrën tonë urbane dhe metropolitane, fshihet një pjesë e jona për të cilën na vjen turp dhe që gërthet nga errësira “Dua një Porsche ari”.

Ju keni marrë shumë role, si artist, arkitekt, zëdhënës dhe personalitet televiziv. A ju kënaqin këto role?

Të jem artist është roli më i rëndësishëm për mua, të paktën financiarisht! Të gjitha rolet e tjera mund të përshtaten nën ombrellën e artit në një masë të caktuar, sepse artisti është rol kaq i përshtatshëm këto kohë. I realizoj programet televizive, edhe pse nëse kemi parasysh thjesht vlerat televizive nuk është art për mua, kjo është arsyeja pse jam aq krenar për çmimin “BAFTA”.

Bio

Grayson Perry (1960) përdor mediet tradicionale, si tapiceria, qeramika dhe grafikat për të shqyrtuar joshjen e tij me problemet bashkëkohore sociale. Ai është nga artistët me profilin më të lartë Britanik, në 2003 Perry fitoi “Turner Prize”, një nga çmimet më prestigjioze bashkëkohore në Mbretërinë e Bashkuar. Tërhoqi çmimin i veshur si një grua, e cila përfaqëson alter egon ‘’Claire’’, për të treguar interesin e tij në identitet, që gjendet gjithashtu në artin e tij.

Historia e djalit plëngprishës

Tetë pikturat e Willam Hogarth në “historia e djalit plëngprishës (1733) tregojnë historinë e Tom Rekewell, një i ri që ndjek rrugën e vesit dhe shkatërrimit, pasi trashëgoi një pasuri nga babai i tij koprrac.

Adhurimi i boksierëve në kafaz, 2012

Në qendër është Timi, fëmijë në krahët e nënës së tij, si një interpretim modern i skenës së Shën Mërisë dhe foshnjës nga ikonografia e krishterë. Skena është e vendosur në dhomën e ndenjes së stërgjyshes së Timit, e dekoruar me orendi, mobileje dhe letër muri të modës së vjetër. Timi përpiqet të tërheqë vëmendjen e nënës së tij, duke u zgjatur drejt smartphonet-t, më të cilin ajo merret, duket sikur ajo është veshur për një natë jashtë dhe katër mikeshat në të djathtë janë duke e pritur. (Tapiceri me lesh, pambuk, akrilik, poliestër dhe mëndafsh (200 x 400 cm)).

Dëbimi nga numri 8 Eden close, 2012

Kjo skenë tregon Timin, si një student universitar i informatikës. Ai po lë pas jetën e tij me nënën dhe njerkun, teksa mirëpret nga familja e shtresës së mesme të lartë e të dashurës së tij nga një Tundbridge Ëells, një qytet i pasur në Anglinë Juglindore. Perry vizitoi Tunbridge Ëells si pjesë e kërkimit të tij për këto tapiceri, dhe zgjedhjet e interiorit të brendshme të skenës reflektojnë shijet e klasës së mesme që dominojnë në këtë rajon.

Shpallja e marrëveshjes me Virgin, 2012

Kjo tapiceri është frymëzuar nga vizita e artistit në një zonë në Anglinë Juglindore, e cila thuhet se ka të ardhurat më të larta mesatare për familje në Mbretërinë e Bashkuar. Tavolina e kuzhinës në qendër është si një natyrë e qetë e objekteve që tregojnë pasurinë e Timit prej shtrese të mesme, perime organike, një makinë kafeje, një enë me lule të freskëta dhe reçel shtëpie. Biznesi i software-t për kompjuterë dhe në Ipad njoftojnë se ai sapo ia ka shitur kompaninë e tij një biznesmeni miliarderi, për një sasi të madhe parash. Pika qendrore e skenës është partneri u biznesit i Timit, i cili qëndron në mes, duke i dhënë atij lajmin e mirë. Në këtë tapiceri Perry po ashtu u referohet tre pikturave të ndryshme të shekullit XV të lajmërimit biblik.

Vajtimi

Tapiceria finale e serisë tregon fundin brutal të jetës së Timit. I vrarë në një aksident me makinë, i hapi gropën vetes duke nxituar me ferrarin e tij të shtrenjtë. Timi vdes në krahët e një kalimtareje dhe ndihmës së shpejt, të dy të huaj, ndërsa gruaja e tij e dytë shikon e shokuar ndërsa kalimtarët bëjnë fotografi me telefonat e tyre.