Grabitja në Rinas/ Prokuroria do të nis me pyetjen e drejtuesve javën e ardhshme

Javën e ardhshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të fillojë me marrjen në pyetje të zyrtarëve të aeroportit të Rinasit për grabitjen e parave mesditën e 9 Prillit. Gjatë këtyre ditëve, hetuesit kanë administruar dokumentacionin dhe praktikën e ndjekur në aeroportin e Rinasit ditën kur ndodhi grabitja.

Po kështu, është sekuestruar edhe kontrata që TIA ka nënshkruar me kompaninë ICTS që kishte për detyrë ruajtjen e pistës së aeroportit të Rinasit. Policia nuk ka zyrtarisht ende asnjë të identifikuar nga grabitësit që në bashkëpunim me Admir Muratajn rrëmbyen nën kërcënimin e armëve rreth 5.7 milionë Euro. Përveç Muratajt që mbeti i vrarë nga shkëmbimi i zjarrit me policinë, grupi hetimor dyshon se në grabitje morën pjesë të paktën edhe 7 persona të tjerë që kanë luajtur rol vëzhguesi dhe ndihmësi.

Hetuesit kanë dyshime se Murataj ka bashkëpunuar me persona që ka patur njohje të vjetër dhe ka kryer më herët grabitje me këta të fundit. Ndërkohë, policia e Rinasit tashmë ka nisur patrullimet në perimetrin që më herët ushtronte kontroll vetëm kompania ICTS, ndërsa masa janë marrë edhe në sallën e kamerave të sigurisë ku do të qëndrojnë edhe punonjës policie. Një ditë pas grabitjes, në perimetrin e jashtëm u dislokuan edhe forca ushtarake që do të mbështesin policinë për ruajtjen e sigurisë në Rinas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet