Grabitja 530 milionë dollarë, arrestohet fieraku

Nga Nikoleta Kovaçi

Super operacioni i SHBA-ve për arrestimin e 36 personave në të gjithë botën mbërrin edhe në Shqipëri. Prangoset Aldo Ymeraj, që akuzohet se vodhi bashkë me grupin “Infraud” 530 milionë dollarë  

Konsiderohet një prej sipërmarrjeve më të mëdha të Departamentit të Drejtësisë Amerikane në fushën e mashtruesve në fushën e hakërimit. Ata kanë përfituar më shumë se gjysmë milioni dollarë ndërkohë që kanë jo pak por të paktën 7 vite aktivitet të njohur tashmë të kthyer në një biznes të ligjshëm dhe global. Historia e tyre është zbuluar pak vite më parë ndërkohë që hetuesit amerikanë ishin në gjurmët e një bllokimi dhe vjedhjeje kartash krediti në të gjithë botën.

Atëherë gjurmët i çuan hetuesit tek një person me origjinë ukrahinase dhe duke verifikuar grupin e tyre që tashmë e kanë të “legjitimuar” u kuptua se “Infraund” ishte themeluar në vitin 2010 dhe kishte jo pak por 11 mijë anëtarë në të gjithë botën. Në këtë grumbull anëtarësh e madje mjaft aktiv del edhe një shtetas shqiptar. Ose të paktën informacionet e bëra publike në vendin tonë janë vetëm për të arrestuarin e mbrëmshëm në Tiranë, Aldo Ymeraj, një 25 vjeçar nga Fieri, emri i të cilit gjendej në mesin e 36 urdhër-arresteve në të gjithë botën. Nga të dhënat e para të policisë amerikane u bë me dije se ndërhyrja e parë ka ndodhur me 7 dhe 8 shkurt ku u sollën në pranga plot 13 persona nga SHBA, Australi e deri në Serbi e Kosovë.

Operacioni në Tiranë

Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit bëhet me dije se është kapur një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SHBA, në fushën e krimeve kibernetike. Kapja dhe arrestimi janë bërë në kuadër të operacionit ndërkombëtar të iniciuar nga SHBA, në bashkëpunim me disa shtete, ndërmjet tyre edhe Shqipëria.  Policia thotë se gjatë një operacioni të zhvilluar mbrëmë në Tiranë, nga Sektori Kundër Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Fierit dhe Prokurorinë e Përgjithshme u kap dhe u arrestua shtetasi: Aldo Ymeraj, 25 vjeç, lindur dhe banues në Fier.

Ndaj shtetasit Aldo Ymeraj, ka një urdhër arresti nga SHBA, për vepra të ndryshme penale në fushën e krimit kibernetik, pjesëtar i një organizate kriminale që shiste të dhëna të vjedhura kartash krediti në thellësi të internetit, duke u shkaktuar konsumatorëve një humbje prej 530 milionë dollarësh. Nga 36 personat ndaj të cilëve u ngrit padi, 13 janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara, Australi, Britani, Francë, Itali, Kosovë dhe Serbi. Grupi i quajtur “Infraud”, ishte krijuar në vitin 2010 nga Svyatoslav Bondarenko, një 34-vjeçar ukrainas që përdorte një forum në internet për të blerë dhe shitur karta krediti dhe llogari bankare të vjedhura, numra të sigurimeve shoqërore dhe informacione të tjera personale.

Çfarë janë “Infraud”

Janë vetëkonsideruar si “Ministria e Çështjeve Mashtruese”! Kanë operuar fuqishëm në internet duke krijuar seksione e nën seksione. Ekspertët e këtyre çështjeve në Aemrikë tregojnë se themeluesi dhe anëtari më i lartë i “Infraud-it” ishte Svyatoslav Bondarenko, një haker nga Ukraina, i cili përdorte emrat “Rektori” dhe “Helkern”. “Mbishkrimi i parë mbështetet mirë nga kopjet e forumit të fituara nga ky autor disa vite më parë; në të vërtetë, profili i “rektorit” e renditi atë si një administrator, dhe “rektori” mund të shihet në temat e shumta të diskutimit të “Infraud-it”, duke përfituar nga shitësit që kishin paguar tarifën mujore për të reklamuar shërbimet e tyre në temat “ngjitëse” në forum”.

Kështu shprehet një prej prokurorëve të çështjes ndërsa bëhet me dije se në dhjetor të vitit 2014, vetëm disa ditë pas publikimit të vjedhjes së rreth 40 milionë kartave të kreditit dhe debitit, ky “dyqan” krimi u identifikua si shitësi kryesor i kartave të kreditit në të gjithë botën. Më pas, thonë autoritetet amerikane, në skenën e hetimit doli “Rescator” dhe të dhënat treguan se Rescator ndryshoi pseudonimin e tij nga Helkern. Aty thuhet se u vërtetua se “Rescator / Helkern” ishte një tjetër shtetas ukrainas me emrin Andrey Hodirevski. Nuk dihet nëse ka shqiptarë të tjerë në historinë e bujshme të hakërimit, ndërsa shqiptari pritet të dalë para gjykatës ditën e nesërme ku do të japë edhe të dhënat e para në lidhje me vjedhjen e kartave të kreditit në të gjithë botën.

Të tjera

Abissnet