Grabitën argjendarinë në sy të kamerave, të rinjtë rrëfejnë aventurën në Gjykatë

Publikuar më 12. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Të qetë e të sinqertë dy të rinjtë e arrestuar për thyerjen e argjendarisë pak ditë më parë dhe më pas grabitjen e saj kanë dalë para gjykatës. Ata kanë pranuar thuajse gjithçka përveç se ende nuk e dinë se kujt ia kanë shitur në Tiranë një pjesë të konsiderueshme të mallit që kishin marrë në atë dyqan. Ata kishin lënë gjurmë të shumta pa e ditur se aty kishte kamera dhe se janë filmuar në të gjitha veprimet e tyre. ata kanë pranuar të rrëfejnë në gjykatë gjithë aktin që nga momenti se si kanë vendosur të thyejnë dyqanin e deri te shitja e mallit në Tiranë. Në fakt duket se ngjarjen e ka marrë përsipër 23-vjeçari, personi që ka qenë edhe në drejtimin e mjetit në momentin që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Sidoqoftë ata kanë pranuar gjithë ngjarjen e për pasojë ata do të përfitojnë edhe të gjitha uljet e mundshme të dënimit, për aq sa ua mundëson baza ligjore!

Kështu ata nuk e kanë fshehur dhe përpara trupës gjykuese ku u njohën me masën e sigurisë, atë të “arrestit me burg” deri në mbyllje hetimeve, dy autorët e vjedhjes së argjendarisë në zonën e dollarit. Ata kanë pranuar autorësinë: “Po e bëmë ne vjedhjen e argjendarisë duke thyer me forcë qepenin pasi e goditëm me automjet, e më pas morëm bizhuteritë”, mësohet të kenë thënë në gjyq 23-vjeçari Françesko Vukaj, banues në fshatin Rrenc dhe bashkëpunëtori i tij Iraldo Filipi, 28 vjeç, banues në fshatin Gajtan, Shkodër. Por përveç faktit se ato kanë kryer vjedhjen dhe bizhuteritë i kanë shitur në kryeqytet, nuk kanë dhënë të tjera detaje sa i përket çmimit që ato i kanë tregtuar.

Për këtë arsye policia bëjnë me dije burimet në fjalë, ka nisur hetimet duke kryer një kontroll në disa prej argjendarive të kryeqytetit, me qëllim gjetjen e bizhuterive dhe ndalimin e tregtimit të tyre te persona të tretë, pasi ato janë të identifikueshme përmes kodeve dhe faturave që argjendaria në Shkodër i ka blerë. Një pjesë e tyre janë rimarrë dhe kthyer tek personi në fjalë, por ende jo sasia e plotë. Prokuroria në seancën gjyqësore si provë materiale i paraqiti gjykatës pamjet filmike me të gjitha veprimet e kryera prej dy shtetasve në fjalë, si dhe shenjat e gishtërinjve të marra në automjet dhe brenda argjendarisë, kur kanë kryer vjedhjen. Të gjendur përballë fakteve të pakundërshtueshme, ata pranuar autorësinë, çka i hap rrugë palës mbrojtëse në këtë rast për të kërkuar më pas masë lehtësuese në gjykimin përfundimtar të tyre. Në pamjet e bëra publike pak ditë më parë nga policia shiheshin qartë veprimet e dy autoreve të cilët do të përgjigjen për akuzat e “Vjedhjes, e kryer në bashkëpunim” e “Shkatërrimi i pronës”.