Gjyqi ndaj Zotos, caktohen dy ekspertë për këqyrjen e serverëve

Gjykata e Krimeve të Rënda zhvilloi dje seancën e radhës ndaj ish-drejtorit të Burgjeve Artur Zoto i akuzuar për veprën penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë, në bashkëpunim”. Në këtë seancë janë paraqitur dy ekspertë kriminalist të cilët do të bëjnë këqyrjen e serverëve të kamerave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për periudhën kur ish-zëvendës drejtori i Burgjeve Iljaz Labi, pretendon se ka takuar në zyrën e tij Artur Zoton. Labi ka akuzuar Zoton për aferat korruptive në tenderët e burgjeve, duke thënë se ai nuk bënte asgjë pa urdhrin tij dhe se për tenderin në fjalë, është udhëzuar për të gjitha veprimet nga ish-drejtori. “Zoto më kërkoi të flisja me një biznesmen për tenderin e vezëve dhe bulmetit. Kërkonte 20 % të shumës.

Biznesmeni Shemsi Sinani më dha 20 milionë lekë te një lokal te Blloku. 20 milionë lekët ia dorëzova Artur Zotos në zyrë.”- tha Labi në një nga seancat e mëparshme. Por këto akuza hidhen poshtë nga Artur Zoto, i cili i mohon kategorikisht ato. Edhe përgjimet ambientale dhe tabulatet telefonik, të paraqitura nga Prokuroria nuk e implikojnë ish-drejtorin e Burgjeve, ndërsa tani do të pritet edhe rezultati i këqyrjes së serverëve për të parë nëse është bërë një takim midis Iljaz Labit dhe Artur Zotos, në zyrën e këtij të fundit. Në seancën e zhvilluar dje, me kërkesë të avokatit dhe aprovim të gjykatës dhe prokurorisë, ekspertëve i është kërkuar që të bëjnë këqyrjen dhe nga kjo këqyrje të vlerësoj nëse është bërë ndërhyrje në serverë si dhe të shikohet nëse ka pamje të Iljaz Labit në zyrën e Artur Zotos. Ekspertët kanë kërkuar dy javë kohë, ndërsa seanca e radhës do të zhvillohet në datën 25 Janar në orën 14:30.

Çështja “Zoto”

Me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, gjykata vendosi masën e “arrestit me burg” për ishdrejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoto, i dyshuar për “korrupsion pasiv”. Sipas prokurorisë përgjimet e kryera kanë ngritur dyshime të forta për implikimin në aferat korruptive në tenderët e ushqimit në burgje dhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoto.

Sipas prokurorisë, në dosjen hetimore, ndodhen dhjetëra procesverbalë me biseda të transkriptuara, të cilat tregojnë se Zoto ka qenë në dijeni të këtyre aferave korruptive dhe se Iljaz Labi nuk bënte asnjë hap, pa miratimin e tij. Dy ditë pas operacionit të arrestimit të zëvendësit të tij Iljaz Labi dhe katër biznesmenëve Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Shemsi Sinani e Nexhmi Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dha dorëheqjen, duke i justifikuar largimin ministrit të Drejtësisisë në atë kohë, Ylli Manjani nëpërmjet një letre, ku i shkruante se ishin motivet personale dhe familjare të tij, që e çonin në largimin nga kjo detyrë.

Të tjera

Abissnet