Gjyqi ndaj Shullazit, a do të dëshmojë Berisha?

Nga Bleona Metushi

Gjykata e Krimeve të Rënda zhvilloi dje seancën e radhës ndaj Emiljano Shullazit dhe të ashtuquajturit grupit të tij. Në seancë dëshmuan 4 dëshmitarë, ndërsa në seancën e radhës pritet që të jenë Ardian Çipa, Sali Berisha dhe bashkëshortja e Ylvi Beqjas, Marsida Musai

Gjykata e Krimeve të Rënda zhvilloi dje seancën e radhës ndaj Emiljano Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë të akuzuar për veprat penale të ndryshme nga gjobë vënie deri te kërcënim për jetën. Në seancën e djeshme u morën në pyetje katër dëshmitarë të tjerë të mbrojtjes, të cilët, për rreth 2 orë, dëshmuan para gjykatës se si janë njohur me Ylvi Beqjan dhe si e kanë parë ata nga jashtë marrëdhënien e tij me Shullazin. Ndërsa seanca është zhvilluar mes debatesh midis palëve, kjo për nga mënyra e pyetjeve dhe deri te një kërkesë e bërë nga mbrojtja dhe që ishte bërë edhe më herët nga avokati Ravik Gurra.

Për marrjen e dëshmisë së parë të dhënë te oficeri i policisë gjyqësore të shtetasit Besnik Musai. Dëshmia e tij është marrë një herë në sallën e gjyqit në shtator të vitit të kaluar ku dëshmoi kundër Shullazit, ndërsa mbrojtja kërkon dëshminë e tij të parë, për të bërë ballafaqimin e asaj që ka thënë para se të thirrej nga prokuroria për të dëshmuar. Sipas avokatit Ravik Gurra, kjo është e nevojshme për të qartësuar më tej situatën, ndërsa shton se në këtë gjyq çdo gjë është e çuditshme, sipas tij deri tani kanë ndodhur shumë çudira.

“Që nga dëshmia e një personi i cili është jashtë shteti dhe deri te emrat e atyre që janë përmendur, këtu çfarë nuk ndodh.”-tha Gurra. Ndërsa ka qenë edhe vetë Emiljano Shullazi, i cili ka reaguar ndaj përgjigjes së prokurores në lidhje më dëshminë e këtij dëshmitari. Sipas prokurores Imeraj, në lidhje me këtë dëshmi ata nuk janë në dijeni se kush mund ta ketë marrë dhe dëshmia mund të jetë dhënë në Tiranë, në Durrës apo në ndonjë qytet tjetër. Por sipas Shullazit kjo është një shaka dhe tallje. “Tallet kjo, tallesh tani. Po çfarë është kjo jo në Tiranë, jo në Durrës apo Kavajë. Çfarë është kjo, tallje?! Si nuk e dini?”-tha Emiljano Shullazi në sallën e gjyqit.

Ndërsa dëshmitari Bujar Kareci, avokat, tha se ishte habitur kur kishte parë në lajme që Ylvi Beqja kishte paditur Shullazin, kjo pasi sipas tij ata kishin marrëdhënie shumë të mira. Gjithashtu edhe gazetarja Lindita Çela dha dëshminë e saj, në lidhje me një intervistë të bërë me Ylvi Beqjan në vitin 2015, ku ishte shprehur se me Shullazin ishin miq. Ndërsa dëshmitari Petrit Sukthi tregoi për 160 mijë eurot që i kishte marrë Ylviu dhe sipas tij ende nuk ia kishte kthyer, duke e mashtruar. Seanca e djeshme u shty për të martën e ardhshme ndërsa në listën e dëshmitarëve për seancën tjetër është edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i kërkuar nga mbrojtja në lidhje me një denoncim të bërë për kërcënimin e dy profesorëve.

Në një postim në faqen e tij në “Facebook” por jo vetëm, pasi në atë kohë Berisha doli edhe në një konferencë për shtyp ku akuzonte Emiljano Shullazin dhe të ashtuquajturën bandën e tij se ka kërcënuar kandidatin për Rektor, Mynyr Koni, që ky i fundit të tërhiqej nga gara dhe atë në largim, Dhori Kule për mosdhënie mbështetje. Por ndërsa në seancë emri i ish-kryeministrit u lexua nga gjykata, burime thonë se mbrojtja do të heqë dorë nga thirrja e tij, kjo pasi dëshmia e Berishës tashmë nuk i duhet. Por ky vendim ende nuk është marrë dhe për këtë nuk dihet nëse do të dëshmojë apo jo. Përveç ish-kryeministrit, në listën e dëshmitarëve të përmendur nga gjykata janë edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, Ardian Çipa si edhe bashkëshortja e Ylvi Beqjas, Marsida Musai.

Sali Berisha

Por si doli emri i ish-kryeministrit Sali Berisha në çështjen Shullazi?! Ka qenë ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili në momentin që dha dëshminë e tij para Gjykatës së Krimeve të Rënda u shpreh se personi që ka dijeni të plotë mbi kërcënimet ndaj dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni, është ish-kryeministri Sali Berisha. Kjo pasi sipas Tahirit, ende pa filluar hetimet nga policia ka shkruar në një status publik në profilin e tij në “Facebook”, duke denoncuar disa prej anëtarëve të këtij grupi se kishin kërcënuar dy profesorët.

Gjithashtu në atë kohë Berisha doli edhe në një konferencë për shtyp ku akuzoi Emiljano Shullazin dhe ata që njihen si anëtarët e grupit të tij se kishin kërcënuar me jetë kandidatin për rektor Mynyr Koni, me qëllim që ky i fundit të tërhiqej nga gara dhe atë në largim, Dhori Kule. Ka qenë kjo seancë ku i pandehuri Emiljano Shullazi kërkoi që në gjykatë të thirrej si dëshmitar edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nëse do të shkojë të martën tjetër do të pyetet në lidhje me këto deklarata të bëra.

Avokati: Beteja për “Vollgën” dhe denoncimi i papritur i Ylviut ndaj Shullazit

Gjatë seancës së djeshme te Krimet e Rënda është janë pyetur 4 dëshmitarët e mbrojtjes në gjyqin kundër Shullazit dhe grupit të tij. Një prej personave të cilët kanë dhënë dëshminë e tyre është edhe avokati Bujar Kareci, i cili ka qenë përfaqësues ligjor i shoqërisë “Saudi Brother”. Sipas tij Ylvi Beqja fliste për Shullazin me superlativa, ndërsa shton se vetë Beqja i kishte rrëfyer se që në momentin që kishte kontaktuar me Emiljano Shullazin ai ishte më i qetë ndaj kërcënimeve që kishte marrë. Më tej avokati u shpreh se është çuditur në momentin që dëgjoi në media që Ylvi Beqja kishte denoncuar Shullazin.

Meçe: Si e keni njohur Ylviun?

Bujar Kareci: Ylvi Beqjan e kam njohur në 2010-ën, në cilësinë e avokatit për shoqërinë “Saud Brothers”.

Meçe: Na shpjegoni si ka qenë ecuria e çështjes për hotel Vollgën?

Bujar Kareci: Gjatë asaj kohe në cilësinë e avokatit kam përfaqësuar shoqërinë, ndërkohë që ishin zhvilluar disa procese për hotelin, ai që prishi çdo gjë ishte një gjykim në vitin 2013, gjyqi është zhvilluar pa praninë tonë si palë. Në këtë seancë gjykata e Durrësit ia kishte kaluar Vollgën Zamir Hasës. Kjo ishte pak e habitshme, sepse të paktën për përshtypjet e mia, ajo pronë do të na kthehej, kjo pasi ligjërisht s’kishte asnjë arsye se pse të mos e merrnim. Gjatë kësaj kohe Ylviu na ka treguar se ndihej i kërcënuar dhe në rrezik për jetën. Ka qenë në 2015 kur më merr në telefon dhe më thotë se dua të të takoj pak. E kam takuar te një lokal poshtë shtëpisë sime. Aty më tha se i zgjidha të gjitha problemet, kam kontaktuar me Emiljano Shullazin dhe tani jam më i sigurt dhe i qetë. Tani kërkoj nga ju që të punoni të qetë për çështjen e Vollgës. Pas kësaj jemi takuar 5 deri në 6 herë brenda 5 muajsh. Në këtë periudhë dukej shumë optimist, ndërkohë që fliste me superlativa për Emiljano Shullazin. Kur kam marrë vesh kallëzimin që kishte bërë Ylviu për Shullazin u befasova.

Meçe: Kur e keni takuar për herë të fundit Ylviun?

Bujar Kareci: Hera e fundit që kam takuar Ylvi Beqjan ka qenë dy javë para se të bëhej denoncimi, pra të dilte në media që  Ylvi Beqja ka denoncuar Emiljano Shullazin. Ai nuk më ka shfaqur asnjë shqetësim atë ditë, ndërkohë dua të them që e gjithë kjo mu dukë shumë kontradiktore. Gjithashtu dua të shtoj se më ka telefonuar edhe kur u bë dëshmitar i mbrojtur. Kur e kam takuar te shtëpia e tij, e kam pyetur se pse e bëri atë denoncim dhe më tha “Lëre mos më pyet se ashtu është puna”.

Meçe: Keni dijeni për pjesën e dhuruar nga Ylvi Beqja te Emiljano Shullazi të Vollgës?

Bujar Kareci: Po, por se sa nuk e di. Kur kemi qenë në gjyq me palën tjetër, atë të Zamir Hasës, kjo pjesa e dhurimit, domethënë që të kalonte një përqindje te ata është diskutuar që të zgjidhej çështja. Por më vonë nuk ndodhi kurrë. Ylviu më tha më mirë ia jap Emiljanos se sa t’ia kaloj atyre.

Të tjera

Abissnet