Gjykata e Lartë shpall kandidatët e KLGJ-së, pritet votimi nga gjyqtarët

Gjykata e Lartë shpalli dje listën zyrtare të kandidatëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Të përzgjedhurit janë 10, ndërsa do të jetë Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve që do të zgjedhë 6 anëtarët. Dy prej kandidatëve kanë edhe një “betejë” me Vetingun

Bleona Metushi  

Pas përfundimit të procesit të Vetingut për kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Gjykata e Lartë shpalli dje listën përfundimtare të tyre. Tashmë për ngritjen e këtij institucioni pritet të bëhet thirrja e Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve të të gjitha niveleve, por para kësaj do të priten edhe vendimet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për dy nga kandidatët zyrtarë, ndërsa një prej tyre, Luan Dervishi, ende nuk ka kaluar procesin e Vetingut. Kujtojmë se gjyqtarët Alma Brati dhe Astrit Faqolli janë apeluar nga Komisioneri dhe pritet të kenë një “betejë” të fundit me procesin e Vetingut. Në këtë mbledhje do të zgjidhen 6 anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi 5 të tjerë janë zgjedhur nga kandidatë që nuk janë pjesë e Sistemit, por janë juristë. Këshilli i Lartë Gjyqësor është organ kolegjial i përbërë nga njëmbëdhjetë anëtarë, të cilët shërbejnë në detyrë me kohë të plotë. KLGJ është një nga institucionet më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, ngritja e këtij institucioni do të zgjidhte ngërçin e Gjykatës së Lartë, e cila aktualisht është me dy anëtarë.

Kandidatët dhe Vetting-u

Nga Gjykata e Lartë, kandidat i vetëm që ngeli është Medi Bici, pasi Artan Zeneli u shkarkua sepse nuk ishte i besueshëm në kriterin e pasurisë, por edhe atë të pastërtisë së figurës. Ndryshe rezultoi për Bicin, nga hetimi u konstatua se gjyqtari ishte i besueshëm në të tre kriteret rivlerësimit, ndërsa pa frikë mund të quhet edhe si më i “varfri”, ndër kolegët e tij në Gjykatën e Lartë, të cilët nuk numëronin dot vilat. Në deklaratën Veting, ai ka deklaruar një shtëpi në Tiranë, tokë bujqësore dhe një makinë. Për banesën e deklaruar në Tiranë, komisioni tha se kishte konstatuar disa parregullsi, por nga provat e reja të dorëzuara nga Bici gjatë seancës dëgjimore, bindën komisionin që më vonë e konfirmojë në detyrë.

Apelet

Nga Gjykata e Apeleve, është Ilir Toska, i cili nga hetimi i KPK rezultoi i pastër në të tre kriteret, edhe pse DSIK kishte sjellë një raport negativ për gjyqtarin. Ky raport i DSIK është rrëzuar nga komisioni, sipas të cilit nga hetimi i kryer, ishte i paplotë dhe i pabazuar. Në deklaratën Veting, të bërë në vitin 2017, subjekti Ilir Toska ka deklaruar se ka në pronësinë e tij, vetëm një pasuri të paluajtshme. Apartament banimi në zonën e “Ali Demit”, blerë në vitet 2005-2006, për vlerën 50 mijë e 292 euro dhe rivlerësuar në vitin 2010, në vlerën 8 milionë lekë. Gjyqtarja Nertina Kosova, është një tjetër kandidate e cila arriti të kalonte vetingun me sukses, ndërsa edhe për këtë pati disa paqartësi në lidhje me një pasuri, por që në fund të hetimit KPK e konsideroi të besueshme në të tre kriteret. Gjyqtarja Kosova, ka një apartament banimi 120 metra katrorë në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, me kontratë sipërmarrjeje me vlerë 6 milionë lekë të reja. Ndërkaq, ajo rezulton se ka kredi bankare 5 milionë lekë dhe shumë prej 1 milion lekësh nga kursimet. KPK ishte disi e lëkundur sa i takon shumës 1 milion lekë që nuk justifikonte burimet, por mandej është pranuar argumenti i gjyqtares se bëhet fjalë për kursime ndër vite. Gjyqtarja Brikena Ukperaj ka pasur numrin më të lartë të ankesave nga qytetarët për disa nga vendimet që ka dhënë, por për komisionin këto ankesa nuk ishin nën kompetencën e KPK-ës, por e gjykatave të niveleve më të larta. Një prej ankuesve ishte prezent në seancë, ndërsa në fund të saj shprehu pakënaqësi për hetimin e zhvilluar. Hetimi pasuror, ishte përqendruar në pasurinë e paluajtshme, apartament banimi në Tiranë, me sipërfaqe 106 metër katror, i blerë në vitin 2012 për vlerën 44 mijë euro me pjesë takuese 50%. Dhe në lidhje me automjetin “Mercedez benz”, blerë në vitin 2010 në shumën prej 7 mijë e 500 euro dhe pjesë takuese 30%.

Shkalla e Parë

Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Brunilda Kadi, pas një hetimi në të tre kriteret u konsiderua e përshtatshme nga KPK dhe organet ndihmëse, ndërsa e vetmja ankesë për të ishte e një biznesmeni spanjoll, por kjo i kaloi për shqyrtim gjykatës dhe Kadi i mbylli “llogaritë” me vetingun duke u konfirmuar në detyrë. Me një pasuri modeste dhe një shtëpi të prindërve, kandidatja për KLGJ, Manjola Xhaxho e kaloi vettingun pa asnjë mëdyshje duke u konsideruar si e përshtatshme për të tre kriteret. Manjola Xhaxho, banon në një shtëpi 2+1, me prindërit, të cilët e kanë përfituar nga një kontratë dhurimi. Deri në mars të këtij viti nuk ka pasuri të tjera në pronësi të këtij subjekti. Gjyqtarja e Kurbinit, ka qenë një tjetër personazh që e ka kaluar sitën e vetingut dhe ka kaluar qetë, pasi nuk është konstatuar asnjë parregullsi. Edhe KPK, por edhe Organet ndihmëse, e kanë konsideruar të përshtatshme Shehun.

“Problematikët”

Nga Gjykata e Tiranës kemi gjyqtaren Alma Brati dhe Astrit Faqolli, të dy vendimet e konfirmimit janë apeluar nga Komisioneri Publik. Brati u konfirmua nga KPK në datën 5 korrik, por në 14 gusht ky vendim është ankimuar nga Komisioneri Publik. Sipas këtij të fundit, hetimi për Bratin nuk ishte i plotë dhe se nga shqyrtimi që i ka bërë dosjes, ka konstatuar deklarim të pasaktë dhe faktin se burimi i ligjshëm i të ardhurave është i dyshimtë. Gjyqtari tjetër i Gjykatës së Tiranës është gjithashtu është apeluar nga Komisioneri Publik. “Komisioneri Publik ka ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK për gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës Astrit Faqolli, i cili u konfirmua në detyrë duke e kaluar Vetingun. Sipas Komisionerit Publik, vendimi i KPK për gjyqtarin është bërë në interpretim të gabuar të ligjit dhe provave të administruara gjatë hetimit administrativ”, shkruhej në njoftim.

KPA cakton gjyqtarët për ankimimet e Lazajt dhe Ndrecës

Kolegji i Posaçëm i Apelimit publikoi dje emrat e trupave gjykuese që do të shqyrtojnë ankesat e gjyqtarëve Artan Lazaj e Tom Ndreca. Gjyqtari i gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, Artan Lazaj, do të rivlerësohet nga Sokol Çomo në cilësinë e kryesuesit, Albana Shtylla relatore, Ardian Hajdari, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz anëtarë të trupës gjykuese. Kujtojmë se gjyqtari Lazaj u shkarkua nga komisioni në 4 shtator, pasi rezultoi, sipas hetimeve të KPK-së, se kishte probleme me pasurinë e tij. Trupa gjykuese e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici arriti në përfundimin se gjyqtari Lazaj kishte bërë deklarim të rremë dhe ka pasur 17 probleme serioze me pasurinë. Nga ana tjetër, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca, është shkarkuar nga KPK më 17 korrik, pasi u gjet se Ndreca nuk plotësonte kriteret e pasurisë për të vijuar punën. Gjyqtari Tom Ndreca, i njohur për gjykimin e dosjes së 21 janarit dhe për fitoren që i dha Lulzim Bashës për Bashkinë e Tiranës në vitin 2011, do të gjykohet nga Albana Shtylla kryesuese, Ina Rama relatore, Natasha Mulaj, Rezarta Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo, anëtarë të trupës gjykuese.

KPK ndryshon zyrat, shtyhen pas 20 shtatorit seancat dëgjimore

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pritet të ndryshojë ambientet ku do të mbajë seancat dëgjimore, kjo është edhe një nga arsyet se pse KPK nuk do të zhvillojë seanca deri në datën 20 shtator. Pas shkëputjes së verës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e nisi punën në datën 6 shtator, ku u zhvillua seanca dëgjimore me prokurorin pranë Gjykatës së Apelit në Durrës, Bujar Hotin, por pas kësaj nuk kemi parë deri tani, asnjë tjetër kandidat. Por, sipas përfaqësuesve të KPK, kjo ngecje vjen si pasojë e ndryshimit të selisë ku do të mbahen seancat dëgjimore. Mësohet se KPK-ja nuk do të mblidhet më në Pallatin e Kongreseve ku i kemi parë deri më tani, por në godinën e “Lidhjes së Shkrimtarëve” në rrugën e Kavajës. Zhvendosja e zyrave pritet të përmbyllet deri më 20 shtator, pas kësaj date pritet të fillojnë sërish seancat dëgjimore.

Operacioni

Gjatë ditës së sotme pritet që para Gjykatës së Krujës të dalin pesë të arrestuarit nga operacioni i zhvilluar ditën e mërkurë. Ndërkohe dje policia e Shtetit publikoi edhe pamjet nga operacioni, ku efektivët e Policisë dëgjohen ndërsa paralajmërojnë pronarët e banesave për aksionin dhe u kërkojnë të hapin dyer e të mos reagojnë pasi janë të rrethuar.

Amerikë

Vrasja e shqiptarit, Grei Frashëri në SHBA, disa ditë më parë, mbetet ende e pazbardhur, ndërsa ngjarjen e ka mbuluar misteri. Fillimisht u raportua se ai ishte qëlluar me armë zjarri, mediat amerikane shkruajnë se ende nuk është e qartë, nëse shqiptari 23-vjeçari u vra nga plumbat, apo nga goditjet me thikë.

Pogradec

Policia kap dhe arreston në flagrancë pronarin e një lokali bastesh dhe lotosh sportive, i cili në ambientet e tij, posedonte armë zjarri tip pistoletë me 6 fishekë, pa leje. Arrestimi i tij u bë pasi, gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë, kanë ushtruar në lokalin në pronësi të tij, baste dhe loto sportive në lagjen nr. 5 në Pogradec, këtij shtetasi iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë tip “Mauser” dhe 6 fishekë pa lejen e organeve përkatëse.

Arrestimi

Tre ditë pas grabitjes me armë zjarri në minierën e Munellës janë arrestuar dy persona, ndërsa dy të tjerë vijojnë që të jenë në kërkim. Dy personat që janë në kërkim nga policia janë punonjës të minierës që dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet