Gjoka: Tifozët shkodranë të rikthen në stadium

Publikuar më 02. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Klevis Deda

Tekniku shprehet për gazetën “Shekulli” se ndjehet optimist për shanset e kualifikimit të Vllaznisë në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë ku u mund 2-0 nga Tirana.

Skuadra e Vllaznisë nuk po kalon një moment të mirë në kampionatin shqiptar të futbollit. Shkodranët pozicionohen në vendin e 8 në kuotën e 12 pikëve, vetëm tre pikët larg zonës së ftohtë që të dërgon një kategori më poshtë. Tekniku i shkodranëve, Ernest Gjoka u shpreh për “Shekulli” se kërkon ndihmën e tifozëve për të dalur nga kriza. Ai beson se Vllaznia do të do të kualifikohet në ndeshjen e kthimit ndaj Tiranës në Kupën e Shqipërisë.

Situata aktuale e Vllaznisë është si pasojë e merkatos së dobët që u zhvillua në verë?

Për hir të së vërtetës dhe anës profesionale unë nuk dua t’i hyj kësaj çështje se çfarë është bërë më përpara. Mua më intereson se çfarë do të bëjmë nga këtej e tutje. Kjo është ajo që unë mendoj dhe mendoj se do t’ia dalim me sukses të kalojmë këtë moment aspak pozitiv.

Do të hyjë fuqishëm në merkaton e janarit Vllaznia, apo do të vazhdohet me këtë kontingjent lojtarësh? Çdo skuadër ka nevojë dhe përforcohet me lojtarë në merkato. Unë mendoj se edhe Vllaznia do të zhvillojë një merkato cilësore dhe ndërhyrjet do të bëhen në mbrojtje por nuk përjashtohet edhe faza sulmuese. Jam i kënaqur nga skuadra por duhet të rritet akoma më shumë cilësia e lojës për të arritur objektivat sezonale dhe për këtë arsye do të hidhemi në merkaton për të bërë blerjet tona.

Sa shanse ka ekipi për të përmbysur në ndeshjen e kthimit, humbjen 2-0 ndaj Tiranës në Kupën e Shqipërisë?

Unë mendoj që ne përballë Tiranës nuk e kishim nënvlerësuar ndeshjen, por meqë kemi pasur shumë ndeshje të ngjeshura, unë vendosa të bëja një rrotacion për të ruajtur lojtarët për ndeshjen me Laçin. Sigurisht që rezultati nuk na pëlqeu, unë them që ishin gabimet tona që Tirana shënua dy herë por ne do të mundohemi që në ndeshjen e kthimit të bëjmë maksimumin tonë.

Ndeshjet e radhës në kampionat do të zhvillohen ndaj Laçit dhe Flamurtarit, dy kundërshtarë shumë të fortë. A është ky një test i rëndësishëm për skuadrën që të konfirmojë se ka dalur nga kriza e rezultateve negative që e ka kolapsur që prej fillimit të sezonit?

Vllaznia ka një problem shumë të madh që çdo ndeshje duhet të bëjë maksimumin për të marrë tre pikëshin. Kjo është ajo që ne kemi si kundërshtar që ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër për të marrë tre pikëshin. Kjo është ajo që na vështirëson shumë punën dhe psikologjikisht nuk jemi të qetë deri sa të arrijmë të marin fitoret dhe të dalim nga ky moment i vështirë që po kalojmë Pavarësisht se kush është kundërshtari, objektivi është i njëjti, fitorja.

Në vitet e fundit tifozët shkodranë e kanë braktisur disi përkrahjen e skuadrës nga shkallët e stadiumit që ka ndikuar jo pak në ecurinë e klubit. Keni ndonjë thirrje për tifozët?

Po sigurisht. Unë e kuptoj që ata janë të mërzitur me rezultatet e skuadrës. Tifozët e Vllaznisë janë një vlerë e shtuar e kësaj skuadre. Ne po mundohemi dhe po punojmë shumë që të arrijmë rezultate të mira që të sjellim gëzim për tifozët dhe të vijnë të në mbështesin. Unë mendoj që po të jemi të gjithë të bashkuar do të arrijmë të dalim herët nga kjo situatë.