Gjimnazistët e Tiranës: Duam të studiojmë jashtë (FOTO)

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Lindita Bushgjokaj

Një shkollë e lartë dhe punësim i sigurtë në emigrim. Kjo është zgjedhja e nxënësve të shkollave të mesme që përgatiten duke mësuar gjuhën e huaj. Rasti i gjimnazit “Sami Frashëri” dhe largimi pa kthim

Statistikat kanë treguar se mijëra studentë çdo vit kanë vendosur të braktisin shkollat e larta në Shqipëri dhe të ulen në auditorët e një universiteti të huaj. Pjesa më e madhe e tyre zgjedhin universitetet italiane, por të shumtë janë edhe ata që ju del shkolla e lartë në Francë, Gjermani apo Hungari. Ky trend është i lidhur kryesisht me situatën aktuale në Shqipëri, e cila ka treguar se shumë studentë të diplomuar janë të papunë ose punojnë jashtë profesionit. Nxënës të gjimnazeve thanë për gazetën “Shekulli” se të ardhmen e tyre e shikojnë jashtë Shqipërisë, prandaj nga ata që u pyetën e kishin marrë që në klasë të gjashtë një drejtim të tillë, duke u angazhuar në projekte studimi të huaja që ju garanton një të ardhme larg Shqipërisë.

Ata thanë gjithashtu, se ndihen shumë pesimist me nivelin e studimeve që ofrojnë fakultetet në Shqipëri, pasi nuk  kanë kushte. Ndihen të zhgënjyer me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe korrupsionin që ekziston në universitete. Këto probleme që adoleshentët i kanë dëgjuar në media, i ka shtyrë ata që të marrin masa që në klasë të gjashtë për të ndjekur studimet në shkolla me standarde më të larta punësimi dhe me reputacion më të mirë. Gjimnazi i njohur “Sami Frashëri”, prej 9 vitesh është kthyer prej vitesh me një profil gjerman. Një memorandum midis dy shteteve e cila është kombinim i kurrikulës gjermane me atë shqiptare, ku zhvillohet lënda matematikë dhe gjeografi gjermane me mësues të huaj dhe shqiptarë.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Teuta Dobi, tha për “Shekulli”-n, se projekti ekziston dhe në 3 shkolla 9-vjeçare ku studentët që fitojnë në konkurs, bëhen pjesë e këtij projekti. Gjithashtu drejtoresh Dobi theksoi, se vjet të gjithë maturantët që ishin pjesë e projektit, kanë shkuar me studime në Gjermani. “Ky si projekt ekziston dhe në 3 shkolla 9-vjeçare, pasi ne prurjet i marrim nga shkollat “Fan Noli”, “De Rada” dhe “Avni Rustemi”. Është vetëm nga një klasë në këto shkolla me projektin gjerman, bëhet konkursi dhe fitojnë vetëm 50%  të drejtën e projektit, ku 80% është shqiptare dhe 20% gjermane.

Kjo është një mundësi që i përgatit studentët për të studiuar jashtë vendit. Nga 15 klasa paralele që kam unë çdo vit, dy prej tyre janë pjesë e projektit gjerman, të cilat kanë nga 21-22 nxënës. Klasat që janë pjesë  e projektit shkojnë deri në 150 nxënës në gjithë shkollën, të cilët e japin serish këtë provim dhe vetëm gjysma e fitojnë të drejtën e studimit. Nga pesë maturantë që kisha vjet, të gjithë kanë shkuar me studime në Gjermani”-thotë zonja Dobi. Të zgjedhurit e këtij projekti e shikojnë si një mundësi për të ikur nga Shqipëria për një të ardhme të sigurtë, pasi ata nuk kanë besim të studiojnë në një vend, që sipas tyre nuk siguron punësim pasi diplomohesh.

Reagime nga nxënësit

Andia Shkreli

Jam në vit të dytë, në gjimnazin “Sami Frashëri”. Jam pjesë e projektit gjerman dhe jemi futur në bazë të mesatares që kemi pasur në 9-vjeçare, që në klasë të gjashtë dhe në klasë të 9-të kemi bërë provimin, ku kemi fituar. Me anë të këtij projekti, kemi qëllim që të vazhdojmë studimet në Gjermani. Unë kam shumë dëshirë, por varet nga provimi në fund të projektit, nëse marrim nivelin C1. Dua të iki për një studim më të mirë pasi Shqipëria nuk ka të ardhme, madje nuk dua të kthehem më!

Esli Çela

E kam zgjedhur projektin, sepse të jepet mundësia për të jetuar jashtë një jetë më të mirë. Këtu çfarëdo profesioni që të mbarosh nuk ke siguri punësimi, kurse, nëse mbaron studimet jashtë ke një punë më të sigurtë. Përderisa të vazhdoj jashtë studimet për gati 5 vite, besoj se do të jem rregulluar dhe nuk kam ndërmend të kthehem në Shqipëri.

Ardeta Sadrija

Në vit të parë zgjodha frëngjishten, sepse sapo të mbaroj vitin e tretë më jepet një mundësi për të studiuar në Francë. Preferoj degën veterinari, pasi më pëlqen të kujdesem për kafshët. Shqipëria i ka kushtet katastrofë. Nuk e shikoj të ardhmen këtu, prandaj dua të iki jashtë. Pasi të kem mbaruar studimet jashtë dhe mund të kthehem këtu, nuk ka ndonjë gjë të keqe të punosh në vendin tënd, por ama studimet duhet ti bësh jashtë. Jam e zhgënjyer nga ligjet a arsimit dhe ka njerëz që kërkojnë para për tu arsimuar, duke shkelur të drejtat e studentëve. Këto fenomene i dëgjojmë çdo ditë në lajme.

Amarildo Jaho

Jam në shkollën profesionale “ Ekonomiko-Teknike Tiranë”. E preferova në vend të gjimnazit, sepse mendova se nuk të jep një profesion. Pasi të mbaroj këtë nivel studimesh, mendoj të shkoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose në Itali, sepse kam më shumë të drejtë zgjedhje jashtë sesa këtu. Për të investuar mund të kthehem një ditë, por jo për të punuar, sepse me këtë ritëm që ka filluar Shqipëria nuk do bëhet si shtetet e tjera.

Joana Sadiku

Jam në vit të parë në shkollën “Sami Frashëri”, zgjodha me dëshirë gjuhën italiane. Unë vitin e dytë të gjimnazit do iki me studime në Itali dhe të punoj atje, sepse ndihem më e sigurtë profesionalisht. Në klasën time ka shumë studentë që duan të ikin jashtë, sepse mendojnë se nëse mbarojnë shkollën këtu nuk do të kenë një punë të sigurtë.