Gjeneralë të doktorit, prefektë të piktorit

Publikuar më 04. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Azem Parllaku

Profesioni në të cilin përgjegjësia për jetën e vdekjen bie në supe të njoma, është ai i ushtarakut. Kolin Pauell, si ish-ushtarak dhe politikan i suksesshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e konsideron Ushtrinë si pjesën që, e përjeton idealin demokratik më përpara se çdo pjesë tjetër e shoqërisë. Sigurisht që, gjenerali Pauell i referohet shoqërisë amerikane, kur shpreh vlerësimin e tij. Krejt ndryshe mund të thuhet për realitetin tonë shqiptar, në të cilin Ushtria është produkt i një modeli të shoqërive të mbyllura, ku ushtarakët si profesionistë nuk kanë mundur të zhvillojnë normat, vlerat dhe unitetin organizativ, si një tip social, si një karakteristikë unike e shoqërisë moderne. Praktikisht ushtarakët shqiptarë janë konsideruar dhe ende vlerësohen si “mall i lirë”. Ndërsa kryeministri, Edi Rama, shkarkoi në bllok 12 prefektët në 12 qarqet e vendit, ajo që më shumë po komentohet, është fakti se si asnjëherë tjetër të 12 prefektët e rinj janë ish-ushtarakë, të cilët kanë mbajtur grada të larta gjatë shërbimit nën uniformë. Një pjesë e komentuesve besojnë se, Rama bëri prefektë njerëzit më besnikë ndaj ligjit, dhe që kanë frikë t’a shkelin ligjin, ndërsa pjesa tjetër pretendojnë se, prefektët e emëruar janë shërbetorët e rinj të Ramës, i cili pushtetin e vërtetë e ndan me kupolën mafioze dhe oligarkët e tenderave. Misioni i prefektit të qarkut dhe misioni i ushtarakut janë përgjithësisht të njejtë, që kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimeve për të garantuar sovranitetin, rendin kushtetues, kontrollin mbi territorin, mbrojtjen e mjedisit etj. Nisur nga ngjashmëria e misioneve, reflektimi i komentatorëve të ndarë është i drejtë, teksa duhet që, të theksohet se: Profesioni i ushtarakut është monopol i shtetit, dhe aftësia e njerëzive nën uniformë është drejtimi i forcës ushtarake dhe sigurimi ushtarak i klientit të tij, i shoqërisë, ndërsa funksioni i prefektit është, zbatimi i programit politik të qeverisë në nivel qarku dhe si i tillë është monopol i qeverisë.

Prefektët e rinj si ish-ushtarakë të frustuar nuk ka dyshim se janë shquar për devotshmëri për të zbatuar urdhërat e eprorëve të tyre. Me ndonjë përjashtim të gjithë të tjerët, kanë qenë pjesë e rëndësishme e vendimarrjes në fushën e Mbrojtjes, asaj vendimarrje që në fakt, ka çuar në joshjen për të vepruar sikur Forcat e Armatosura nuk kanë nevojë aspak për një politikë afatëgjatë menaxhimi. Prefektët e sotshëm, ish-ushtarakë të djeshëm, i ka mahnitur dhe joshur euforia e të qenit në NATO, ç’ka i ka bërë ata më pak të ndjeshëm ndaj transformimeve dhe zhvillimeve reale. Kurrësesi nuk mund të pretendohet që, prefektët e rinj të demonstrojë një qasje ndryshe nga e shkuara e tyre si ish-ushtarakë, të anatemuar. Si funksionarë të lartë ushtarakë, kanë avancuar në gradë duke i shërbyer politikës dhe jo vetëzhvillimit të etikës profesionale, për të krijuar bindjen e arsyeshme në shoqëri për tipin e ri të ushtarakut të sukseshëm. Pak më herët ish-Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, disa nga prefektët e rinj i nxori jashtë radhëve të Ushtrisë, mbasi sipas saj, vranë në Gërdec, vodhën në tendera dhe gënjyen, u fshehën pas proçedurës. Shefi i Kodhelit, Rama i gjeti të lirë dhe i emëroi shërbetorë lokal të qeverisjes. Të edukuar si ushtarakë, 12 prefektët e Ramës, do të jenë modeli i burokratit, që do t’a shqetësojë kabinetin rilindas, që komunikon me ERTV dhe Facebook. Si burokratë të kalibrit, këta prefektët e rinj do të lexojnë me lupë mbi çdo vendimarrje të organeve të njësive të vetqeverisjes vendore të rilindjes. Nuk do të mundin dot të verifikojnë ligjshmërinë e vendimeve, urdhërave dhe urdhëresave me karakter normativ të vetqeverisjes vendore, e për rrjedhojë ose do të enden nëpër gjykata, ose do të firmosin ashtu si në mjegull. Raportet periodike të tyre në Këshillin e Ministrave për veprimtarinë e degëve territoriale që veprojnë në qark, sipas urdhrit të Kryeministrit, dhe për probleme të veçanta, sipas urdhrit të ministrave, nuk do të ketë rilindas aq të duruar t’i lexojë, mbasi ato do të shkruhen me ton dhe “mjerisht” shumë të gjata dhe me një përmbajtje të padëshifrueshme.

Rilindasit vendorë do të mërziten shpejtë me prefektët e rinj, mbasi takimet mes tyre për parandalimin, menaxhimin, rehabilitimin e pasojave në rastet e emergjencave civile, do të jenë të shpeshta. Drejtimin e ceremonitë zyrtare shtetërore që zhvillohen në nivel qarku, prefektët e kanë hobin e tyre, ndërsa do të vihen në pozitë, kur do të diskutohen programe të buxhetit. Kontrolli dhe monitorimi i zbatimit, në nivel qarku, të politikave sektoriale të Këshillit të Ministrave në bujqësi, arsim, shëndetësi, mjedis, rend publik, shërbim zjarrfikës, ndihmë dhe përkrahje sociale, turizëm dhe kulturë, do të jetë një fushë e mbushur me mina për ish-ushtarakët, si prefektë. Disa nga ministrat e Ramës do t’ua transferojnë thirrjet telefonike për mosmarrëveshjet që do të lindin me drejtuesit e degëve lokale. Këshilli i Ministrave, ministrat dhe drejtuesit e institucioneve të tjera qendrore i dërgojnë prefektit aktet e nxjerra, në të cilat caktohen detyra apo përcaktohen marrëdhënie në fushën e veprimtarisë së degës territoriale që vepron në qark. Prefekti i qarkut, për veprimtarinë që mbulon, mund të propozojë pranë ministrive projektakte për zgjidhjen e problemeve të veprimtarisë së tyre. Me siguri që, në këtë veprimtari do të lindin mosmarrëveshje ndërmjet ministrave dhe prefektit. Cilën anë do të mbajë Kryeministri, mbetet për tu parë! I vështirë do të jetë bashkëpunimi me organet e Policisë së Shtetit për marrjen e masave në luftën ndaj trafikantëve të drogës. Drejtorët e policisë vendore janë profesionistë që nuk pyesin për prefektin. Të vetmin bashkëpunim të frytshëm do t’a kenë me strukturat e Forcave të Armatosura dhe shoqatat e ushtarakëve dhe veteranëve në nivel qarku.