Gërhitja në gjumë, shkaktarët dhe kur duhet të shkojmë te mjeku

Publikuar më 13. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Çfarë problemesh fshihen pas tingullit të ngjirur dhe të vrazhdë që mund të jetë shumë i bezdisshëm për partnerin/partneren tuaj. Faktorët që ndikojnë te të rriturit dhe të fëmijët. Simptomat shqetësese që duhet t’i nënshtrohen vizitës mjekësore

Gërhitja është  një tingull i ngjirur dhe i vrazhdë që krijohet kur keni bllokim të pjesshëm të frymëmarrjes gjatë gjumit për shkak të një problemi të caktuar. Shpeshherë gërhitja mund të jetë tregues i problemeve serioze me shëndetin. Për më tepër, ajo mund të jetë shumë e bezdisshme për partnerin/partneren tuaj. Më shumë se gjysma e të rriturve gërhasin në një periudhë të caktuar kohe gjatë jetës së tyre. Gërhitja ndodh kur ajri kalon në indet e fytit dhe shkakton vibrim të tyre ndërsa merrni frymë, prandaj krijohet edhe ai tingulli karakterizues. Ndryshimi i mënyrës së jetesës, si rënia në peshë, shmangia e alkoolit para se të flini ose fjetja në një anë, mund të ndihmojnë në ndalimin e gërhitjes.

Kur duhet të paraqiteni tek mjeku

Paraqituni tek mjeku nëse keni një nga simptomat e lartpërmendura, pasi mund të jenë tregues nëse  gërhitja shkaktohet nga një gjendje më e rëndë, siç është apnea obstruktive e gjumit. Konsultohuni me pediatrin nëse fëmija juaj gërhet, pasi edhe fëmijët mund të vuajnë nga apnea. Shkaktaret e apneas obstruktive të gjumit tek fëmijët mund të jenë: probleme me hundën dhe fytin, bajamet e zgjeruara, obeziteti i cili ngushton rrugët e frymëmarrjes tek fëmijët.

Shkaqet

Shumë faktorë , si anatomia e gojës dhe sinuseve, konsumimi i alkoolit, alergjitë, gripi dhe pesha mund të shkaktojnë gërhitjen. Kur ju zë gjumi dhe vazhdoni nga një gjumë i lehtë në gjumë të rëndë, muskuli në kulmin e gojës, gjuha dhe fyti relaksohen.  Indet e fytit relaksohen mjaftueshëm  sa mund të bllokojnë pjesërisht rrugët e frymëmarrjes dhe dridhen. Sa më e ngushtë të jetë rruga e frymëmarrjes, aq me forcë bëhet frymënxjerrja. Kjo shkakton shtimin e vibrimit të indeve dhe atë gërhitjen e fuqishme.Kushtet e mëposhtme mund të prekin rrugët e frymëmarrjes dhe shkaktojnë gërhitje: Anatomia e gojës.

Pasja e  një qiellze të butë dhe të ulët sjell ngushtim të rrugëve të frymëmarrjes. Njerëzit të cilët janë të shëndetshëm mund të kenë inde të tepërta në pjesën e prapme të fytit, ku mund të shkaktojnë edhe ngushtim të rrugëve të frymëmarrjes. Gjithashtu, nëse pjesa trekëndore e indeve që varen nga qiellza e butë (uvula) është e zgjatur, mund të pengohet qarkullimi i ajrit dhe të shtohet dridhja.Konsumimi i alkoolit. Gërhitja mund të shkaktohet edhe nga konsumimi i tepërt i alkoolit para gjumit. Alkooli relakson muskujt e fytit dhe ul mbrojtjen natyrale kundër bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes. Probleme hundore. Bllokimi kronik i hundëve ose ndarja jo simetrike  e tyre mund të ketë si pasojë gërhitjen. Deprivimi i gjumit. Mos fjetja mjaftueshëm sjell relaksim  të mëtejshëm të fytit. Pozicioni kur flini.

Gërhitja është më e vazhdueshme dhe e zhurmshme kur ju flini shtrirë me shpinë pasi sjell ngushtim të rrugëve të frymëmarrjes. Apnea obstruktive e gjumit. Gërhitja lidhet gjithashtu me apnean obstruktive të gjumit. Në këtë rast, indet e fytit bllokojnë rrugët e frymëmarrjes pjesërisht ose plotësisht duke ju penguar marrjen frymë lirisht. Apnea obstruktive e gjumit karakterizohet nga një gërhitje e zhurmshme e ndjekur nga periudha të shkurtra qetësie kur kemi ndalim të frymëmarrjes  ose thuajse ndalim të saj. Gradualisht, kjo pauzë në frymëmarrje mund të sinjalizojë zgjimin, mund të zgjoheni nga një gërhimë me zë të lartë ose tingull gulçues. Mund të keni një gjumë të lehtë për shkak të ndërprerjes gjatë gjumit.  Kjo mënyrë e ndërprerjes së frymëmarrjes mund të përsëritet disa herë gjatë natës. Njerëzit të cilët vuajnë nga apnea obstruktive e gjumit përjetojnë moment të ngadalësimit të frymëmarrjes ose ndalimit të saj të paktën pesë (5) herë gjatë një (1) ore gjumi.

Faktorët riskues

Faktorët riskues të cilët ndikojnë në gërhitje përfshijnë: Të qenët burrë ose djalë. Burrat dhe djemtë gërhasin më shumë ose kanë më shumë mundësi të preken nga apnea e gjumit sesa gratë dhe vajzat. Mbipesha. Njerëzit të cilët janë mbipeshë ose obezë janë më të predispozuar të gërhasin ose të vuajnë nga apnea obstruktive e gjumit. Ngushtimi i rrugëve të frymëmarrjes. Disa njerëz mund të kenë qiellzë të butë, bajamet e zmadhuara ose mish të huaj në hundë, të gjitha këto gjendje të cilat shkaktojnë ngushtim të rrugëve të frymëmarrjes dhe gërhitje.

Alkooli. Alkooli relakson muskujt e fytit duke rritur predispozitën për gërhitje.                                        

Probleme hundore. Nëse keni një defekt strukturor në rrugët e  frymëmarrjes, siç është semptum i devijuar ose bllokimi kronik i hundës, atëherë riskimi i gërhitjes është më i lartë.

Përgatituni për takimin me mjekun

Fillimisht duhet t’i drejtoheni mjekut të familjes. Ky i fundit mund t’ju referojë tek një mjek specialist në trajtimin e çrregullimeve të gjumit ose tek një specialist i veshit, hundës apo fytit. Meqenëse vizitat tek mjeku janë të shkurtra, ndonëse ka shumë për të folur, është mirë të shkoni të parapërgatitur. Më poshtë keni disa informacione që do t’ju ndihmojnë gjatë takimit dhe çfarë të prisni prej mjekut.

Çfarë mund të bëni

Shkruani të gjitha simptomat që keni përjetuar, përfshirë edhe ato të cilat duken jo relevante me arsyen e këtij takimi. Pyesni partnerin/partneren që t’iu përshkruajë çfarë ai/ajo ka vënë re gjatë natës teksa ju flinit. Ose, më mirë kërkojini partnerit tuaj t’ju shoqëroje në takimin me mjekun, kështu ai/ajo tregon më shumë për simptomat. Bëni një listë të medikamenteve, vitaminave që jeni duke marrë. Shkruani pyetje që dëshironi t’i bëni mjekut. Koha me mjekun do të jetë e limituar prandaj bëni një listë pyetjesh që t’ju ndihmojë të shfrytëzoni të gjithë kohën me të.

Teste dhe diagnoza

Për të diagnostikuar gjendjen shëndetësore, mjeku do të rishikojë shenjat dhe simptomat si dhe historikun mjekësor. Ai do të kryejë gjithashtu një ekzaminim fizik. Mund të pyesë edhe partnerin/partneren për mënyrën e gërhitjes, për ta kuptuar më mirë problemin.

Analiza

Mjeku mund t’ju kërkoj të bëni një skaner, siç është X-ray, skanim  tomografi të kompjuterizuar ose rezonancë magnetike të imazhit për të kontrolluar strukturën e rrugëve të frymëmarrjes.

Studimi i gjumit

Në varësi të ashpërsisë së gërhitjes suaj dhe simptomave të tjera, mjeku mund t’ju kërkojë të bëni një studim të gjumit, që shpesh kryhet në shtëpi, por, në varësi  të problemeve të tjera mjekësore, mund t’ju duhet të qëndroni edhe në një qendër të specializuar në studimin e gjumit për t’u monitoruar  nga specialistët. Ndryshime në mënyrën e jetesës

Për ta ndaluar ose parandaluar gërhitjen provoni këto këshilla:

Humbisni peshë. Personat të  cilët janë mbipeshë mund të kenë inde shtesë të cilat kontribuojnë në gërhitje.  Humbja e peshës ju ndihmon të reduktoni gërhitje. Flini në njërën anë. Gjatë fjetjes në shpinë bën që gjuha juaj të bie mbrapa në fytin tuaj, kjo ngushton rrugët e frymëmarrjes dhe pengon pjesërisht frymënxjerrjen. Përpiquni të flini në anën e majtë. Nëse mendoni që gjatë natës ktheheni të flini me kurriz atëherë qepni një top tenisi pas pizhamave tuaj apo çfarëdo që ju pengon të ktheheni të flini me shpinë. Ngrini kokën e krevatit tuaj. Ngritja e kokës së krevatit me prej 10 cm mund t’iu ndihmojë. Mjekoni bllokimin e hundës. Të paturit alergji ose problem me murin ndarës të hundës pengon në frymënxjerrjen  nga hunda. Kjo të detyron të marrësh frymë me gojë, duke rritur gjasat e gërhitjes. Mos përdorni asnjë mjekim pa rekomandimin e mjekut, pasi mund ta përkeqësojë situatën. Limito ose shmang alkoolin dhe qetësuesit. Shmang pijet alkoolike të paktën 2 orë para se të flini dhe njoftoni mjekun për gërhitjet para se të merrni qetësuesit. Qetësuesit dhe alkooli dobësojnë sistemin qendror nervor duke shkaktuar relaksim të tepruar të muskujve, përfshirë indet në fyt.

Ndaloni duhanin. Ndërprerja e duhanit ndihmon në reduktimin e gërhitjes por ka dhe shumë benifite të tjera për shëndetin. Flini mjaftueshëm. Të rriturit duhet të flenë të paktën 7-8 orë çdo natë. Ndërsa për fëmijët rekomandohet sipas moshës. Fëmijët parashkollor duhet të flenë 11 -12 orë çdo ditë. Fëmijët shkollor duhen të flenë të paktën 10 orë në ditë dhe adoleshentët duhet të flenë 9-10 orë.

Mjekim alternativ

Duke qenë se gërhitja është shumë problem i zakonshëm, ka terapi të cilat mund t’ju ndihmojnë në lehtësimin e saj: Të këndosh. Këndimi mund t’ju ndihmojë të kontrolloni muskujt e qiellzës së butë dhe pjesës së sipërme të fytit. Një studim i kahershëm ka zbuluar një rënie të gërhitjes tek pjesëmarrësit të cilët ushtroheshin duke kënduar çdo ditë gjatë tre muajve. Ata nuk kishin problem hundore dhe nuk ishin mbipeshë. Nëse i keni zbatuar të gjitha këshillat dhe gërhitja gjatë natës persiston, atëherë duhet të konsultoheni patjetër me një mjek ORL.