Gërhitja, lidhja me sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru

Publikuar më 18. 06. 2017 nga Eno Shkëmbi

Gërhitja është e padëmshme, por kur ajo ndikon në cilësinë e gjumit, mund sjell jo pak probleme për shëndetin. Mëngjese me dhimbje koke, mungesë përqendrimi gjatë ditës, hipertension, dhimbje gjoksi janë vetëm disa nga pasojat e saj, ndërkohë që kur shoqërohet me apnea, mund të jetë edhe faktor risku për sëmundje të zemrës apo goditje në tru. Rexhina Rama, mjeke ORL pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr.2 tregon se çfarë e shkakton atë. Çfarë lidhje ka gërhitja më sëmundjet e tjera. Si ndikon mënyra se si flejmë, mënyra se si ushqehemi dhe mbipesha. Pse meshkujt gërhasim më shumë? Ndërkohë që flet për të gjitha këto, tregon dhe mënyrat e trajtimit, ku veç atij medikamentoz, nuk përjashtohet edhe ndërhyrja kirurgjikale.

Çfarë është gërhitja dhe sa e zakonshme është ajo?

Gërhitja është një tingull që krijohet nga vibrimi i indeve të hundës ose fytit gjatë frymëmarrjes kur personi është duke fjetur. Rreth gjysma e njerëzve gërhasin në një periudhë të caktuar kohe gjatë jetës së tyre.

Shkaktarët e gërhitjes?

Mund të përmendim obezitetin dhe shtatzëninë, të cilat ndikojnë në trashjen e indit mukozal në hundë dhe gojë. Faktorët gjenetike gjithashtu mund të shkaktojnë gërhitje duke përfshirë këtu tonsila (bajame) të zmadhuara, adenoide (mish i huaj në hundë) të zmadhuara, uvula ose qiellza e zgjatur. Gërhitja vihet re më shpesh te anëtarët e së njëjtës familje. Gjithçka që bllokon frymëmarrjen me hundë mund të shkaktojë gërhitje, për shembull: alergjitë, gripi ose deformimet e septumit nazal. Alkooli, duhani apo disa lloje medikamentesh (kryesisht sedativet) të cilët shkaktojnë relaksim të muskulaturës çojnë në gërhitje. Plakja gjithashtu ndikon në relaksim të muskulaturës.

Si lidhet ajo me sëmundjet e tjera?

Gërhitja është e padëmshme por kur ajo ndikon në cilësinë e gjumit mund të shoqërohet me këto simptoma: përgjumje gjatë ditës, mungesë përqendrimi, dhimbje koke në mëngjes, djegie ose tharje fyti, gjumë jo i qetë, mbytje gjatë natës, hipertension, dhimbje gjoksi natën etj. Gërhitja e rëndë shpesh shoqërohet me një çrregullim të gjumit të quajtur Apneaobstruktive e gjumit (Obstructivesleepapnea), një çrregullim serioz i gjumit dhe një faktor riku për sëmundje të zemrës, atake në tru, diabet dhe shumë probleme të tjera shëndetësore.

Çfarë lidhje ka mes gërhitjes dhe sëmundjeve të zemrës?

Siç e përmendëm edhe më lart, kur gërhitja është e rëndë mund të shoqërohet me Apneaobstruktive të gjumit e cila nga ana e saj shoqërohet me risk të lartë për sëmundje kardiovaskulare. Lidhja mendohet të ekzistojë për shkak të prevalencës së lartë për hipertension në personat me apneaobstruktive e gjumit. Gërhitjes dhe sulmeve në tru? Edhe lidhja e gërhitjes me ataket në tru ka të njëjtin shpjegim: hipertensionin.

Sa ndikon mënyra se si flejmë, stili i jetesës, mënyra se si ushqehemi apo dhe mbipesha?

Të gjitha këto që ju përmendët ndikojnë në gërhitje. Le t’i marrim një e nga një. 1- Mënyra se si ne flemë ndikon në gërhitje. Pozicioni i shtrirë mbi shpinë çon në ngushtimin e kalimit të ajrit nëpërmjet hundës dhe gojës, duke rezultuar në gërhitje e cila mund të jetë nga e lehtë deri në apnea e gjumit. 2-Stili i jetesës. Personat që konsumojnë alkool dhe duhan sigurisht që gërhasin më shumë. Shmangia e tyre çon në reduktim të gërhitjes. Gjithashtu edhe aktiviteti fizik përmirëson gërhitjen duke bërë tonifikim të muskujve. 3-Mënyra se si ushqehemi ndikon në gjendjen tonë fizike. Kequshqyerja çon në mbipeshë e cila nga ana e saj ndikon në gërhitje. Edhe disa ushqime pikante akuzohen se ndikojnë në gërhitje pasi ato shtojnë refleksin gastroezofageal.

1-Humbisni peshë n.q.s jeni obezë

2-Shmangni alkoolin pas orës 6.00 pasdite

3-Shmangni medikamentet gjumëdhënëse

4-Ndaloni duhanin

5-Trajtoni kongjestionin nazal

6-Ushtroni aktivitet të rregullt fizik

7-Flini anash dhe jo në shpinë N.q.s i keni zbatuar të gjitha këshillat dhe gërhitja gjatë natës persiston, atëherë duhet të konsultoheni patjetër me një mjek ORL.