Gërdeci, një krim që shlyhet me largimin e politikës së vjetër

Në 11-vjetorin e tragjedisë qeveritare të Gërdecit, të dënuarit e vetëm janë viktimat dhe familjarët e tyre. Këta të fundit nuk kanë reshtur së shpresuari se fajtorët e krimit më monstruoz të dekadave të fundit do të vihen përpara drejtësisë. Zamira Durdaj, nëna e Erisonit 6-vjeçar që u shkri nga zjarri biblik i shpërthimit të depos së demontimit të municioneve, thotë se nuk e fal gjakun e djalit, sepse edhe sot nuk ka asnjë të dënuar! Ajo nuk do të rreshtë asnjë sekondë duke kërkuar drejtësinë e munguar. Regina, bashkëmoshatare e Erisonit, shpëtoi, por la një krah dhe trupi ende nuk i është shëruar nga plagët, por ato të shpirtit nuk do t’i mbyllen kurrë. Lista e viktimave është e gjatë. Ajo e të mbijetuarve edhe më e gjatë. Plot akuza, revoltë dhe zhgënjim. Hipokrizia e ish-opozitës së Gërdecit të paktën nuk bëri paradë këtë vit, duke ua kursyer talljen të mbijetuarve të asaj dite që u gatua dhe shpërtheu me vendim qeverie, angazhim të plotë të strukturave qeveritare dhe mbështetjen në hije të kundërshtarëve politikë. Rrahja e supeve të Sali Berishës nga Edi Rama, mesditën e 15 marsit 2008, në ambientet e Spitalit të Traumës, ishte gjesti i amnistisë politike që do të bëhej më vonë për autorët e një biznesi kriminal qeveritar, makutërisë për të fituar, mbi gjakun dhe djersën e njerëzve të thjeshtë dhe të pambrojtur. Politika e vjetër ishte dhe është në unison që ky krim të mos ndëshkohet kurrë. Siç është edhe për 21 janarin 2011 dhe për dhjetra e dhjetra krime politike dhe ekonomike të kryera gjatë këtyre dekadave, për të cilat kanë paguar vetëm shqiptarët e thjeshtë. Zamira Durda është simboli i shqiptarit të vrarë dhe të sakatuar në shpirt, të rrënuar dhe të tradhëtuar nga qeveritë, por të paepur për të vënë drejtësinë në vend, me çdo çmim. Është shqiptari që nuk pranon të dorëzohet, të ikë dhe t’I bëjë m***tin këtij vendi të mallkuar nga elita e vjetër politike, e cila gjasme shahet dhe lufton sy publikut mes vetes për të drejta dhe parime demokratike, por nga ana tjetër bëhet bashkë në krim dhe në korrupsion. ZGJIDHJA u thotë shqiptarëve se shkaktarët e Gërdecit janë të korruptuarit e politikës së vjetër. Siç janë shkaktarë për të gjitha tragjeditë që u kanë ndodhur ndër vite. Ata, si me VKM-në që ligjëroi Gërdecin, kanë bërë me ligje zaptimin e lirive politike dhe ekonomike të shqiptarëve, kanë kufizuar të drejtat kushtetuese për të ndryshuar rregjimin hibrid që kanë instaluar, u kanë hequr të drejtën e votës së lirë dhe të barabartë, pra mundësinë që të heqin nga pushteti këtë elitë të korruptuar politike. Shqiptarët duhet të luftojnë për t’i rimarrë këto të drejta, ndryshe Gërdecë të tjerë do të shpërthejnë mes tyre.

                                                                                               Arben Rrozhani Sekretar i PR i partisë ZGJIDHJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet